Lëvizja Nano: Partiakizimi i qeverisë, jo për integrimin

Fatos Nano
Ish-kreu i PS u bën apel palëve të angazhohen për reformat.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është treguar e ashpër ndaj politikës shqiptare duke e akuzuar se po bllokon reformat e rëndësishme që kërkon vendi, sidomos ajo zgjedhore. Përmes një deklarate për mediat, Lëvizja Nano i cilëson lëvizjet e fundit në qeveri jo në favor të integrimit të vendit. Privatizimi dhe partiakizimi i detyrave qeverisëse është akt dhe mendësi jodemokratike dhe jointegruese. Qeveria vërtet ndërtohet nga numrat në Kuvend dhe marrëveshjet e partive politike pjesëmarrëse në koalicion, por nuk mund të tolerohet në asnjë rast mendësia e privatizimit dhe partiakizimit të qeverisë dhe posteve ministrore, të cilat u përkasin shqiptarëve e duhet të bëhen vetëm në përputhje me interesat e shqiptarëve dhe të integrimit, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve. Lëvizja shpreh shqetësim për atë që e cilëson si shpërfillje që po i bëhet përmbushjes së 12 rekomandimeve të BE-së, duke akuzuar qeverinë se po tregohet e paaftë për të ndërtuar komunikim dhe bashkërendim politik me të gjithë aktorët e tjerë politikë dhe institucionalë. Klima politike në Shqipëri mbetet ende e helmatisur nga retorikat boshe dhe zgjidhjet politike që burojnë nga përllogaritje meskine dhe të ngushta të interesave partiake e të grupeve brenda partive apo koalicionit qeverisës. Prirjet për akaparimin e të gjitha pushteteve politike, institucionale dhe kushtetuese po e devijojnë vendin tonë nga rruga europiane, duke rrezikuar seriozisht demokracinë dhe integrimin europian, theksohet në deklaratë. Në deklaratë i bëhet apel qeverisë dhe opozitës që të përmbyllin brenda aftit reformën elektorale, në mënyrë që në vitin 2013 të kemi zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe të përputhura me standardet më të mira europiane. Shqipërisë i nevojiten reforma të thella në Drejtësi, në administratën publike, në luftën kundër korrupsionit, në krijimin e të gjitha kushteve për një qeverisje të pastër, transparente dhe llogaridhënëse. Qeveria, së bashku me opozitën duhet të përmbyllim domosdoshmërisht brenda afatit dhe me përgjegjshmëri të lartë reformën parlamentare dhe reformën elektorale, në mënyrë që në vitin 2013 të kemi më në fund zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe të përputhura me standardet më të mira europiane, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Nano.