Lëvizjet në listat e kandidatëve, Rama: Gjithçka për fitoren e zgjedhjeve
Berat- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vendosi që konferencën për shtyp të kësaj jave ta mbajë gjatë udhtimit për në Berat. Në një bashkëbisedim në autobusin e PS-së me gazetarët, ai ka folur për aktualitetin poltik, duke u fokusuar tek lista zgjedhore.
Sa i përket largimit të Erjon Braçes nga Berati ai u shpreh se gjithçka është bërë për fitoren e socialistëve, duke u shprehur i bindur se në 23 qershor në Berat do të fitohen 6 mandate.
Braçe është në frontin e një beteje elektorale në Fier, njësoj si në Berat ne synojmë të marrim maksimumin dhe për këtë arsye Braçe ndodhet aty përkrah Ruçit, Celibashit etj, dhe skuadrës së Fierit. Ju keni nevojë për fabula që tërheqin më shumë telespektatorë dhe lexues, por në këtë rast nuk ka asnjë çudi dhe anomali. Ne jemi skuadër kombëtare dhe secili është pozicionuar aty ku kërkon qëllimi i një fitoreje qark për qark pastaj në gjithë Shqipërinë,- tha Rama.
Ai mori pyetje edhe për numrin e madh të biznesmenëve në lista, duke thënë se nuk ka asgjë të keqe në këtë mes, pasi ata, sipas tij, treguan se dinë të qëndrojnë për tetë vite në opozitë.
I përbuz ata kundërshtarë dhe kritikë, që tregojnë me gisht sipërmarrësit, si të tregonin një sëmundje dhe që e konsiderojnë mekat përfshirjen e tyre në politikë ,- tha ai, duke shtuar se jo të gjithë sipërmarrësit janë abuzivë.
Nëse një grusht janë të tillë, sepse politika në pushtet ka zgjedhur të përziejë detyrën publike me përfitimet private, kjo nuk do të thotë tu qëndrojmë larg sipërmarrësve në politikë,- vijoi Rama.