Lëvizja Qytetare Zgjohu: Kosova, jo negociata me Serbinë

Shkup, 30 gusht, NOA - Lëvizja Qytetare Zgjohu! ka dalë kategorikisht kundër zhvillimit të negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë rekomanduar dhe nga një raport i fundit i Grupit Ndërkombëtar i Krizave.
Lëvizja Zgjohu në një deklaratë të bërë sot për mediat në Shkup konsideron se raporti i fundit i organizatës International Crisis Group për Kosovën dhe veriun e saj, ku theksohen tre masa për zgjidhje të problemit: plani i Ahtisarit, autonomia dhe shkëmbimi i territoreve, si dhe paralajmërimet për bisedime me Serbinë janë absolutisht të papranueshme për të gjithë shqiptarët në rajon.
Sipas Zgjohu ato dhe paraqesin një proces kryekëput tendencioz me pasoja mbi gjithë rajonin që bie ndesh me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar të cilat u konfirmuan edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Lëvizja Qytetare ZGJOHU! kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe të gjithë politikanët në Kosovë që mos të pranojnë në asnjë mënyre bisedime me Serbinë rreth statusit të Kosovës, të komunave në Kosovë, trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës si dhe të pakicave kombëtare në territorin e Republikës së Kosovës të cilat ushtrojnë të drejtat më të avancuara të pakicave në gjithë Evropën.
Çdo tendencë për bisedime rreth çështjeve të lartpërmendura si dhe riformulimit të territorit të Kosovës ose të komunave të saj ka pasoja mbi gjithë rajonin dhe duhet theksuar që proceset rreth çështjeve jetike të Kosovë nuk mund të ndërmirrën pa përfshirjen edhe të shqiptarëve në Shqipërisë, Maqedoni, Mal të Zi, luginë të Preshevës dhe Çamëri, thuhet në deklaratën e dhënë nga drejtuesit e Lëvizjes Qytetare Zgjohu.
a.k/NOA/INA