Në gjykimin e Brojkës: Basha me Ramën, si dita me natën
E. Rama, si protagonist i “kauzës” së tij, mund të jetë i besueshëm vetëm nga njerëz me tru të shpëlarë nga propaganda ataviste. Por pyetja e menjëhershme që shtrohet është: A ka kauzë ai? Fjala e fundit duhet nënvizuar, sepse përgjigjja negative për inkoherencën e këtij njeriu është e papërgënjeshtrueshme. Një person që ka nxjerrë jashtë qarkullimit dy libra të botuar që mbajnë firmën e tij, është argument i kësaj që thamë. Në këta libra, Edi doli në publicistikën shqiptare me dy të ashtuquajtura kauza: 1. Antikomunizmin e tij ekstrem; 2. Mallkimin me fjalë bombastike të asaj kolere të kuqe, të quajtur “nostalgjia komuniste”. Pra, qysh në vitin 1991 Edvini do të dilte në arenën ideologjike si një protagonist i nxjerrjes jashtë ligjit të PP-së, apo të PS-së, që kishte vetëm ndryshimin e emrit, sepse kontingjentet e skajshme të saj iu mbartën partisë emërndërruar. Nuk kaluan veçse 5 vjet kur ai paraqitet me një mendje diametralisht të kundërt, gjithmonë si ekstremist. Madje me një harbutësí të shumëfishuar, duke i çuar në grevë urie thuajse të gjithë artistët shqiptarë, në ofiqin e tij të ministrit të Kulturës. Si njeri i dhunshëm, i tërhoqi zvarrë nga ngujimi. Në vitin 2000, tani në krye të bashkisë së Tiranës, e akuzoi kryetarin pararardhës të kësaj bashkie, me terma të tillë siç është fjala “masakër”.
Por ish-kryetari i bashkisë, z. Albert Brojka, në një intervistë të gjatë të pak ditëve më parë me Çim Pekën, iu përgjigj se në vitet 1996-2000, masakrën e gjeti të kryer nga sistemi komunist (qumështi në radhët e mesnatës, bukë me tallona, varfëri, mjerim ekonomik). “Është për të ardhur keq”, - thotë Brojka, - “se fjalën masakër E. Rama e përdor edhe gjatë fushatës për mandatin e tij të dytë ose të tretë.”. Masakra, në gojën e Edvinit, nënkupton ndërtimet e paligjshme, apo kioskat. Në vitet 1991-92, e humbën funksionimin miniera e Valiasit, tekstilet, uzina e Traktorëve, uz. “Enver”. Njerëzit mbetën pa punë. Ekonomia e centralizuar, e dështuar, u zëvendësua me ekonominë e tregut, që parashikonte nxitjen e tregut të vogël. Brojka pyet: - Po të ishte Edi Rama në detyrën time, a nuk do të kishte kioska? “Gjatë gjithë mandatit tim nuk kam dhënë asnjë leje për kioskë, me përjashtim të një shitore librash të një shkrimtari të dëgjuar majtist. Këtë e kam dhënë me insistimin e madh të anëtarëve të PS-së në Këshillin bashkiak në KRTT ”, - sqaron Brojka. Ai shton se, në gjendjen e përpjekjeve për mbijetesë, kioskat që u ndërtuan ishin të paligjshme. Madje kjo dukuri nuk ishte e ndaluar nga asnjë dispozitë ligjore, në atë kohë.
Më tej ish-kryebashkiaku dëshmon se nuk ka pasur asnjë ndihmë për bashkinë, ndonëse ka pasur marrëdhënie të mira me 4 ish-kryeministra dhe me mjaft personalitete të PS-së. Bashkia e tij, mergjithatë, ka bërë pastrime kioskash në vende në të cilat një veprimtari e tillë ishte e domosdoshme: Ai përmendi ato të qendrës së Tiranës, ato rreth muzeut Kombëtar; kioskat përreth pallatit të Kulturës; ato përqark partisë socialiste, kioskat te parlamenti; pranë hotel Dajtit etj. Dokumentet aty i ka Rama, në bashki. Nëse gjen ndonjë dokument për të përgënjeshtruar Bojkën, në këto thënie të tij, le ta bënte.
