E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria, Bode caktoi konsulentin dy muaj pas kushteve

Nënkryetari i grupit të PS, Tahiri

Lotaria, tjetër mashtrim me konsulentin e tenderit.

Tahiri: PS, komision hetimor për procedurat e tenderit.

Thellohet afera me tenderin e Lotarisë Kombëtare. Dokumentet dhe urdhrat e miratuara nga qeveria e Ministria e Financave nxjerrin të zbuluar ministrin Bode.
Në daljen e fundit publike, ministri i Financave theksoi se kushtet e tenderit për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare nuk ishin përcaktuar nga qeveria shqiptare, por nga një kompani e huaj konsulente. Por, dokumentet e afishuara në faqen zyrtare të Ministrisë dhe të firmosura nga vetë ai tregojnë të kundërtën. Procedurat dhe dokumentet janë marrë me vendim qeveri, ndërsa kompania konsulente është thirrur për të ndjekur procesin e tenderit të paktën dy muaj më vonë.
MASHTRIMI
Dy kompani të huaja prestigjioze në fushën e lotarive akuzuan Ministrinë e Financave se kishte organizuar të gjitha procedurat e tenderit, në mënyrë të tillë që të përcaktonin që në fillim fituesin dhe të zvogëlonin në maksimum garën.

Ministri i Financave, Bode

Ministri i Financave u mbrojt në konferencë për shtyp duke thënë se këto dokumente janë hartuar nga konsulenti. Dua të theksoj së pari se Lotaria Kombëtare e një vendi është një biznes shumë specifik. Është një biznes, i cili synohet dhe është objekt i krimit të organizuar, i pastrimit të parave dhe një sërë fenomenesh të tjera. Dua të nënvizoj se asnjë kriter nuk është shtuar nga pala shqiptare. Të gjitha janë propozime të konsulencës ndërkombëtare. Konsulenti ndërkombëtar është kompania suedeze QI OT Consulting. Ky konsulent, që e kemi zgjedhur ne, ka asistuar në procese të tilla, pasi ai asiston vetëm në dhënien e lotarive të licencave kombëtare, tha Bode publikisht në konferencë për shtyp. Por çfarë tregojnë dokumentet. Vendimi për Miratimin e kritereve të vlerësimit të garës, të dokumenteve standarde, dhe strukturës së komisionit të vlerësimit të aplikimeve, për dhënien e licencës për Lotarinë Kombëtare është marrë nga qeveria, më datë 11 janar 2012. Ai mban numrin nr. 25 dhe ka hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Shumë kohë më vonë, më datë 9 mars, ministri Bode firmos urdhrin i cili përcakton se kompania QI OT Consulting zgjidhet si konsulente. Urdhri Për shpalljen e konsulentit që do të ofrojë asistencë gjatë përzgjedhjes së fituesit për Lotarinë Kombëtare ka numër protokolli 11/2 dhe gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë. Qartësisht, kompania me të cilën Bode mbrohet në konferencë për shtyp është zgjedhur kohë më vonë dhe jo për hartimin e dokumenteve, por për ndjekjen e procedurave të tenderit. Ky zhvillim i ri hedh akoma më shumë dyshime për hartimin e kushteve të tenderit, të miratuara me firmën e Bodes. Akuzat e dy kompanive, jo vetëm që nuk u hodhën poshtë nga ministri i Financave, por duket se ky i fundit po e thellon aferën e tenderit të Lotarisë. Në faqen e Ministrisë nuk gjendet asnjë kontraktim tjetër i qeverisë për konsulencë të tenderit të Lotarisë, vetëm urdhri i Bodes, dy muaj pas marrjes së vendimit të qeverisë për caktimin e kushteve, të cilat jo vetëm paragjejnë fituesin, por edhe e falin licencën duke i vënë një çmim prej 3.5 milionë eurosh.
OPOZITA
Partia Socialiste pritet të ngrejë një komision hetimor për të zbardhur aferën e tenderit të Lotarisë Kombëtare. Nënkryetari i Grupit, Saimir Tahiri, deklaroi dje se Partia Socialiste është e angazhuar fuqimisht për ta denoncuar këtë skandal me të gjitha instrumentet, siç është e angazhuar që nesër në qeverisje të vendit të ndryshojmë projektligjin dhe të anulojë licencën private të Kryeministrit për Lotarinë Kombëtare. Grupi Parlamentar i PS-së do të angazhohet me të gjitha instrumentet që njeh Rregullorja në lidhje me denoncimin e Lotarisë Kombëtare. Do angazhohemi me të gjitha instrumentet, duke përfshirë pa dyshim edhe komisionin hetimor. Tahiri shkoi më tej, duke theksuar se pas ardhjes së PS-së në pushtet, kjo e fundit do të ndryshojë ligjin. Do ia rikthejmë Lotarinë Kombëtare qytetarëve, që të ndodhi siç ndodh në çdo vend europian, ku operatori merr pjesën minimale të fitimit dhe publiku rimerr mbrapsht në disa vende 90%, në disa 80% të fitimit për tu përdorur për politikat sociale, për politikat e rinisë dhe politikat e sportit.

