Partizani, sot pret përgjigje nga Apeli
Shpresohet në marrjen e një vendimi nga Gjykata e Apelit në lidhje me logon, pasi një tjetër shtyrje do të ishte vetëm zhytje për të kuqtë e kryeqytetit
Ishte menduar që fati i Partizanit të sezonit të ri do të mësohej që më 1 qershor, kur në Gjykatën e Apelit do të shqyrtohej çështja se kujt i takon logoja e klubit, Ministrisë së Mbrojtjes, që ka bërë padinë për rikthim të stemës si pronë intelektuale, apo shoqërisë tregtare Partizani sh.a, që administrohet nga Albert Xhani. Por seanca e parë u shty, pasi pala mbrojtëse e Albert Xhanit kërkoi më shumë kohë për tu njohur me çështjen.
Kështu, gjyqtarja Zeqine Sollaku e pranoi kërkesën e avokatit Fatmir Braka dhe vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 27 qershor, ora 13:15, pra sot. Gjykata e Tiranës, më 7 nëntor të vitit 2011, me vendim të prerë i dha të drejtë shoqërisë FK Partizani sh.a për ta mbajtur logon, por Ministria e Mbrojtjes e apeloi vendimin.
Gjithsesi, edhe në Gjykatën e Apelit procesi nisi me shtyrje. Shpresohet që sot Partizani të marrë një përgjigje reale nga Apeli, në mënyrë që të dihet përfundimisht se kush do të jetë fytyra e skuadrës së sezonit të ri.
Procesi në gjykatën e shkallës së parë nisi në dhjetor të 2010-ës, por për shtyrje të njëpasnjëshme çështja u zvarrit dhe vendimi erdhi gati pas një viti, më 7 nëntor 2011. Lutjet e tifozëve të kuq janë që sot të marrë fund pritja, pasi, nëse vijohet me shtyrje, nuk mund të flitet për një ringritje të demave të kuq, por qëndrim në vend, ose më e keqja kthim prapa.
Partizani prej disa ditësh i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, por realisht si drejtuesit, futbollistët aktualë dhe ata që aspirojnë të vishen të kuq, mendjen e kanë se çfarë do të ndodhë sot në Gjykatën e Apelit. Sidoqoftë, Partizani kërkon sot përgjigje konkrete nga Apeli dhe jo shtyrje pa fund.
