Akcizat, ekspertët: Në votim duhen të paktën 71 deputetë

Foto e votimit të ligjit të akcizave më 24 maj në Kuvendin e Shqipërisë
Tre kostitucionalistë interpretojnë votimin me 68 vota.
Ibrahimi: Nëse e votuan vetëm 68 deputetë, ligji nuk është miratuar, veprimi është nul.
Votimi i ligjit Për akcizat në Republikën e Shqipërisë një muaj më parë në Parlament, vetëm me 68 vota pro të shumicës parlamentare, ka çelur një debat për vlefshmërinë e këtij procesi për shkak të mungesës së kuorumit të 71 deputetëve të pranishëm në sallë.
Gazeta Panorama ka kontaktuar dje me disa prej konstitucionalistëve më të njohur në vend, për të marrë prej tyre interpretimin ligjor nëse votimi në Kuvend, vetëm me votat e 68 deputetëve të PD-së, mund të cilësohet ligjor apo jo. Rasti i heqjes së kartave të votimit nga ana e deputetëve të opozitës, ka bërë që në tabelën elektronike të Kuvendit të figurojnë vetëm 68 deputetët e djathtë, të cilët kanë miratuar të vetëm ligjin e akcizave. Për profesor Luan Omarin, konstitucionalistin e njohur, çdo votim në Parlament kërkon në sallë një shumicë prej 71 deputetësh, që procesi i votimit të quhet i vlefshëm. Ndërsa, për profesorin Rustem Gjata, Kushtetuta nuk parashikon rastet e heqjes së kartave të deputetëve. Për zotin Gjata, në çdo rast votimi quhet i kryer kur në sallë janë të pranishëm minimumi 71 deputetë, pavarësisht qëndrimit të tyre nëse votojnë apo jo dhe në raste të tilla një ligj mund të miratohet edhe me 36 vota pro. Nga ana tjetër, konstitucionalisti Gent Ibrahimi shprehet se votimi vetëm me 68 vota e deputetëve të shumicës e bën ligjin e akcizave nul dhe të pavlefshëm juridikisht. Ibrahimi thekson se edhe mosdërgimi për dekretim te Presidenti, përbën shkelje të parimeve ligjore, ndërsa e quan gjestin e maxhorancës si taktikë për ta kaluar për dekretim në një kohë të dytë kur pritet të marrë detyrën Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani.
Luan Omari: Ndryshe nga ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, ligjet e tjera kërkojnë një shumicë të thjeshtë, pra 50+1 të votave në Parlament ose 71 deputetë. Nëse maxhoranca ka pasur shumicën prej 73 deputetësh, atëherë quhet një ligj i vlefshëm edhe pa prezencën e opozitës. Unë mund të flas në parim, pra në qoftë se pa opozitën në Kuvend kanë qenë të pranishëm 71 deputetë dhe është bërë votimi, atëherë rezultati është i ligjshëm, në qoftë se ka qenë një situatë e tillë. Ndërsa, për sa i përket afatit të dërgimit nga Kuvendi në Presidencë për dekretim, kjo varet nga Kryesia e Kuvendit, nuk ka ndonjë afat në Kushtetutë për këtë çështje, ndërsa nëse ka apo jo Rregullorja, nuk më kujtohet.
Gent Ibrahimi: Kuorumi është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e jetës parlamentare dhe është një kusht pa të cilin nuk mund të zhvillohet veprimtaria legjislative dhe në rast se vërtetohet se kuorumi mungon, asnjë lloj veprimtarie nuk është e mundur. Çdo ligj i miratuar në kushtet e mungesës së kuorumit është i pavlefshëm. Në rast se në sallë janë ngritur ato 68 duar, apo butona, atëherë rezultati quhet i vlefshëm nëse ka pasur 71 deputetë. Në rastin dhe situatën që ka ndodhur, pra që në sallë nuk kanë qenë 71 deputetë, ose me saktë nëse kanë bërë veprimin e heqjes së kartave të votimit, rezulton se ata faktikisht nuk janë të pranishëm në votim, pra përkundrejt saktësisë së këtij fakti, në rast se në atë sallë nuk ka pasur 71 deputetë, atëherë votimit që është kryer është nul dhe ligji nuk është miratuar.
