Vlorë, turizmi familjar vetëm 20për qind frekuentim
VLORë- Me gjithë uljen e çmimeve për prenotime, nga 20 deri në 30 për qind në krahasim me vitin e shkuar, përsëri fillim sezoni 2010, nuk ka sjellë ndonjë gjë të re për turizmin familjar në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj. Ata thonë se në fillim sezonin dhe në vazhdim, prenotimet janë afro 20 për qind e kapaciteteve ekzistuese të turizmit familjar. "Ne, shumica e pronarëve të banesave që nisin nga dalja e qytetit e deri tek Uji i Ftohtë, u mblodhëm e vendosëm të ulim çmimet. Por, shikojmë se pushuesit janë të pakët", - shtoi për "Gazeta Shqiptare" pronari i një banese dykatëshe në Ujin e Ftohtë. Sipas tyre, pushuesit që kanë ardhur sivjet në shtëpitë e tyre me qira, janë shqiptarë që vijnë nga Maqedonia apo Kosova, të cilët akomodohen nga 10 apo 15 ditë në dhoma kolektive. Vitet e kaluara, veçanërisht në zonën e Ujit të Ftohtë, pati një fluks të madh pushuesish nga Maqedonia, gjë e cila nuk po ndodh në fillim sezonin e 2010-ës. Familjarët që kanë banesa të lira e kërkojnë klientelë janë përkujdesur për kushte sa më të mira akomodimi, në mënyrë që të tërheqin pushuesit. Por, disa probleme që nuk janë plotësisht në dorën e tyre, vazhdojnë të përbëjnë shqetësim. Kështu, punimet në proces në disa rrugë që të lidhin me qytetin apo bregdetin krijojnë re pluhuri, ndërkohë që dhe furnizimi me ujë të pijshëm nuk është i pandërprerë në shumë zona apo banesa bregdetare.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)