Përgjaket futsalli

Deri në edicionin e kaluar futsalli ishte njëri prej sporteve me atraktive në vend. Por, sivjet ky sport nisi ta merr tatëpjetën, pasi gjatë gjithë kampionatit u përcoll me probleme të shumta.
E kapaku i këtyre telasheve ndodhi të hënën mbrëma në kryeqytet. Në përfundim të ndeshjes së dytë finale të play-off’it mes Prishtinës e Liburnit ka ndodhur një përleshje mes dy grupeve të njerëzve, me ç’rast një tifoz gjakovar (Muhamet Lajçi) është therur me thikë.
Sipas drejtuesve të klubit gjakovar Liburni, në këtë përleshje ka qenë i përfshirë kryetari i Komisionit të Futsallit pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Ismajl Kosumi së bashku me dy djemtë e tij. Por, mësohet se paraprakisht Kosumi kishte qenë i fyer dhe kërcënuar nga tifozët.
“Me të përfunduar ndeshja, Ismajl Kosumi e pati një zënkë me Muhamet Lajçin. Menjëherë kanë ardhur dy djemtë e Ismajl Kosumit, Krenar quhej njëri, kurse tjetri Besfort me disa trupa sigurimi të një kafiqi të tyre dhe iu kanë vërsulur tifozit, të cilin e kanë therur dymbëdhjetë herë. Kjo është e konfirmuar edhe në raportin e mjekut. Përndryshe, loja kishte rrjedhë normale, Prishtina na ka pritur mirë, edhe pse siguria nuk ishte në nivelin e duhur”, tha sekretari i Liburnit, Ednor Emra.
Sipas tij, të njëjtit persona e kanë sulmuar fizikisht edhe doktorin e klubit, Ilir Gojani. Këtë version gjakovarët e kanë deklaruar edhe në grupin e klubit të tyre në rrjetin social në Facebook.
Në anën tjetër, therjen me thikë të Muhamet Lajçit nga Gjakova e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila tregoi se në lidhje me incidentin ka arrestuar tre persona.
“Në lidhje me këtë rast, policia i ka intervistuar disa persona. Dy prej tyre janë ndalur në mbajtje të hënën mbrëma – njëri i vitit të lindjes 1957, kurse tjetri i vitit 1983. Ndërsa një person tjetër është ndalur në mbajtje të martën. Rasti është duke u hetuar”, tha për Express Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.
Ndërkohë, Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me kreun e futsallit kosovar, Ismajl Kosumi, por telefoni ishte i shkyçur. Burime të besueshme të Express’it brenda FFK-së kanë treguar se Ismajli me dy djemtë e tij janë ndalur në mbajtje nga Policia e Kosovës.
Ky incident ka ardhur vetëm disa ditë pas një incidenti tjetër që kishte ndodhur në duelin Prishtina – Besa. E për këto incidente të martën do të diskutojë edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
“Na vjen keq. Për këtë do të diskutojë të martën Komiteti Ekzekutiv. Te ne njerëzit po veprojnë çuditërisht, sepse po i japin disa para në sport, e pastaj po mendojnë se ata mund të bëjnë çka të duan. Ata e kanë gabim”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.