E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubi Kombëtar Shqiptar: Jo bisedime të imponuara për pavarësinë e Kosovës

Tiranë, 30 gusht, NOA Përfaqësuesit e Klubit Kombëtar Shqiptar përmes një deklarate për shtyp kanë shprehur kundërshtimin ndaj çdo lloj bisedimi të imponuar që nuk merr parasysh pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur dhe që cenojnë në çfarëdo mënyre tërësinë territoriale të saj.

Hedhim poshtë idetë e kohëve të fundit për avancim të mëtejshëm të statusit të komunitetit serb të Kosovës duke shkelur dispozitat kushtetuese dhe duke i ofruar Serbisë pjesë të territorit të Kosovës. I deklarojmë këto ide tërësisht të papranueshme dhe të pakuptueshme, thuhet në këtë deklaratë.

Duke shtuar se anëtarësia e këtij organizmi shprehet mjaft e shqetësuar për përpjekjet e kohëve të fundit për t'i imponuar udhëheqjes së Kosovës rihapjen e bisedimeve rreth statusit nëpërmjet lëshimeve shtesë ndaj Serbisë.

Duke marrë parasysh shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 në përputhje me vullnetin e 95% të popullsisë së Kosovës dhe duke vërejtur se Gjykata Ndërkombëtarë e Drejtësisë ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe aktet ndërkombëtare me të cilat është administruar Kosova deri në pavarësimin e saj, ritheksojmë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe tërësia territoriale e saj do të mbrohet me çdo mjet nga shqiptarët kudo që ata jetojnë, përfundon deklarata në fjalë.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›