Topalli nuk i nis Topit ligjin e akcizave, pret Nishanin President
Topi dekreton ligjet e datës 24 dhe 31 maj, mungojnë akcizat dhe tatimet. Kuvendi: Në proces zbardhjeje.
Ligji i votuar nga 68 deputetë mbahet në Kuvend në pritje të Nishanit.
Kuvendi i Shqipërisë, që prej një muaji mban të bllokuar ligjin Për akcizat në Republikën e Shqipërisë.
Ligji në fjalë është miratuar në datën 24 maj, së bashku me ligjin për procedurat tatimore, që kaluan vetëm me votat e deputetëve të PD-së, pasi opozita në Kuvend nuk ka pranuar të jetë pjesë e procesit, duke hequr kartat e votimit dhe duke e lënë maxhorancën pa kuorumin e 71 deputetëve në sallë. Ligji për akcizat, edhe pse është miratuar nga të djathtët, nuk figuron në listën e ligjeve të dekretuara në datën 15 qershor nga Presidenti i Republikës në detyrë, Bamir Topi. Në faqen zyrtare të Presidencës, ku janë ekspozuar dekretet e kreut të shtetit për ligjet e miratuara nga Parlamenti bie në sy mungesa e dy dekreteve, përkatësisht dekretit me numër 61 dhe 62. Dekreti me numrin 60 përkon me ligjin e miratuar në të njëjtën seancë me atë të datës 24 dhe është ligji Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, ndërsa dekreti 59 përmban dekretimin e ligjit Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e kulturës. Kapërcimi i dekreteve dhe lënia e dy ligjeve të miratuara pa kuorum në seancën e 24 majit është e qartë dhe duket qëllimshme, pasi për dekretim janë çuar ligjet e seancës së zhvilluar më datë 31 maj. Ndërkohë që Parlamenti ka çuar për dekretim dhe ligjin e Peshkimit, që është miratuar në seancën e datës 31 maj dhe që ka marrë dekretin e Presidentit numër 64. Avullimi i dy nismave ligjore bie në sy dhe në kërkimet e realizuara në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Në listën e ligjeve të miratuara këtë sesion parlamentar, vihet re qartë që dy nismat ligjore nuk janë përfshirë në listën e ligjeve të miratuara nga Kuvend. Ashtu si në rastin e kapërcimit të ligjeve të dërguara për firmosje te Presidenti edhe në faqen zyrtare të Kuvendit vihet re që ligji i akcizave dhe ai i procedurave tatimore mungojnë.
Parlamenti
Panorama ka kontaktuar me Drejtorinë Legjislative të Kuvendit të Shqipërisë për të mësuar arsyet përse këto dy ligje që janë miratuar rreth një muaj më parë nuk janë dërguar për dekretim te Presidenti i Republikës. Përgjigja ka qenë e vakët dhe jo shteruese, pasi zyrtarët të Kuvendit janë shprehur se nisma ligjore ka qenë në proces zbardhjeje nga ekspertët dhe si e tillë nuk mund të çohej për pëlqimin e kreut të shtetit Bamir Topi. Ne ju kemi dhënë dhe një përgjigje më parë dhe ju kemi thënë që ai ligj ka qenë duke u zbardhur dhe nuk kam gjë tjetër çfarë të them. Ai ka qenë një ligj kompleks, me një numër të pafundmë kodesh tarifore dhe ka qenë duke u zbardhur, shprehet për Panorama drejtori i Legjislacionit, Lulëzim Lelçaj.
Bllokimi
Zhdukja e dy nismave ligjore, asaj të akcizave dhe ligjit për procedurat tatimore që kaluan në datën 24 maj me 68 vota pro, nuk janë dërguar nga Parlamenti për tu dekretuar dhe më pas për të marrë fuqi ligjore. Burime nga maxhoranca bëjnë të ditur për Panorama se kjo zvarritje e kalimit të ligjit të akcizave dhe procedurave tatimore në sitën e dekreteve presidenciale vjen për shkak të druajtjes së kthimit mbrapsht të ligjit nga ana e kreut të shtetit Bamir Topi. Kthimi mbrapsht i këtyre ligjeve nga Presidenti në detyrë do ti krijonte sërish ankthin e votave të munguara në Parlament dhe si e tillë, demokratët janë në pritje të marrjes së detyrës nga ana e Presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani.

Faqja zyrtare e Presidencës ku mungojnë dekretet e dy ligjeve të akcizave dhe procedurave tatimore.

Faqja në internet e Parlamentit, ku mungojnë dy ligjet e miratuara
Votimi i akcizave
Në datën 24 maj, gjatë votimit në Kuvend të ligjit të akcizave, maxhoranca ka mbetur me 68 vota në Parlament për shkak të largimit nga salla të deputetëve të LSI-së dhe PDIU-së. Në këto kushte, opozita ka tërhequr kartat e votimit duke lënë shumicën parlamentare vetëm me 68 vota gjatë votimit të ligjit Për akcizat, i cili është miratuar vetëm me votat e PD-së, pa kuorumin e nevojshëm të 71 deputetëve në sallë.
Bushati: Ligji i akcizave i pavlefshëm, u votua pa kuorum

Ditmir Bushati
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, deklaroi dje se ligji për akcizat nuk ka marrë fuqi ligjore për shkak të votimit pa kuorum të zhvilluar nga maxhoranca. Gjatë një prononcimi për Panorama, Bushati theksoi se kryetarja e Kuvendit po godet procesin e integrimit me miratimin e ligjit në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Parlamentit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kreu i Komisioni të Integrimit theksoi se Parlamenti, me mosdërgimin për dekret te Presidenti Bamir Topi kryen një shkelje kushtetuese. Së pari, do të thosha që projektligji për akcizat nuk është miratuar, sepse nuk ka marrë votat e nevojshme që parashikon Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit në përputhje dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe e dyta, ky është një tjetër akt që tregon se jeta parlamentare në Shqipëri nuk është në binarët që kërkon Kushtetuta dhe procesi i integrimit europian dhe më posaçërisht, prioriteti 1 nga 12 prioritetet që Bashkimi Europian ka listuar për Shqipërinë në mënyrë që të merret statusi i vendit kandidat dhe të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. E treta, vazhdon që të shpërfillet Presidenti i Republikës në detyrë, duke shkelur të gjitha normat kushtetuese dhe mbi të gjitha, transparencën e domosdoshme për funksionimin e jetës parlamentare, deklaroi Bushati.
Zbardhet për pak orë debati Rusmali-Gjiknuri
Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë ka zbardhur dy ditë më parë në kohë rekord procesverbalin e mbledhjes së Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë që ligji i akcizës, që është miratuar një muaj më parë, sipas Kuvendit të Shqipërisë është ende në proces pune për të realizuar zbardhjen e tij. Ndërsa të premten, mbledhja e Komisionit të Reformës ka nisur punimet në orët e para të paradites dhe në drekë. Procesverbali i tij, që është 11 faqe, ka qenë i gatshëm dhe në dispozicion të deputetëve. Po në faqen zyrtare të Parlamentit vihet re se stafet teknike kanë