Raporti 2009: Në Shqipëri shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut
Autori i Lajmit: RedaksiaNjë rrjet organizatash joqeveritare publikoi dje raportin vjetor për liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri duke theksuar se media është bërë më e ndikueshme nga politika si
pasojë e rritjes së presionit nga kjo e fundit. Raporti nënvizon se ka pasur edhe dhunim fizik të gazetarëve, siç ishte rasti i Mero Bazes, dhe si rast tjetër flagrant nënvizon dhunën e ushtruar nga policia në ambientet e gazetës "Tema" janarin e kaluar. Mes qeverisë dhe medias, vijon më tej raporti, janë shpeshtuar rastet e polemikës publike, presionit dhe akteve arbitrare si në rastet me editorë dhe pronarë të medias. Në raport theksohet se mediat janë bërë më të ndikueshme nga politika për shkak të rritjes së presionit të saj. Por sipas tij, janë shtuar edhe rastet e proceseve gjyqësore ndaj botuesve dhe medias nga përfaqësues te administratës publike apo civile, ndonëse është në fuqi një urdhër administrativ i kryeministrit Berisha, që ndalon punonjësit e administratës të ngrenë padi ndaj gazetarëve. Lidhur me fusha të tjera të lirive dhe të të drejtave të njeriut, raporti vëren se ende vijon konflikti mes pozitës dhe opozitës për zgjedhjet e 28 Qershorit, të cilat sipas organizatave, me gjithë progresin, shënuan probleme për sa i përket procesit të numërimit të votave. Probleme janë vërejtur edhe në sistemin e drejtësisë në rritjen e korrupsionit në të gjitha nivelet si dhe në cenimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe minoriteteve. Raporti vëren se korrupsioni ka shënuar rritje në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë, ndërsa është vënë në dukje, nisur nga rastet në Fier, Vlorë, Dibër e Shkodër se ka pasur shkelje flagrante të lirive e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar. Ky është raporti i parë vjetor që organizatat joqeveritare bëjnë për situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009