E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja ZGJOHU apel KQZ: Bashkitë të marrin përgjegjësitë, e të ndajnë për posterat

Lëvizja ZGJOHU ka reaguar përballë billbordeve të posterave të Edi Ramës dhe Erion Veliajt duke i kërkuar Bashkisë Tiranë dhe të gjitha Bashkive dhe komunave të Shqipërisë, që të ndajnë hapësira të barabarta reklame në bazë të udhëzimit të KQZ-së për çdo parti politike. Jam përballë posterave të Kryetarit të Bashkisë, i cili ka zënë hapësirat kryesore të qytetit të Tiranës për veten e vet dhe miqtë e tij të afërt dhe nuk ka kryer një planifikim dhe ndarje të drejtë të hapësirave për reklama duke u bërë një shkak tipik përplasjesh midis aktivistëve të partive,ashtu siç ndodhi të premten në një tjetër zonë, ku një qytetar u vra për shkaqe krejtësisht absurde dhe të panevojshme, ka deklaruar avokat, Altin Goxhaj përballë billbordeve të mëdha të pushtuara 100% nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, në mes të Tiranës. Sipas tij, nëse çdokush do të kishte marrë përgjegjësitë që përcakton ligji dhe organet e pushtetit lokal, do të kishin marrë masat për të ndarë në mënyrë të drejtë hapësirat për të gjitha palët, atëherë do të reduktohej edhe numri i incidenteve dhe përplasjeve të kota elektorale. Nisur nga vrasja e qytetarit Artan Zeka, për shkak të posterave, ai ka theksuar se ka raste të shumta, që aktivistë të partive politike po përplasen për pak hapësirë më shumë. Avokati Goxhaj ndër të tjera ka shtuar se ky kaos elektoral po tensionon situatën elektorale në mënyrën më të panevojshme dhe shkaktarët janë kryesisht organet e pushtetit lokal në të gjithë Shqipërinë, të cilat nuk kanë krijuar një planifikim dhe monitorim të drejtë të shpërndarjes së barabartë të hapësirave publike. Lëvizja ZGJOHU i kërkon KQZ-së, që të monitorojë nga afër mënyrën se si ndahen dhe monitorohen hapësirat publike nga pushteti lokal ashtu siç bën me televizionet. Më mirë të fillojnë që tani, që edhe të gjitha palët të mbeten të kënaqura në mënyrë që të çtensionohet edhe situata, nënvizoi Goxhaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›