Lotaria, Bode-Ramës: Ja sa para fitojmë
Ministria: Kompania fituese do paguajë taksat dhe do shpërndajë 50% të xhiros

Reagon kreu i PS: Analiza e taksimit të Bodes, qesharake

Kreu i PS, Rama

Ka vijuar në çështje teknike debate i hapur vetëm dje nga kreu i PS-së për tenderin e Lotarisë Kombëtare. Në një reagim zyrtar dje paradite, ministri i Financave ka sqaruar se nga dhënia e licencës shteti nuk merr vetëm 10%, por shumë më tepër. Një ditë më parë, kreu i PS-së kishte deklaruar në një dalje televizive se nga dhënia e licencës 10- vjeçare për Lotarinë shteti merr vetëm 10%. Ai shtoi se kur PS të vijë në pushtet do të marrë deri në 90% të parave nga ky aktivitet, për tua shpërndarë shqiptarëve. Por, Ministria e Bodes dha dje një tjetër logjikë financiare.
MINISTRIA E BODES
Operatori që do të licencohet për Lotari Kombëtare do të paguajë: tatimfitimin në masën 10%; taksat lokale; TVSH 20% për çdo blerje; 10% mbi çdo divident që do të tërheqë; do të paguajë 10% si tatim të mbajtur në burim ndaj çdo çmimi që do të shpërndajë, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore për të punësuarit, si çdo biznes normal në Republikën e Shqipërisë. Në shtesë të saj ky operator do të paguaje 10% të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj buxhetit dhe publikut për të drejtën për të zhvilluar këtë lojë, 0,5% të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj institucioneve shtetërore për monitorimin që ata do ti bëjnë dhe mbi të gjitha, do ti kthejë publikut të paktën 50% të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve. E ftojmë kryetarin e opozitës që të bëjë dhe një herë llogaritë për të parë nëse do jetë publiku, buxheti që marrin thuajse 90% të të ardhurave, apo kompania.
REAGIMI NË TWITER
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës në rrjetin Twiter. Jo z.Bode, e drejta e publikut në Lotarinë Kombëtare nuk vlen sa taksat që do paguajnë klientët tuaj pas privatizimit kriminal të saj. Është një shembull kriminalizimi i pacak i vendimmarrjes qeveritare! Lotaria Kombëtare është një lojë ku publiku merr pjesë jo për të pasuruar klientët e pushtetit, por për të marrë mbrapsht përfitimet prej saj. Ah, z.Bode na kujtoi se nga grabitja e të drejtës publike për hesap të klientëve të pushtetit shteti përfituaka TVSH e tatimfitimin! Qesharak!, përfundon Rama deklaratat e tij në Twitter.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›