E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama s’di as të lexojë ligjin e as të bëjë llogaritë”

24-06-2012 / Gazeta 55

Lotaria Kombëtare, Financat: PS ka interesa klienteliste

Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e liderit socialist, Edi Rama për lotarinë kombëtare në lidhje me procedurat që po ndiqen dhe përfitimet që do ketë buxheti i shtetit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Financave i ka kërkuar liderit të opozitës dhe partisë që ai drejton të njihen me ligjin përpara se të bëjnë deklarata publike.
“Në përpjekjen e radhës për të baltosur një nga proceset më transparente të zhvilluara deri më sot, kryetari i opozitës, dje, para të gjithë publikut, në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme, tha se 90 për qind e të ardhurave nga lotaria shkojnë për kompaninë private dhe se vetëm 10 për qind shkojnë për buxhetin e shtetit dhe publikun”.
Lidhur me këtë Ministria e Financave i kujton edhe një herë kreut të PS-së se “nëse e ka pasur të pamundur që të lexojë ligjin, atëherë për atë, por mbi të gjitha për ata që duan të dinë të vërtetën”, vlerësohet në deklaratën për shtyp.
Duke cituar detajet e ligjit për lotarinë kombëtare Financat thonë se:
Operatori që do të licencohet për lotari kombëtare do të paguaje tatim-fitimin në masën 10 për qind, taksat lokale, TVSH 20 për qind për çdo blerje, 10 për qind mbi çdo dividend që do të tërheqë, do të paguajë 10 për qind si tatim të mbajtur në burim ndaj çdo çmimi që do të shpërndajë, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore për të punësuarit; si çdo biznes normal në Republikën e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave bën gjithashtu me dije se në shtesë të saj ky operator do të paguajë 10 për qind të xhiros se tij bruto si detyrim ndaj buxhetit dhe publikut për të drejtën e zhvillimit të kësaj loje, 0,5 për qind të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj Institucioneve shtetërore për monitorimin që ata do t’i bëjnë dhe mbi të gjitha, do t’i kthejë publikut të paktën 50 për qind të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve.
Në mbyllje të deklaratës për shtyp, Ministria e Financave i ka bërë thirrje liderit socialist të mos bëjë deklarata që flasin në vija të kundërta me ligjin.
“E ftojmë kryetarin e opozitës që të bëjë dhe një herë llogaritë për të parë nëse do jetë publiku apo buxheti që marrin thuajse 90 për qind të të ardhurave, apo kompania? Në fakt, ne nuk kemi asnjë dyshim që opozita di ta lexojë ligjin, por dyshonim që do të arrinte deri aty sa për interesat e saj tërësisht klienteliste të dilte publikisht të mashtronte shqiptarët edhe pse ligji thotë krejt të kundërtën. Ministria e Financave, edhe njëherë siguron opinionin publik se ky proces është zhvilluar dhe do të përfundojë në mënyrë krejtësisht transparente; me asistencën e ekspertëve të rekomanduar nga Organizata e Lotarive Shtetërore Europiane dhe konsulencën e një prej kompanive më të mirënjohura dhe me eksperiencë në këtë fushë. Ne garantojmë që interesi publik, si ai për lojë të përgjegjshme dhe ai financiar, do të jenë baza e këtij aktiviteti”, ka sqaruar Ministria e Financave. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›