E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE ROMA TE RESTAUROJE MONUMENTET TONA

Autori i Lajmit: Nga Genc LlakajInstituti i Monumenteve të Kulturës dhe tri universitete politeknike italiane të Torinos, Barit dhe Milanos nënshkruan dy vjet më parë (në datën 25/07/2007) marrëveshjen e “radhës” për rikonstruksionin e Pallatit të Brigadave, Kryeministrisë dhe Hotel “Dajtit”. Kjo marrëveshje, edhe një here, injoron kulturën tonë të ndërtimeve.
Pala shqiptare, edhe këtë radhë, shpalosi vesin e nënshtrimit e inferioritetit karshi një kulture të huaj (me respekt per atë Italiane). Më shqetësuas është fakti se; kjo marrëveshje u nënshkrua nën vëzhgimin “milimetrik” të politikës sonë të verbër dhe pak largpamëse. Nga kjo marrëveshje dypalëshe, ndërmjet italianëve të kulturës së restaurimeve dhe asaj shqiptare të shkatërrimeve, konstatojm një ripërsëritje të strategjisë së vetdeformimit dhe veteleminimit të vlerave kulturore shqiptare, thjesht e vetëm, për të “respektuar” arkitekturën italiane të viteve 30-të të shekullit të kaluar.
Çdokush ka të drejtën legjitime të pyesë: A është arkitektura shqiptare e gjallë dhe a i shërbën ajo vendit? Tjetra, për çarsye politika shqiptare po heshtë, madje po bashkpunonë verbërisht me një fenomeni të tillë vrasës të kulturës arkitektonike vendase dhe njëkohësisht po e zbeh identitetin e saj? Vënia në lëvizje e vatrave trunore, nga politikanët tanë, në shërbim të kësaj çështje kaq delikate, me synim ruajtjen e rrjedhshmërisë arkitektonike, origjinalitetit të kulturës shqiptare dhe fanatizmit ndaj njetrajtshmërisë së bazamentit kulturor shqiptar, është detyrë kombëtare që jo vetëm do të ndihmojë në edukimin kulturor të brezave të ardhshëm por edhe do të ringjallë vlersimin e vlerave të padiskutueshme të popullit tonë në këtë fushë, qoftë dhe pa “ndihmën” e të huajve.
Kam mendimin se; ne, ndoshta të varfër ekonomikisht nuk duhet të ecim më me këmbët e “suvaxhinjëve” të huaj. Ndoshta nuk jemi ende gati të shpiem kozmiken tonë në hapësirë por një gjë është e sigurtë se në fushën e arkitekturës nuk jemi pas nga të tjerët, përkundrazi. Le të rikujtojmë lexuesin inteligjent, vendas apo të huaj, se kultura jonë e ndërtimeve përveç vlerave historike ka dhe vlerat e një origjinë tërësisht autoktone. Përmendim se këto ndërtime nuk kanë qenë sporadike dhe aq më pak të nivelit të ulët. Të mos harrojmë se fillesat e ndërtimeve të epokës së gurit të vjetër në shek. e V p.e.s (periudha prehistorike, palafitet) në Dunavec dhe ato të gurit të ri në Maliq (periudha e neolitit) etj, tregojnë se ky popull ka ditur të ndërtojë në komunitet qysh kur shumë popuj jetonin në natyrë midis kafshëve. Ndoshta dikush mund të bëjë një krahasim me “tumat” e Etruskëve por, edhe origjina e këtyrë të fundit është për tu diskutuar, “ndoshta” është një origjinë që ka lidhje me popullin paraardhës të shqiptarëve. Përmendim këtu ndërtimet e shekujve 13-14 në Petrelë, Krujë, Gjirokastër etj. Ato të shekujve 15-19 në Prezë, Tepelenë, Elbasan të cilat edhe pse ishin për qëllime ushtarake apo mbrojtjeje (kala) kishin pa dyshim edhe shumë vlera të mëdha artistike në formë dhe në përmbajtje, kishin brenda tyre vepra arti.
