Zogjtë e Hiçkokut
Roland GJOZA
Prisnim te Pergola, nën bistakët e rrushit, të mëdhenj e të rëndë, që s'lëviznin nga era. Një luzmë grerëzash silleshin mbi kokat tona. Ishte rrush Tajgë dhe Hafiz Ali i zi, i pavjelur që, për çudi, nuk prekej nga askush. Ku e dija unë se aty vinte Dritan Çela, i njohur mes nesh si Tani. Vinte enkas për të parë bistakët e praruar të rrushit mbi tryezat intime, mbi vajzat, mbi të lajthiturit dhe të famshmit e spektakleve… Ishte mbasdite, dielli i madh i kuq, dielli i fundit dukej ende mbi mur me një bukuri tronditëse.
- Tani, ti vjen shpesh dhe shikon bistakët e rrushit. Të pëlqen ky vend?
- S'kam parë bistakë të tillë. Këtu njeriu ndjehet ndryshe. Sikur ka më shumë fat. Vajzat duken më të bukura. Ju, të spektaklit, bëheni më interesantë, unë fitoj siguri më të madhe me Buxatin dhe Pirandelon. Vij dhe kur mbushen portokallet me kokrra të mëdha, të kuqërremta dhe limonat me kokrra tepër të mëdha, të verdha dyllë si qirinj feste. Askush nuk i prek. Kjo është interesante. Përjashta bëhen greva, mitingje, katrahurë e rrëmujë pafund, ndërsa këtu Kopshti i Edenit nuk preket.
- Ti vjen te Kopshti i Edeni, - i thashë.
- Jo si Adam, - më tha dhe qeshi.
- Po pse jo si Adam? - e pyeta.
- Është shumë patetike. S'më pëlqen që e thashë.
- Mua më pelqeu.
- Zoti krijon dhe një vend për ne. Dy hapa më tej ndoshta vrasin dikë. Mbrëmë u vra dikush te piceria Loro Boriçi. Mjafton të shikoj këta bistakë me rrush dhe këto grerëza që s'na thumbojnë dhe e kam gjetur alibinë. Pse jeni mbledhur? Ç'prisni?
- Sonte te pesëmbëdhjetëkatëshi do të xhirohet një skeç i Koço Devoles. Duhet një makinë jashtë serie. Presim. Këtu vijnë shpesh ata tipat që kanë makina të tilla.
- Është duke ardhur.
- Kush?
- Bishtaleci.
- Nga e di ti?
- Ngaqë vij shpesh, e kam parë. Po kam ikur shpejt, se nuk dua të di më tepër. Më pëlqejnë çerekët apo gjysmat e historive. Edhe ata i tërheq bibla e ketij kopshti. Është një mister. Pa dashur, është përkuar me diçka të shenjtë. Dhe, për mendimin tim, ky vend s’e ka jetën të gjatë. Erdhi!
Në lokal u futën tre vetë veshur me të zeza. Bishtaleci ishte biond, mjaft i pashëm, me sy të ëmbël, të qeshur. I gjatë, trupdrejtë, me një ecje të lehtë e të shkathët prej atleti. Kishte flokë shumë të gjatë të mbledhur bishtalec, të lidhur me një fjongo të zezë. Dy të tjerët ishin rrondokopë, nursezë, të paafrueshëm. Pali Kuke u ngrit në këmbë dhe, me mirësjelljen e tij që bënte përshtypje, pyeti se e kujt ishte makina. Ata nuk i kthyen përgjigje. Edhe Koço Devole u drejtoi të njëjtën pyetje, por ata bënë sikur s'e dëgjuan. Në këtë kohë, që s'kam për ta harruar kurrë, Tani i tha shpejt e me njëfarë zhargoni bishtalecit:
- Janë fakirët e televizionit, xhepshpuar, pa një dysh, duan Mercedes-Bencin tënd për një xhirim te pesëmbëdhjetëkatëshi.
- Ta marrin, por me një kusht, të më xhirojnë dhe mua, - tha bishtaleci.
Tani u ngrit dhe iku.
Bishtaleci u kthye nga Pali dhe Koço:
- Artista, dakort, po të më xhironi dhe mua.
Ata nuk e prisnin. Koço tha:
- Kemi gjithë ditën që presim. Qenkemi me fat. Ja dhe makina që kërkonim, e zezë, e madhe, me perde, jashtë serie.
- 120 000 marka, njësh! - tha një nga rrondokopët me bezdi.
- Ti do të luash shoferin, - tha Pali.
- Ç'do të bëj unë?
- Do t'i hapësh derën biznesmenit, Koços.
- Me kënaqësi.
- Koço duhet të na e hapi ne, damblla! - tha rrondokopi tjetër me mllef.
- Lëre, s'ka gjë, kjo ka qenë ëndrra ime, të dal në një film, - tha bishtaleci me njëfarë gëzimi të përmbajtur.
Kaluan ditë. E kishim harruar bishtalecin biond. Tashti ishte muzg. Çuditërisht, mbi pjergullat me bistakë rrushi po lazdronin me hare të krisur një tufë zogjsh. Në dritën e fundit të ditës, ata çukisnin kokrrat e mëdha të rrushit me sqepat e verdhë. Na u kujtua filmi "Zogjtë" e Hiçkokut. Tani mori në dorë një kokërr rrushi të ngrënë përgjysmë. Një kokërr rrushi të zi, të skërfitur, me një farë të madhe brenda me ngjyrën e arit.
