Reagimi/Kryeministri Berisha s’ka kryer asnjë negociim për dorëzimin e autorit Muka

Zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli, përgënjeshtroi dje publikisht lajmin e botuar në një të përditshme në vend, sipas të cilave kreu i qeverisë dhe dy deputetë të Vlorës, kanë negociuar për dorëzimin në Polici të Ilir Mukës, autorit të aksidentit në Himarë, ku mbeti i vdekur shtetasi Aristotel Guma. Sipas zëdhënëses së kryeministrit, lajmi është thjesht një sajim dhe tërësisht i pavërtetë. Ajo vuri në dukje se kryeministri Berisha përveç deklaratës publike për dënimin e aktit dhe kërkesës ndaj organeve të rendit për gjetjen dhe vendosjen para ligjit të autorit të krimit nuk ka bërë asnjë hap tjetër siç pretendon e përditshmja. Javën e kaluar, si pasojë e një aksidenti në zonën bregdetare të Himarës mbeti i vdekur shtetasi Aristotel Guma, ndërsa shkaktari i ngjarjes u identifikua 20 vjeçari nga Vlora, Ilir Muka, i cili u vetëdorëzua në Polici.
Megjithë përpjekjet e qarqeve të ngushta tendencioze, për të politizuar ngjarjen, bashkë ndihmën e një pjese të shtypit të shkruar, aksidenti i Himarës u dënua njëzëri nga opinioni publik, ashtu siç mund të dënohet çdo humbje e jetës njerëzore.