“Lëvizja për Mendim Ndryshe” rikthehet në Kuvend, në seancën e parë të vitit 2010

Zyrtare/Deputetët e opozitës do thyejnë vendimin e bojkotit të parlamentit Edvin Rama nuk do jetë më në gjendje të kontrollojë në mënyrë të dhunshme opozitën shqiptare dhe deputetët e saj të mandatuar nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Një pseudo politikan dhe që noton në paqëndrueshmëri totale, që ka ngjizur në kolektivitetin opozitar frymën dhe ndjenjën e destabilitetit të tij mendor, duket se ka marrë fund njëherë e mirë. Paralajmërimi vjen nga eksponentë të kryesisë socialiste, të cilët janë të lodhur tashmë duke ndjekur qejfet e pakuptimta dhe për hir të interesave personale të kryesocialistit, pa vetëdijen e tyre, rrezikohen proceset e integrimit. Në seancën e parë parlamentare të 2010-ës, deputetët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe” paralajmërojnë thyerjen e vendimit të bojkotit personal të Edi Ramës, për t’ju bashkangjitur vullnetit dhe iniciativës madhore që qeverisë dhe mazhorancës në rrugën e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi anëtar i “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, Marko Bello, deklaroi dje se ka ardhur momenti që t’i jepet fund bojkotit dhe të mos shkohet më pas tekave personale të Edvin Ramës. “Nuk ka një dokument zyrtar, përfshi dhe kushtetutën e vendit, që është ligji mbi ligjet, të parashikojë bojkotin. Bojkoti është një formë e përkohshme e cila synon një qëllim të caktuar. është përdorur edhe më përpara nga Partia Socialiste në kushte krejt të tjera, në kushte të justifikuara. është përdorur edhe nga Partia Demokratike në kushte të ekzagjeruar. Gjithsesi ka ardhur koha t’i jepet fund bojkotit. Nuk është rruga që na çon atje ku duam të arrijmë. Bojkoti për fat të keq të jep për momentin një lloj mbështetje të militantëve, elektrizon përkohësisht një pjesë të qytetarëve”, u shpreh deputeti Marko Bello. Ai deklaroi qartë se opozita do të kthehet në Parlament në fillim të vitit të ri, të 2010-ës. Bello e cilësoi aksionin politik të opozitës, një histeri kolektive që dëmton interesat e vendit. “Sot dëgjova zëra në PS se është baza ajo që kërkon që ne të ngelemi jashtë parlamentit, por unë do të pyesja; ‘Po roli i elitave dhe udhëheqjes ku është?’ nëse ne duam të themi se kështu na kërkohet dhe ne nuk jemi në gjendje t’i sqarojmë, t’u shpjegojmë njerëzve pse bojkoti është i dëmshëm, pa diskutim që njerëzit do të inkurajonin bojkotin. është e lehtë të vësh të zemëruarin, është e lehtë të bësh qejfmbeturin dhe të braktisësh institucionet, por nuk fiton asgjë. Atëherë duhet kthyer në parlament. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk kam ndërmend të djeg mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, tha Bello, duke shtuar se “pa diskutim që ai dhe kolegët e tij do të vendosin të kthehen në Kuvend. “Shpresoj të jem së bashku me kolegët e mi. Nuk dua të ndodhë ajo që e ka parashikuar shumë bukur Asheku tek libri i tij i famshëm ‘Ushtari i mirë Shvejk’ i cili thoshte dikur ‘mirë që u çmendën të gjithë gjeneralët e perandorisë, por pse u çmendën njëkohësisht’? Nuk dua të ndodhë të kemi një histeri kolektive. Shpresoj që PS të gjejë arsyen për t’u kthyer në parlament. Unë personalisht do të kthehem në parlament”, deklaroi më tej, deputeti Marko Bello....