Liberalizimi i vizave, identitet për shqiptarët!
Këtë radhë, indicie për këtë shkrim u bë një gazetare me përvojë, që kishte ftuar ish-diplomatë dhe ish-deputetë në emisionin e saj, duke pasur në thelb të emisionit replikën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, me eurodeputetin Viktor Boshtinaru. Ajo që më bëri përshtypje nuk ishte fakti pse gazetarja nuk kishte ftuar ndonjë diplomat pa qejfmbetje nga qeverisja aktuale, por fakti se i gjithë paneli me eksperiencë në fushën e diplomacisë, nuk tha qoftë një fjalë të vetme se sa gjë e madhe ka qenë për shqiptarët liberalizimi i vizave dhe se eurodeputeti rumun, Viktor Boshtinaru, ka qenë pengmarrës i vizave të shqiptarëve për një periudhë të gjatë. Madje, nuk u shpreh asnjë shqetësim pse zoti Boshtinaru kishte ngulur këmbë në Parlamentin Europian për të mbajtur brenda klonit (nënkupto mosliberalizimin e vizave) shqiptarët, megjithëse ne ishim bërë anëtarë të NATO-s dhe pothuajse të gjithë anëtarët e Parlamentit Europian kishin dhënë dritën jeshile që shqiptarët të lëviznin lirshëm në Europë me dinjitet, ashtu si serbët, rumunët, maqedonasit, malazezët etj!
Për miqtë e mi diplomatë të ftuar në atë panel, për të cilët kam kënaqësinë kur shkëmbejmë mendime së bashku, por në veçanti për opinionin publik, po citoj se çfarë thoshte dhe shkruante më datë 10 qershor 2010 i fyeri i sotëm në Parlamentin Europian, zoti Viktor Boshtinaru, i cili ka shqetësuar dhe lënduar diplomatët e nderuar të ftuar në panelin e gazetares së njohur, zonjushë Xhungës, në një kohë që nuk kemi dëgjuar qoftë një zë të vetëm të Parlamentit Europian të shpreh habi, e aq më tepër indinjatë për replikën e shqiptares Jozefina Topalli.
Zv.kryetari i delegacionit për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit në Parlamentin Europian, Viktor Boshtinaru, më 10 qershor 2010 theksonte: Bashkimi Europian do të ndërpresë të gjitha proceset e integrimit për Shqipërinë, duke përfshirë procesin e liberalizimit të vizave.
Kësisoj, Viktor Boshtinaru po bëhej pengesë e vërtetë dhe po përpiqej të shtynte shansin tonë atëherë kur shqiptarët po bëheshin konkretisht pjesë e Europës, kur Shqipëria po bëhej më shumë Perëndim se Lindje, kur shqiptarët po bëheshin me identitet, kur pasaporta e tyre nuk do të shihej më me përçmim, kur nënat dhe baballarët prisnin të takonin djemtë dhe vajzat e tyre, të cilët i kishin munguar prej vitesh njëri-tjetrit.
Ndërsa diplomatët e nderuar shqiptarë në panel thanë se Jozefina Topalli diskreditoi Shqipërinë, i ka lenë një kosto të madhe vendit për të ardhmen, gjuha e saj të kujton të kaluarën e të tjera e të tjera.
Një diplomat, ashtu si çdo individ, është e natyrshme të kritikojë, por krahas kritikave duhet edhe të vlerësojmë risitë që sjell një titullar institucioni. Mendoj se diplomacia parlamentare, e iniciuar nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka qenë shumë eficiente gjatë këtyre viteve.
Diplomacia parlamentare ka gjeneruar vlerat më të mira të Parlamentit shqiptar, ka kërkuar të ngrejë interesat kombëtare dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë nëpërmjet të kuptuarit, të informuarit dhe të influencuarit te deputetët e parlamenteve të huaja dhe publikut të këtyre vendeve.
Për tiu rikthyer shqetësimit të diplomatëve të panelit Xhunga: nëse ishte me vend të replikonte kryetarja e Kuvendit?
Po çfarë duhet të bënte kryetarja e Kuvendit kur takimi i përbashkët parlamentar në Bruksel kishte si tematikë Ballkani Perëndimor, drejt një Europe më të integruar, ndërsa eurodeputeti Boshtinaru i bie përsëri së njëjtës daulle, në vendin dhe momentin e gabuar, duke të kujtuar pengesën e tij për liberalizimin e vizave, madje edhe të kërkon llogari, të kërkon ti përulesh për një debat që na qenka bërë në shtëpinë e demokracisë shqiptare.
