Kuvendi voton rikonfigurimin, zgjedh anëtarët e rinj të KQZ-së

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar dje anëtarët e rinj të komisionit Qendror të Zgjedhje. Nga 7 anëtarë që do të përbëjnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, 3 prej tyre i takojnë Partisë Demokratike, ku kryetar u zgjodh kandidaturat e Arben Ristanit, dy anëtarët e tjerë që u përzgjodhën si anëtarë i takojnë sërish PD-së, dhe ishin ato të Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni. Ndërsa nga Partia Socialiste dy kandidaturat që u përzgjodhën ishin ato të Dëshira Subashit dhe Artan Lazes. Nga propozimet e Partisë Republikane u miratua kandidatura e Klement Zgurit, ndërsa nga PSD u përzgjodh si anëtar i komisionit kandidatura e Pandeli Varfit.
Betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes përpara Presidentit të Republikës. Pas kësaj procedure protokollare komisioni që do të merret tashmë zyrtarisht me administrimin e zgjedhjeve pritet të fillojë punën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009-të, të cilat do të zhvillohen më datë 28 qershor.
Kryetari dhe anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kaluan për votim Kuvendit, pasi Komisioni i Ligjeve zhvilloi një seance dëgjimore për kandidaturat, ku dhe u arrit konsensus për të gjithë emrat e paraqitur. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të viti 2005 kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhej nga 9 anëtarë, këtë vit ai do të përbëhet nga 7 anëtarë.
Po ditën e djeshme Parlamenti miratoi me 106 vota edhe dekretin e Presidentit të Republikës, për emërimin e Admir Thanzës për kreun e Gjykatës Kushtetuese.
I pranishëm në punimet e Kuvendit ditën e djeshme ka qenë edhe Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg, i cili iu drejtua me një fjalë përshëndetëse deputetëve të Kuvendit shqiptar. Çështje të tjera të cilat u diskutuan gjatë seancës së djeshme parlamentare ishin shqyrtimi i disa projektligjeve si ndryshimi i bërë në ligjin "Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë", projektligj i cili hapi debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, çështje rreth së cilës Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dha garancinë e tij se të gjithë qytetarët shqiptarë do të jenë të pajisur me dokumentin e identiteti para zgjedhjeve parlamentare.
Po aq debate shkaktoi dhe ligji "Për akcizat", të ndryshuar, rreth së cilit foli Ministri i Financave Ridvan Bode dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, të cilët pohuan se nuk është e nevojshme të hiqen tarifa subvencionuese për naftën, ky projektligj u miratua me 74 vota pro.
Të tjera projektligje që u diskutuan ishin projektligji për një ndryshim dhe shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”.
...