E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëv: Shanset 50 me 50

Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, tha se asnjë ekip nuk është favorit në përplasjen e madhe Portugali-Gjermani, takim që do të luhet të enjten në Bazel të Zvicrës (ora 20:45)
"Për herë të parë ne nuk shkojmë si ekip favorit në një ndeshje. Shanset janë 50 me 50", - tha shefi i ekipi të Gjermanisë, Johakim Lëv.
Gjermania bindi në ndeshjen e parë kundër Polonisë (2-0), por zhgënjeu kundër Kroacisë (1-2) e Austrisë (1-0). Megjithatë, Lëv e llogarit ekipin e tij në gjysmëfinale.
"Portugezët do të bëjnë një lojë sulmuese, kështu që ne mund të organizojmë më mirë lojën tonë", - tha Lëv, duke theksuar se pret dy ekipe ofensive.
"Portugezët janë paksa të krahasueshëm me Holandezët, në fuqinë dribluese dhe shpejtësinë e sulmuesve anësorë", - tha "Bundestrainer"-i gjerman, i cili ka planifikuar një mbulim të rreptë të fantazistit portugez Deko.
Loja e Gjermanisë bazohet e tëra te mesfushori 31-vjecar Mikael Balak, kurse ajo e Portugalisë te Kristiano Ronaldo, dy lojtarë që luajnë në Angli.
Në përballjen e tyre të fundit, në finalen e Ligës së Kampioneve, Balak dhe Celsi i tij humbi përballë Ronaldos e Mancester Junaitid. Për kapitenin e Gjermanisë, eliminimi i Portugalisë ka dhe një nuancë hakmarrje. Balak, nga ana tjetër do të luajë kundër Luis Felipe Skolarit. Trajneri brazilian i Portugalisë do të jetë trajneri i tij i ri te Celsi.
"Portugalia është një ekip shumë teknik, shumë e fuqishme dhe ka individualitete të mira. Ata luajnë shumë përpara dhe duan të shënojnë sa më shumë gola", - tha Balak.
Trajneri Skolari vlerëson Gjermaninë: "Nga pikëpamja taktike unë nuk kam parë një ekip më të mirë se Gjermania. Më pëlqen mënyra e tyre e të luajturit futboll".
Në takimin e tyre të fundit në një kompeticion të madh, Gjermania fitoi 3-1 në finalen e vogël të Kampionatit Botëror 2006.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›