- E more vesh, - tha ai, - ata i vranë. Të tre. Brenda në atë makinën. Ka dy ditë që këtu vjen e ëma e bishtalecit, në këtë orë ose pak më vonë, por ajo vjen, megjithatë. S'kam parë nënë më të pikëlluar.
Vërtet, ajo erdhi. Ishte e re, e gjatë, e bukur, e mbështjellë me nje sharp të zi.
- Vjen kur bie errësira.
- Ajo po qan, - thashë unë.
- Qan kur bie errësira, - tha Tani.
- Dhe këta zogjtë, - thashë unë.
- Zogjtë e Hiçkokut, - tha Tani, - është e para herë që i shoh. Ajo e kishte djalë të vetëm. Ai merrej me trafik prostitucioni.
Tani shikonte kokrrën e rrushit. Nxori prej saj farën e madhe dhe e futi në gojë. Unë e pashë me çudi.
- Dua ta mbjell në fyt, - tha duke qeshur, - të më vijnë dhe mua zogjtë e Hiçkokut. Të vuash për tjetrin është detyrë, të vuash për këtë nënë është edhe art.
Isha betuar të mos i harroja ato fjalë të trishtme, tejet poetike, të thëna pikëllueshëm në atë Kopsht Edeni, ku vinin njerëz dhe fantazma.
Tani u ngrit dhe iku. E pashë atje te dritarja, ku hodhi një shikim të shpejtë brënda me një sy të madh kureshtar dhe nxitoi drejt derës prej hekuri. Atë e priste hëna përjashta. Po ajo hënë që nga koha e Adamit. Sikur ta merrte dhe të ikte bashkë me të, nuk do të më vinte çudi. Ai ishte një djaloç i drojtur, që ndoshta priste natën të qante në errësirë. Më shumë për artin. Për zogjtë e Hiçkokut.
Brenda ishte Pali Kuke me atë gruan.
- Faleminderit, - i tha ajo, - sa bën?
- Asgjë, të lutem, mos e përsërit.
- Ai ishte aq i mirë, i dashur, s'i bënte keq as mizës, pse o Zot, pse o Zot më dënove kaq shumë. I thoja, prije bishtalecin, se të shkon aq shumë, hiqe kordelen e zezë, se ndjell keq, po ai qeshte, vetëm qeshte si çupkë.
Pali i kishte lënë mbi tavolinë kasetën e filmit, ku ai, djaloshi biond me bishtalec, del nga makina dhe i hap derën Koços. Kaq.
Ajo nuk qante më. Konjaku që kishtë pirë e kishte mbledhur pak. I shkëlqenin sytë me një ndriçim të thellë, që pikonte brenda. Kishte qepalla të mëdha, qerpikë të gjatë që lëshonin hije, duar elegante, gishtërinj të gjatë, të thatë, sapak nervoze e sensuale. Gjysmën e kokës prapa dhe supet e gjera ia mbulonte sharpi i zi.
- Mos e teprova, qëndrova gjatë… e kam humbur… më falni… po ju ma keni parë djalin herën e fundit… më falni, para se të ngrihem, dua t'ju pyes, a ishte i lumtur që po e xhironit?
- Ishte shumë i lumtur.
- Aktrimi ka qenë ëndrra e tij… po edhe imja… edhe imja.
Atje më tej ishte Tani, në këmbë, me një vështrim të çuditshëm. Ishte kthyer prapë. Jo, atij njeriu nuk i shpëtonte asgjë. Rrinte te banaku dhe i vinte veshin bisedës. Përjashta në kopsht, në dritat e zbehta si qirinj, dukeshin turbullt zogjtë që çukisnin kokrrat e mëdha të rrushit. Ishte një natë mbytëse, tejet blu. Gruaja doli. Tani e ndoqi nga pas.
- Zonjë, - pëshperiti ai.
Ajo ndaloi, ktheu kokën, kapi me dy gishtërinj fundin e sharpit të zi dhe e vuri në buzë.
- Unë kam zërin e djalit tuaj.
- Zërin e tij?
- Atë ditën e xhirimit, kur ai tha se e kishte patur ëndërr të bëhej aktor, të luante filma. E kam sjellë me vete.
Ajo qau. Ajo qante qetësisht kur binte errësira. Ishte koha e trishtimit të një nëne, që kishte humbur të birin. Të birin e vetëm, që s’e preu bishtalecin dhe nuk e hoqi kordelen e zezë, që i jepte aq hir dhe ndillte të keqen.
- Zonjë, kjo që po ju jap, është lutja ime dhe një qiri i shenjtë, që do të ndizet vetiu sa herë do ta dëgjoni.
- Faleminderit… shumë faleminderit. Si ju quajnë?
Ai ia tha emrin. Ajo e bekoi. E bekoi nën ata zogj të tërbuar, të zinj, që çukisnin pa pushim bistakët e mëdhenj të rrushit.
- Mos vuani kaq shumë, ju vuani…, - i tha ajo.
- Ç'thoni, zonjë!
- Mos ndillni për keq.
Ajo u kthye dhe iku. Ai iku pas saj. Ajo qante në errësirë. Ai mendonte për stilin e vështirë të Pirandelos. Ajo fshinte me fundin e sharpit të zi lotët e nxehtë. Ai mendonte për zogjtë e Hiçkokut dhe qeshte. Tani qeshte shumë bukur, më bukur se Pirandelo dhe Buxati. Ai ende qesh, që të mos ndjellë keq.
19 Maj 2008