Në shumicën e tyre spikat fryma e kultit apo bindjeve fetare por në to punuan artistë të famshëm shqiptarë si Onufri, Qiprioti, Nikolla etj, të cilët me tavanet dhe vitrazhet ishin në nivele të larta. Për të mos u anashkaluar është “modernizmi” i qyteteve të Beratit, Gjirokastrës dhe Elbasanit në shekullin e 17-të dhe në vazhdimsi. Pa lënë pas emrat shqiptarë me famë botërore në fushën e arkitekturës dhe skulpturës si Andrea Aleksi (1425-1505) me “pagezimorja e Trogirit”, arkitekt Kasemi (1570-1650 me “Qoshku Bagdad”, “Qoshku Revan”, Xhamia me Fajance ne Stamboll), dhe së fundmi “Mikelanxhelon e Orientit” Arkitekt Sinanin ( me Xhamin Blu e qindra vepra të tjera). Pra, gjithë kjo traditë e shkëlqyer ndërtimesh me vlera të papërsëritshme tregon se edhe ne shqiptarët kemi çtë tregojmë dhe më tepër kemi me se të mburremi. Pse jo? Dhe së fundmi, nuk kam ndërmend të më qeshin lexuesit kur të shohin se nuk kamë cituar dy qytetet me famë botërore ( të mbrojtura, tashmë, nga UNESCO) Beratin dhe Gjirokastrën si qytete me vlera të papërsëritshme arkitektonike.
Pra, konkluzioni i saktë do të ishte që, ne duhet të mundësojmë reklamimin e kësaj kulture jo vetëm thjesht si krenari për brezat por dhe si një shërbim origjinal ndaj turizmit arkitektonik.
Dimë fare mirë se veprat për rikonstruksion (sipas marrëveshjes së fundit), Pallati i Brigadave ( ndërtuar, në fundin e monarkisë zogiste, nga arkitekti Italian Bossio etj.), Kryeministria ( projektuar nga Bossio, Berte), dhe Hotel “Dajti” (projektuar edhe ky nga Bossio) kanë padyshim vlera kulturore dhe arkitektonike.
Çfarë të keqe do të kishte nëse këto vepra do të rikonstruktoheshin sipas stilit shqiptar qoftë dhe të ndërthurura me atë italian për të respektuar këtë të fundit?
E gjithë kjo duhet të vihet në shërbim të hedhjes dritë mbi kulturën tonë arkitektonike dhe të fillimit gradual për shplurosjen e saj prej politikave antishqiptare, të atyre politikave që sot e kësaj dite po përpiqen të “vrasin” kulturën tonë të hershme edhe në këtë fushë.
Kjo që po ndodh këto ditë të “paqme” është shumë herë më e rrezikshme sesa ajo që ndodhi “forcërisht” në ato vite kur Shqipëria ishte “koloni” italiane dhe situata e saj ekonomiko-sociale nuk mundte të përballonte vërshimin e një kulture tjetër ( me gjithë respektin për arkitekturën italiane) e cila gradualisht mbuloi atë çka ky popull e kishte të vetën prej qindra vjetësh.
Problemi nuk qëndron në faktin se ne nuk duam të kemi investime të huaja, përkundrazi. Ajo që na shqetëson është mungesa e nxitjes së origjinalitetit shqiptar. Nuk jemi kundër “ndihmave” të huaja por kundër ndihmave që , dashur ose pa dashur, stopojnë nën hije autoktoninë dhe origjinalitetin e kulturës tonë. Nuk jemi kundër zhvillimit, por kundër zhvillimit kaotik dhe të pa mbështetur në traditën dhe kulturën shqiptare. Kulturë, e cila sigurisht lë me gojë hapur dhe arkitektët më të zotë të planetit me shumllojshmërinë e larmishëmrinë e saj, me origjinën e hershme, me motivet e vecanta dhe me gjenezën e saj të mirëfilltë pellazgo-ilire. Nuk dua të jem pensimist, por as dritëshkurtër mbi ndërthurjen e kulturave europianë. Ajo që dua të shtojë është fakti se kultura e një vendi nuk do të kishte kuptim dhe as dallim nga kultura e një vendi tjetër nëse ajo nuk do të ruante identitetin dhe origjinalitetin e saj. Kjo do të sjellë me kalimin e kohës një fenomen shumë të rrezikshëm, atë të mohimit të kulturave dhe origjinalitetit të tyre, pothuaj të njëjtën gjë që po ndodh sot në Kosovë. Restaurimi i kishave apo kulteve të krishtera të origjinës thellësisht shqiptare nga ultranacionalistë dhe tendecioz sllav bënë që sot identiteti kosovar në sy të gjithë rajonit të vihet në dyshim pse këto kulte fetare janë transformuar gradualisht në tipin ortodoks-sllav gjë që nuk përputhet defakto me ekzistencën e një populli të krishterë “Dardan” që njohu krishtërimin shumë shekuj para ardhjes së popujve sllav (700-vjet para) në Ballkan (lexo krijimin e peshkopatës “Justiniana e Re” në Dardani-Kosovë nga perandori Justinian).
