“Integrimi, mbi çdo interes partiak”
Lëvizja Nano, apel politikës
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve apeloi dje që “Qeveria dhe Opozita duhet të përmbyllin domosdoshmërisht brenda afatit dhe me përgjegjshmëri të lartë, reformën parlamentare dhe atë elektorale, në mënyrë që në vitin 2013, të kemi zgjedhje të lira, të ndershme, të pa kontestuara dhe të përputhura me standardet më të mira europiane”.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në vend, që ta ngrenë axhendën e integrimit europian të Shqipërisë përmbi çdo kalkulim, retorike apo interes të ngushte partiak apo vetjak.
Sipas kësaj Lëvizje, axhenda e integrimit duhet të ngrihet mbi çdo retorikë apo interes partiak.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve shprehet se ka një vizion dhe angazhim të fortë, për të ndërtuar klimën dhe kulturën e duhur politike dhe institucionale që nxit dhe ndihmon përparimin e axhendës së integrimit europian të Shqipërisë.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialisteve thekson se synon të shndërrohet në një burim nismash dhe platformash politike të cilat do të kërkojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e gjithë shoqërisë shqiptare, të të gjithë aktorëve e faktorëve politikë e civile, vendimmarrës apo ndikues në vendimmarrje. “Në këtë 100 vjetor të Shtetit Shqiptar të gjithë kërkohet të ndërgjegjësohemi se Qeveria dhe Opozita janë jo instrumente të Kryetarëve apo klaneve politike ndërluftues për interesa partiake apo vetjake, por janë instrumente të qytetarëve shqiptarë për ta bërë vendin tonë një vend të denjë Europian”.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve shpreh vendosmërinë për ta konkurruar këtë klasë politike dështake e ndryshuar këtë kulturë, mendësi e sjellje të gabuar, dëmtuese dhe ndëshkuese për shqiptarët.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve shpreh vendosmërinë për të qenë në krye të të gjitha reformave e sfidave politike, për ta bërë integrimin europian të Shqipërisë një realitet të prekshëm dhe të arritur me dinjitet.