AH1N1, vonon vaksinimi, valë rreziku në janar
Autori i Lajmit: RedaksiaVaksinat kundër gripit të derrit janë shpërndarë nëpër poliklinikat e kryeqytetit, por në shumicën e tyre personeli mjekësor ende nuk është vaksinuar. Krerët e këtyre qendrave nuk e kanë shpjeguar këtë vonesë. Nga ana tjetër ata janë shprehur se aktualisht po seleksionojnë numrin e pacientëve kronikë të cilët duhet të vaksinohen të parët kundër gripit të derrit. Vaksina për këtë kategori personash po ruhet në Institutin e Shëndetit Publik dhe pritet të shpërndahet gjatë ditëve të ardhshme. Dy ditë pas vdekjes së një gruaje 55 vjeç (viktima e fundit nga AH1N1), mjekët bëjnë apel që të gjithe personat të cilët kanë temperaturë të lartë dhe vuajnë nga sëmundje kronike të paraqiten menjëherë në spital në mënyrë që të marrin trajtimin në kohën e duhur. Gjendja shëndetësore e pacientëve të shtruar në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" dhe në Sanatorium vazhdon të jetë e rëndë. Pacientja shtatzënë e cila pret dy binjake vazhdon të jetë në gjendje kritike dhe mjekët sqarojne se ende nuk ka asnjë ndryshim nga ditët e mëparshme. Gripi i derrit gjatë këtij muaji ka prekur zyrtarisht mbi 370 persona dhe ka shkaktuar tetë viktima. Specialistët kanë parashikuar se edhe muaji janar favorizon përhapjen e këtij virusi nga pacientët ndaj dhe duhet të mos neglizhohen shenjat e gripit. Deri më tani janë siguruar 10 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrit AH1N1. Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka siguruar qytetarët se vaksina që ka porositur vendi ynë është testuar me sukses në Hungari. Po sipas tij vaksina e re ka efekte anësore afatshkurtra siç mund të jetë një rritje e ndjeshmërisë apo një alergji, por për efektet anësore afatgjata duhet të presim pak më shumë kohë. Detyrë e Ministrisë është të sigurojë vaksinën dhe tu japë qytetarëve informacionin e nevojshëm në lidhje me efektet e saj. Në poliklinika vihet re një rënie e numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e prekjes nga gripi. Mjekët specialistë shpjegojnë se një valë tjetër pritet të ketë në fund të muajit janar ndaj u kërkohet qytetarëve të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë, por edhe atë kundër AH1N1.
Maqedoni, mund të ndërpritet vaksinimi, 7 pacientë me probleme
Në Maqedoni mund të ndërpritet procesi i vaksinimit të qytetarëve me vaksinën kundër gripit A/H1N1, për shkak të efekteve anësore të saj. Sipas informacioneve të mediave lokale, vaksina ka shkaktuar probleme tek shtatë pacientë, të cilët ishin shtruar në spital pasi kishin paraqitur simptoma të gripit. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore maqedonase kanë deklaruar se vendimi përfundimtar do të merret pasi të shqyrtohen rastet. Sipas tyre, deri tani vaksina ka shkaktuar dhembje muskujsh, fryrje të nyjeve limfatike dhe dridhje të duarve dhe këmbëve. “Këto nuk janë efekte të rrezikshme, por nëse shfaqen efekte më të renda, atëherë vaksinimi do të ndërpritet”, kanë deklaruar burimet. Ndërkohë në Maqedoni arrin në 18 numri i viktimave si pasojë e virusit A/H1N1, i njohur ndryshe dhe si gripi i derrit. Viktima i fundit është një i moshuar 72 vjeçar i cili vuante pasojat e një pneuomonie të rëndë si pasojë e prekjes nga virusi A/H1N1. Pacienti ishte shtruar në klinikën e sëmundjeve infektive në qendrën spitalore në Shkup dhjetë ditë më parë. Gendja e tij ishte rënduar së tepërmi dhe për pasojë nuk arriti të mbijetonte. Aktualisht në këtë klinikë po trajtohen 56 persona nga të cilët dy në gjendje të rëndë ku po trajtohen me sistem respirator.
Spitali i Fierit dhe Korçës me qendra dialize
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka vendosur që të hapë një qendër të re dialize në qytetin e Fierit. Elvana Hana drejtoresha e ISKSH-së, deklaron se kjo qendër u hap për të ulur kostot që kanë këta pacientë, por edhe për të përmirësuar shërbimin, i cili tashmë do tiu ofrohet të sëmurëve në spitalin e qytetit të tyre. Sipas Hanës, kostoja financiare për 60 pacientët e Fierit, shkon në 140 milonë lekë. Por, drejtoresha e ISKSH-së paralajmëron edhe hapjen e qendrave të tjera të dializës, në vitin 2010. "Eshte menduar që më vonë, kur të bëhet e mundur nga ana financiare të hapet edhe një qendër e tillë në Korçë, ku ne pretendojmë ta realizojmë shumë shpejt sepse këto janë kërkesa që vijnë nga ana e pacientëve", vijoi Hana. Aktualisht në vendin tonë, shërbimi i dializës, ofrohet në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009