Një pohim i rëndësishëm në këtë intervistë: “Kioskat e parkut Rinia dhe ato të Lanës nuk janë pastruar nga Edi Rama por nga Ilir Meta. Sepse policia ndërtimore, atëherë, varej nga qeveria”. Kjo tregon se Edi mburret më kot për gjërat që s’i ka bërë vetë, por edhe mashtron për të hedhur poshtë punën e të tjerëve. Në `98-shin Brojka ishte me krahë të prera për mungesë fondesh. Dhe në krizën e Kosovës gjysma e buxhetit të vogël të bashkisë shkonte për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të Kosovës (1999). Një krahasim tjetër: Ndërsa Brojka sillej si një titullar i depolitizuar, “E. Rama përdori bashkinë për të marrë PS-në. I bëri të gjithë drejtuesit e bashkisë deputetë!”.
Si i politizuar, dy herë E. Rama e ka pas çuar në prokurori Albert Brojkën: “Më çoi në prokurori 2 vite pasi isha larguar nga detyra si kryetar bashkie, kur shpërtheu diga e liqenit artificial (që përmbyti pjesën jugore, Tiranën e Re), ndërsa unë nuk isha në detyre që prej dy vitesh!”.
I lutem lexuesit që ta rilexojë këtë fjalinë e fundit. Sepse tani po marrim vesh një gjë të çuditshme. Unë (dhe shpresoj që edhe lexuesi), nuk e dimë se E. Rama paska kërkuar fajtor jashtë bashkisë për atë hapjen e digës nga zavendëskryetari i bashkisë. Si pasojë ndodhi ajo që e dinë të gjithë: U përmbyt Tirana e re. Dëmet, që mori përsipër t’i rimbursonte Rama, nuk janë shpaguar as sot e kësaj dite. Këtu s’kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore. Nëse faji nuk do të ishte i bashkisë, përse zv/kryebashkiaku ia mbathi për në Greqi? Në një shi që përmbyti një pjesë të Tiranës, kam parë në një kronikë televizive, njerëz me çadër, por me pantallonat e lagura gjer afër gjurit. Tre prej tyre folën për atë që kishte ngjarë në Tiranën e Re dhe për televizorët, frigoriferët dhe orenditë shtëpiake të kateve të para, që kishin dalë jashtë përdorimit...
Gjyqi kundër ish-kryebashkiakut për këtë gjëmë është dëshmi e huqit patologjik për të gjetur fajtorë te të tjerët, por jo vetveten. Zbavituni edhe me parullën idiote zyrtare: “Fajin e ka Saliu”!”. Shumë njerëz e kanë dëgjuar atë thënien franceze “Chercher la fammme” . Të kishin dukuri të tilla, francezët do të kishin edhe thenien “cherchez le coupable fictif!”.
Përse nuk u dënua Brojka? Se s’kishte të bënte asfare me atë ngjarje! Po Edi? Se ishte me imunitet! (Një temë tjetër, për ruajtjen e imunitetit nga E. Rama, në parlament).
Në debatin Basha-Rama, i intervistuari shprehet absolutisht për kandidaturën e L. Bashës. E tërheq mënyra e daljes në elektorat për t’u shërbyer qytetarëve, se u përket atyre dhe nuk synon që të futë politikën në bashki. “E kundërta po ndodh me zotin Rama. Ka kapur fort bashkinë dhe nuk e lëshon: Po përdor bashkinë që të mos i marrin partinë. Pra, z. Basha është shumë më lart. Po t’i krahasosh të dyja kandidaturat, ato janë si dita me natën. Z. Basha është i thjeshtë dhe kërkoi të përfitonte nga përvoja ime. Është modest dhe i përkushtuar. Ndërsa z. Ramën s’e kam takuar ndonjëherë gjatë të 11 viteve. As më ka ftuar, si ish-kryetar bashkie. Nuk dëgjon të tjerët. Thotë: “do bëhet si të them unë!..”.
Par unazën e Madhe, Brojka shprehet: “L. Basha mund ta hapë, ndërsa Rama nuk e bën dot.
Na u kujtua autostrada e Kombit, për të cilën propagandistët e Ramës, që kanë përvetësuar mënyrën e tij të të menduarit, përmendin atë që quhet “taksa Majko”. Ajo rrugë kthehet në bumerang, nëse përmendet! Se mbeti si propagandë për trushkulurit: Nuk u ndërtua as një cm. Sa për taksën, nuk dihet ç’u bë!