Rrjedhimisht, lënia e kulturës në përgjithësi apo e asaj arkitektonike në veçanti pas dore apo në mëshirë të fatit apo në shërbim të fatit të mirë të dikujt tjetër do të sjellë, dashur pa dashur, një katastrofë të mëvonshme dhe me shumë pasoja për kombin dhe origjinën e tij. Këto politika të rastësishme në dukje janë politika të cilat duhen parë dhe kontrolluar me vëmendjen më të madhe nga specialistë të fushave përkatëse por dhe nga politika e vërtetë që duhet të mendojë për jetëgjatësinë e ketij kombi. Që ky popull të tërheq kuriozitetin e botës së qytetruar, të thithë turistin e huaj e të jetë i veçantë në mënyrën e vet të të jetuarit duhet medoemos të jetë vet Ai, të jetë origjinal sidomos në gjuhë, në kulturë në doke, aq më tëpër në arkitekturën autentike.
Ndryshe, një turist të huaj çdo ta shtynte të vinte e të vizitonte Shqipërinë?
Perosnalisht dhe në konfidencë do ti thoja turistit francez apo atij gjerman të shkonte në Itali dhe të shihte Shqipërinë. Asnjë ndryshim nuk do të dallonte i huaji që do të vinte të shihte arkitekturën e ndërtimeve shqiptare nëse do të lihej mënjanë origjina vendase dhe nëse do të trasformoheshin në qejfbërëse apo “vasale” të ndrojtura të një kulture ( pa dyshim të pëlqyeshme) jo të origjinës shqiptare.
Përveç fenomenit të origjinalitetit dhe ruajtjes së vlerave për interes të turizmit “kurioz” dhe fitimprurës njëkohësisht, mendoj se kemi në këtë skenë edhe qëllime të tjera politike afatgjata të cilat nuk duhet të lihen jashtë konsideratës.
Dimë të gjithë që popullsia globale po shtohet me ritme të shpejta në një planet që po bëhet gjithmonë e më i vogël ndaj kësaj dyndjeje.
Pra, “luftrat” e mëpastajme nuk do të kenë sens tjetër veçse zona influence tokësore, me pak fjalë sa më shumë tokë aq më shumë jetë të gjatë.
Që do të thotë se “nesër” Italia –mikja jonë- ka të gjitha të drejtat të kërkojë tokat e kolonisë së saj pra tokat që ajo prej mijëra vjetësh ka punuar, me ura, rrugë, pallate etj. Pse jo, do të kërkojë “ligjërisht” qytetet e saj të “ndërtuara italisht”. Sot, po vihet në dyshim e drejta juridiko –historike e pavarsisë së Kosovën sepse disa shqiptarë të kamur që kishin shumë në dorë në kohë të hershme neglizhuan apo injoruan këtë realitet që po përsëritet sot në Shqipëri, pra infiltrimin e qëllimshëm dhe në masë të një kulture të huaj.
E njëjta gjë po ndodh në Çamëri. Atje po mohohet e drejta e tokës, kulturës, zakoneve qysh prej kohësh të largëta. Dhe së treti demagogjia e politikave në shërbim të zhvillimit të një populli, të ardhmes së tij më të mirë është e bazuar edhe në “eksitimin” turistik (fitimprurës) dhe startegjinë e ngjalljes së një kurioziteti të kërkuar nga të tjerët për të vizituar një vend të ndryshëm nga vendet e tyre. Kështu që dëshira dhe kurioziteti i turistit finlandez për të parë Tiranën e kllonuar (tashmë) do të shuhej në Romë dhe shpenzimet e tij do të zhvillonin këtë të fundit. Mirsetëvinë turistët në Shqipërinë e fotokopjeve kulturore ! (www.kosovapress.com)

Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›