E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levan, identifikohet i vrari po shkonte tek e fejuara

Autori i Lajmit: RedaksiaIdentifikohet kufoma që u gjet në Levan të Fierit. Ai është Leonard Hazizaj, 32 vjeç, lindur e banues në qytetin e Fierit, konfirmon policia e Fierit. I ndjeri, i dyshuar për shpërndarje parash të falsifikuara, ishte i afërm i një punonjësi të policisë së Fierit. Ai ishte duke shkuar tek e fejuara e tij me një tortë për të uruar festat. Viktima mendohet të jetë vrarë gjatë natës, duke gdhirë dita e djeshme dhe besohet se vendi ku u gjet është i njëjtë me atë të ekzekutimit.
Ngjarja
Leonard Hazizaj, emigrant periodik në Greqi, u gjet i hedhur në një cep rruge, ku kalonin pak kalimtarë, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilierisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës. Ishin kalimtarë të rastësishëm, banorë të zonës, të cilët panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës. Viktima ishte qëlluar me një pistoletë në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij. Forcat policore dhe agjentët e antikrimit, bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja dhe minutat pararendëse. Më herët, para se të bëhej i mundur identifikimi i të ndjerit, policia tha se bëhej fjalë për një mashkull në moshën rreth 40-42 vjeç. Mësohet se Leonard Hazizaj, 32-vjeçar nga Fieri, ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjeve duke i dërguar një tortë për të uruar festën. Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty.
Dyshimet
Policia tha se viktima ka dyshime të jetë marrë me trafikim të lekëve dhe eurove të falsifikuara në Shqipëri dhe Greqi. Momentalisht, hetohet pista e pengmarrjes, por ende nuk ka informacione më të detajuara mbi këtë pistë, e cila i bashkëngjitet edhe pistës tjetër, asaj të hakmarrjes. Policia ka marrë në pyetje banorë të zonës për të mësuar më shumë rreth personave të dyshimtë që kanë shkelur Levanin kohët e fundit. Mësohet se disa persona janë shoqëruar për tu marrë në pyetje pasi policia dyshon se kanë dijeni për ngjarjen.

Pistat

Dyshohet pengmarrja,
viktima u torturua

Grupit hetimor të ngritur nga prokuroria e Fierit i është bashkangjitur edhe një grup oficerësh të specializuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që e konsideroi aktin një krim hakmarrjeje. Të dhënat e para tregojnë se viktima është mbajtur për një periudhë kohore disa orëshe peng dhe është tortuar dhe vrarë. Afër vendit të ngjarjes është gjetur një autoveturë me targa greke, e cila mendohet të ketë qenë e viktimës. Forca të shumta policore kanë marrë pjesë në një aksion për kontroll në fshatin Frakull, për mundësinë e gjetjes së ndonjë prove materiale për të ndihmuar grupin hetimor në zbardhjen e ngjarjes makabre.

Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›