Levizja Femen: UEFA po përkrah prostitucionin
UEFA jo që nuk është duke bërë asgjë për ta parandaluar prostitucionin në Ukrainë, por po e përkrah këtë dukuri negative. Mbi 12 mijë femra ishin aktive gjatë periudhës së Evropianit, një shifër kjo që e brengos tej mase këtë organizatë. Zëdhënësja Inna Shevchenko e ka akuzuar shtëpinë e futbollit evropian dhe Qeverinë ukrainase, për të cilat thotë se më të rëndësishme janë paratë sesa minimizimi i kësaj dukurie.
UEFA është duke i mbyllur sytë rreth çështjes së prostitucionit në Ukrainë gjatë Euro 2012, njofton njëra prej organizatave lidere të feminizmit në vendin nga ish Bashkimi Sovjetik.
Në Ukrainë, prostitucioni është ilegal, por Qeveria vlerëson se rreth 12 mijë femra janë përfshirë në industrinë e seksit, derisa burimet jozyrtare bëjnë të ditur se ky numër mund të jetë shumë më i madh.
Në një intervistë ekskluzive për ueb faqen Goal.com, Inna Shevchenko, zëdhënëse e kësaj organizate, thotë se UEFA është mirë e informuar për problemin, por nuk e ka shfaqur dëshirën për të ndihmuar për ta parandaluar këtë dukuri negative.
Arsyeja pse jam kundër UEFA-s është sepse ata janë këtu vetëm për të fituar para. Kjo është ajo për të cilën ata e qajnë më së shumti kokën kur të shkojnë. Dhe është mjaft e lehtë të fitosh para me industrinë e seksit këtu në Ukrainë. Femrat nuk kanë alternativa që të fitojnë duke jetuar këtu, tha ajo.
Bosat i rekrutojnë ato në rrugë, në universitetet e tyre, në klube nate, çdo kund. Femrat e reja rekrutohen këtu për industrinë e seksit. Ky është vendi i prostitutave, vazhdoi Shevchenko.
Sipas saj, në vend se ta ndihmojë Qeverinë ukrainase që ta minimizojë industrinë e seksit, UEFA vazhdimisht e ka nxitur prostitucionin. Besoj se ata kanë punuar bashkë me Qeverinë tonë duke e stimuluar atë. Këto lloje turnesh tërheqin mysafirë të seksit gjithmonë. Për shembull, në Gjermani prostitucioni ishte legalizuar para Botërorit 2006, ankohet Shevchenko.
Ajo shton se ky lloj biznesi sjell përfitime dhe që kjo është ajo që u intereson bosave të futbollit dhe të Qeverisë. Vetëm shikoni përreth vendit tonë gjatë Evropianit. Mund të gjeni këshilltarë për klubet e seksit sapo të mbërrini në aeroport. Ka më shumë klube për meshkuj sesa farmaci ose restorante, vijoi Shevchenko.
Ajo njofton se organizata e femrave e kishte këshilluar UEFA-n të ndërmerrte masa rreth këtij problemi qysh tri vjet më parë, por pa sukses. Krahas luftës ndaj racizmit, ajo mendon se është dashur që shtëpia e futbollit evropian të punojë edhe për ndalimin e prostitucionit.
Kjo organizatë, pasi hasi në vesh të shurdhër nga UEFA, e zgjodhi një rrugë tjetër, duke e masivizuar këtë problem nëpër media, por as këtë radhë Platini me shokë nuk deshën tia dinë.
Femen shpesh përdor taktika për ti publikuar problemet. Ato shpesh protestojnë të zhveshura, ndërsa në një rast protestueset kishin dashur ta thyenin trofeun e Euro 2012. Disa prej pjesëtareve të Femen kanë qenë subjekt i arrestimeve, dhunës dhe vëzhgimit të vazhdueshëm nga policia lokale.