Lidhur me afatin e dërgimit të ligjit nga Kuvendit për dekretim tek institucioni i Presidentit mund të them se, mesa duket, ka një mungesë rregullash procedurale, se po të kishte rregulla të tilla, të cilat do të saktësonin që brenda X ditësh nga miratimi i ligjit duhet që të dërgohet për dekretim, atëherë problemi do të ishte i thjeshtë. Nga mungesa e këtyre rregullave procedurale përfitohet dhe abuzohet me raste të tilla. Ndoshta ata vetë që e kanë miratuar ligjin, kanë një pasiguri për vlefshmërinë e këtij ligji dhe mesa duket fakti që nuk e dërgojnë për dekretim është dhe një mënyrë e tyre për të reflektuar, e kuptojnë dhe kanë një pasiguri për fatin e atij ligji. Pikërisht, për shkak të mungesës së kuorumit, preferojnë ta kalojnë me një Presidentet më bashkëpunues. Problemi është se a përbën shkelje të ligjit, apo jo? Kam frikë se nuk përbën shkelje të ligjit, sepse procedura parlamentare nuk ka një afat për dërgimin e ligjeve për dekretim, sepse po të kishte, do të kishte qenë shkelje flagrante. Fakti që maxhoranca po e mban ende dhe nuk po e çon për dekretim, do të thotë që ska ndonjë afat në procedurën parlamentare, kështu që do të thosha nuk është shkelje e ligjit në mënyrën elementare të fjalës, por është shkelje e parimeve mbi të cilat bazohet bërja e ligjeve.
Rustem Gjata: Kushti themelor për të votuar është që në Parlament duhet të jenë jo më pak se 71 deputetë. Dhe për të miratuar një ligj të zakonshëm, jo ato me 3/5-tat, ligji i zakonshëm për tu miratuar kërkon jo më pak se gjysmat e votave, pra mund të miratohet dhe me 36 vota. Mjafton që të jenë të pranishëm 71 deputetë, se çfarë qëndrimi mbajnë, se abstenojnë apo nuk votojnë. Kushtetuta kërkon që të jenë 71 deputetë dhe kushti i dytë është që shumica e tyre, pra gjysma plus 1 e tyre, që del 36 deputetë të votojnë pro një ligji dhe ai quhet i vlefshëm. Kushtetuta kërkon praninë e 71 deputetëve. Në qoftë se je i pranishëm, ka parasysh praninë e tij, voton apo jo, ose bën veprime të tjera që heq kartën, ato nuk merren parasysh, pra mjafton të jenë të pranishëm në hapjen dhe në fillimin e votimit. Heqja e kartave është veprim që nuk është marrë parasysh në Kushtetutë. Unë kam qenë në Austri dhe ka pasur një veprim të tillë nga një parti politike, atje automatikisht bëhej prania për gjysmën plus një dhe morën pjesë në seancën, pavarësisht se çfarë bëjnë deputetët, mjafton që nga ato 71 deputetët, dhe ligji të marrë 36 vota dhe quhet i miratuar. Kjo çështje është diskutuar në shumë vende, për mënyrën se si mund të miratohet një ligj me 36 vota, kjo është një praktikë që është pranuar në shumicën e vendeve. Ndërsa për afatin që ka në dispozicion Kuvendi për të çuar një ligj që të marrë dekretin e Presidentit, unë nuk e kam parasysh Rregulloren, që kështu nuk mund të them gjë. Ajo është një çështje e Parlamentit, ndodh kur është një çështje shumë teknike për korrigjimet që mund të bëhet. Italia kishte katër juristë që pasi miratohet ligji në Parlament, ata shikonin dhe bënin verifikime dhe korrigjime në rastet kur mund të kishte gabime, sidomos kur ishin ligje me shumë probleme teknike.
Ligjet e bllokuara
1- Ligji Për akcizat në Republikën e Shqipërisë2- Ligji Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.
FATION BINJAKU