Pse diplomatët tanë të ftuar në panelin e zonjushës Xhunga nuk thonë se eurodeputeti Boshtinaru habiti të gjithë Parlamentin Europian kur hapi një debat jashtë axhendës, duke iu drejtuar presidentit Buzek, se zonja Topalli më akuzoi më 14 shkurt në Kuvendin e Shqipërisë, duke folur nga pozicioni i saj si kryetare Kuvendi e duke më trajtuar si racist, antishqiptar… Ajo shtoi edhe se unë paskam luftuar kundër regjimit të lirë të vizave për Shqipërinë?
Pra, ai u përpoq fillimisht ta kthente këtë temë në një debat, në një kohë kur aty po diskutoheshin tema shumë më të rëndësishme. Si nuk paska të drejtë Jozefina Topalli të replikonte me një eurodeputet që u përpoq të pengonte lëvizjen e rreth 3.5 milionë shqiptarëve me pasaportat e tyre në Europë?
Të gjithë e dinë se kryetarja e Kuvendit nuk ka pasur asnjëherë pengesë për viza për të udhëtuar jashtë shtetit, por iritimi vjen natyrshëm kur mendon se një eurodeputet ka bërë lobing për ti penguar shqiptarët të lëvizin me dinjitet në Europë.
Nga eksperienca ime në diplomaci, jo aq të gjatë sa diplomatët e panelit, mendoj se gjuha mund të ishte më diplomatike nëse kishim të bënim me një eurodeputet që ka qenë kritik i politikës shqiptare, por dashamirës i shqiptarëve. Faktet nuk kanë nevojë për shumë koment në këtë pikë. Besoj se të gjithë biem dakord se nuk kishte më shumë probleme klasa politike shqiptare apo qeverisja në periudhën kur debatohej për liberalizimin e vizave, sesa klasa politike në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni, për të cilët Boshtinaru ishte pro dhe mbështetës i liberalizimit të vizave!
Më tej, pse Viktor Boshtinaru paska të drejtë të ngrejë zërin në Parlamentin Europian për faktin se qenka lançuar emri i tij në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ndërsa kryeparlamentarja shqiptare u dashka të heshtë, madje ti kërkojë falje për aktin e tij sublim se ka pasur të drejtë që shqiptarët të mos kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në Europë?!
Veprimet e Boshtinarut të ngjasojnë me atë personin që të qëllon me gur për të të çarë kokën, apo për të të nxjerrë syrin (nënkupto mosliberalizimin e vizave) dhe pastaj të thotë pa gjë të keq se të ka mik. Madje, pasdite të shkruan edhe një letër ku të thotë pse ju flisni keq për mua, se unë i dua shqiptarët, pavarësisht se kam qenë kundër liberalizimit të vizave?. Në këtë rast eurodeputeti Boshtinaru është në të njëjtën linjë zanore me Dik Martin dhe Karla del Ponten, helm kundër shqiptarëve.
Asnjëri prej jush, diplomatë të nderuar që keni ushtruar detyrën e diplomatit dhe të ambasadorit, edhe kur znj. Jozefina Topalli ka qenë nënkryetare e Kuvendit, edhe këto gjashtë vite kryetare, besoj se nuk e keni dëgjuar qoftë njëherë të vetme në kancelaritë europiane të përdorë këtë gjuhë të ashpër.
Në këtë rast, fjalët e ashpra të Jozefina Topallit janë në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve. E, për fat të keq, ne jemi gati të shigjetojmë njëri-tjetrin, qoftë për faktin e thjeshtë se jemi shkëputur momentalisht nga e njëjta llogore politike, dhe të mbrojmë dikë që konsiderohet armiku i armikut tim! Natyrshëm, këto debate na kujtojnë të madhin Konica, se shqiptarëve gjithmonë u ka ardhur e keqja nga vetvetja.
Po citoj dhe po argumentoj, sipas mendimit tim, replikën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli: Këtu nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinaru. Por ka një propozim të Boshtinarut për ti bllokuar shqiptarët pa asnjë arsye që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për tiu imponuar atyre serish Murin e Berlinit. Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve, jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim antishqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulëta. Unë nënvizoj se një propozim i tillë, alla Çaushesku, është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet antishqiptare. Ky është realiteti. Nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptarëve dhe aq më pak Jozefina Topallit, ishte përgjigjja e kryeparlamentares
