Lelja Selaci gjendet e vdekur

(E plotësuar) Autoritetet norvegjeze e kanë njoftuar ambasadorin e Republikës së Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, se 17-vjeçarja Lejla Selaci, me prejardhje nga Kosova, është gjetur e vrarë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Lejla Selaci deri tash gjendej në mesin e të zhdukurve të tragjedisë që ndodhi para një jave në Norvegji.
Në momentin e hapjes së zjarrit nga 32-vjeçari Anders Bering Breivik, 17-vjeçarja, me prejardhje nga Vushtrria, ishte në një delegacion në Konventën e të Rinjve në ishullin Utoja.
"Anders Bering Breivik ka pranuar se ka kryer masakrat me pasojë vdekjen e 76 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Norvegji që prej Luftës së Dytë Botërore", thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Ministri Hoxhaj ngushëllon familjen Selaci
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Selaci me vendbanim në Norvegji, pasi autoritet norvegjeze kanë gjetur trupin e pajetë të Lejla Selacit, e cila gjendej në listën e të zhdukurve.
Në këtë telegram ministri Hoxhaj ka ngushëlluar familjen Selaci për vdekjen tragjike të Lejla Selacit.
“Që nga fillimi, kemi qenë pjesë e lutjeve, që Lejla të gjendet e gjallë. Por, shpresat tona dhe tuaja u shuan pikërisht sot. Ne këto momente shumë të vështira, populli dhe Qeveria e Kosovës është pjesë e dhembjes dhe pikëllimit tuaj”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.