Leximi grek i liberalizimit
Greqia vazhdon me një praktikë jonormale në raport me shqiptarët që synojnë të kalojnë kufirin me pasaporta biometrike. Kjo, ngase vetëm emigrantët shqiptarë me leje qëndrimi mund të kalojnë në doganën e Kakavijës drejt Greqisë, ndërkaq për të gjithë udhëtarët tjerë shqiptarë me pasaporta biometrike mundësia e kalimit në doganën greke pothuajse nuk ekzistojnë.
Policët grekë kërkojnë garanci origjinale nga personat nikoqirë për udhëtarët shqiptarë, e jo të dërguar me faks ose me postë elektronike. Ndërkohë, shumë qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin këtyre ditëve drejt Greqisë i kanë anuluar lëvizjet për shkak të frikës se policia greke s’do t’i lejojë të kalojnë personat e pajisur me pasaporta biometrike.
Greqia shkel marrëveshjen
Në mungesë të një liste zyrtare të kërkesave, policia greke në Kakavijë madje ka kërkuar edhe një dëshmi se personi nikoqir në Greqi nuk është nën hetime, e cila duhet të jetë e legalizuar në zyrat konsullore. Kjo gjë nuk rezulton të kërkohet në pikat e tjera kufitare, si për shembull në Kapshticë, ku lëvizjet kanë qenë normale. Ndërkohë që Kakavija është shndërruar në një mini-ambasadë të re greke, edhe pse autoritetet shqiptare po kërkojnë shpjegime dhe përcaktimin e një liste dokumentesh zyrtare dhe unike për të gjitha vendkalimet kufitare greke. Kjo që po ndodh aktualisht në pikat kufitare të Greqisë është e paprecedentë, pasi që asnjë shtet tjetër nuk ka krijuar kaq burokraci për nënshtetasit shqiptarë. Si rrjedhojë, shteti shqiptar do t duhej të kërkonte nga autoritet evropiane që të monitorohet mënyra se si Greqia po e aplikon procesin e liberalizimit të vizave, pasi që në shumë raste duket se atje ka një tejkalim të qartë të kompetencave.
Probleme dhe në Vlorë
Në vendkalimin kufitar në Portin e Vlorës pa viza dhe vetëm me pasaportë biometrike drejt Italisë janë nisur 47 nënshtetas shqiptarë, nga 120 udhëtarë gjithsejtë. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Emigracionit dhe Kufirit, Arben Hadarmataj, 7 udhëtarë janë kthyer nga vendkalimi kufitar në Itali, pasi që 5 nga ta ishin persona të padëshiruar për një kohë të caktuar, ndërkaq dy të tjerë nuk ishin pajisur me sigurim shëndetësor për udhëtim. Sipas drejtorit Hadarmataj, policia kufitare i ka marrë të gjitha masat për të informuar të gjithë nënshtetasit që do të kalojnë përmes këtij vendkalimi kufitar për kushtet që duhet t’i plotësojnë për udhëtim drejt Italisë.
Vazhdon lëvizja nëpër të gjitha vendkalimet
Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë nga Porti i Durrësit drejt BE’së po shkon pa probleme dhe pa fluksin e pritur para liberalizimit të vizave. Megjithëse, hyrja në fuqi e vendimit për lëvizjen e lirë ka ngjallur entuziazmin e emigrantëve që po kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Sipas burimeve të policisë kufitare, me tragetet e dy netëve të fundit drejt Italisë kanë udhëtuar rreth 100 udhëtarë, ndërkohë që pala italiane nuk e ka refuzuar asnjërin nga ta.
Sa i përket fluksit të qytetareve që po udhëtojnë pa viza, përfaqësuesit e agjencive turistike shprehen se ai po rritet dita-ditës, ndërsa, duke u bazuar në rezervime, të dielën pritet të regjistrohet numri më i madh i udhëtimeve. (TO)