E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levizja Nano Rama refuzon te sqaroje bazen socialiste

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një takim me dyer të mbyllura që ka pasur me të drejtuesit e degëve dhe organizatave bazë në Shkodër dhe Malësinë e Madhe ka refuzuar tu përgjigjej pyetjeve që kishin të bënin me Lëvizjen më të fundit të ndërmarrë nga ish-kryetari Fatos Nano. Raportohet se krerët lokalë të PS-së, kanë kërkuar informacione dhe sugjerime nga kryetari Rama mbi sjelljen e tyre në vijimësi, në raport me organizimin dhe shtrirjen e Lëvizjes Nano në të gjithë vendin. Ata kanë qenë të drejtpërdrejt në pyetjet dhe qëndrimet e tyre, duke nënvizuar nevojën për një orientim nga lidershipi i partisë. Por, mësohet se Edi Rama nuk ka dhënë asnjë përgjigje konkrete, duke anashkaluar temën e diskutimit. E vetmja gjë që kryesocialisti ka thënë në këtë mbledhje ka pasur të bëjë me nevojën për organizimin më të madh, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Rama u ka kërkuar drejtuesve lokalë të zhvillojnë sa më shumë takime me elektoratin e majtë në zonë, duke u shpjeguar programin politik, me të cilin Partia Socialiste do të prezantohet në zgjedhje. Gjithashtu, duke u përqendruar tek puna organizative, Rama ka kërkuar edhe rritjen e numrit të anëtarësisë.
Pas takimeve në rrethet veriperëndimore të vendit, pritet që Edi Rama të zhvillojë gajtë fundjavës takime në Korçë dhe Pogradec. Qëllimi i këtyre takimeve është organizimi i bazës për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që shqetësimi kryesor i anëtarësisë socialiste mbetet qëndrimi që ata do të duhet të mbajnë në raport me Lëvizjen Nano, për të cilën deri më tani, Rama ka heshtur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›