E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tesera e PS nuk është kusht për kandidimin për deputet

Nga L.Progni

Në listën e kandidatëve për deputetë të PS do të përfshihen individë, të cilët edhe mund të mos e kenë teserën e PS. Mjafton të jenë figura të spikatura në qarkun ku ata jetojnë, të gëzojnë mbështetje në popull dhe mund të jenë kandidatë për deputetë të PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Këtë e ka deklaruar vetë Edi Rama në një prej mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare, por dje e deklaroi edhe njëri prej anëtarëve të shtabit elektoral të PS, deputeti i kësaj partie, Kastriot Islami. Ai tha dje se kandidatët për deputetë do të zgjidhen pas një diskutimi të gjerë me anëtarësinë socialiste dhe se këta emra që do të përbëjnë listën e kandidatëve për deputetë jo detyrimisht duhet t’i përkasin anëtarësisë së PS. Islami tha dje se tesera e PS nuk do të jetë kriter për përzgjedhje në listat e kandidatëve për deputetë, pasi në listën e kandidatëve për deputetë do të ketë emra që gëzojnë integritet dhe kanë popullaritet në qarqet ku ata jetojnë. Është pikërisht ky kriter i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, që ka trembur deputetët aktualë të PS apo edhe ata socialistë me tesera që pretendojnë të jenë në listën e kandidatëve për deputetë. Kjo për shkak se duket se i hapet rrugë përfshirjes në lista edhe të “miqve” të PS, siç është G99, kreu i së cilës gjithnjë e më shumë po afrohet në radhët e para të PS, siç ishte rasti i shfaqjes së tij përkrah Ramës në mitingun e opozitës për Gërdecin. Në radhët e deputetëve apo zyrtarëve socialistë pretendentë për deputetë shfaqet gjithnjë xhelozia ndaj drejtuesit të lëvizjes G99, Erion Veliaj. Sidoqoftë, asnjë kriter nuk është zyrtarizuar ende, edhe pse drejtues të ndryshëm të PS herëpashere hedhin opozicionet e tyre si kritere të mundshme të kandidimit për deputetë.

Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve të PS për deputetë, Islami tha dje se një peshë kryesore në këtë përzgjedhje do të ketë baza e partisë. Islami tha se do të ketë takime dhe konsultime me bazën e partisë për emrat që do të jenë të përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të PS. “Jemi akoma në fazën e diskutimit të mënyrës se si do të përzgjidhet i gjithë rezervuari i gjithë kandidaturave, si do bëhet konsultimi i tyre me anëtarësinë e PS, por dhe më gjerë se kaq, duke rritur mjedisin e opinioneve të elektoratit në këto zona për këtë listë”, - tha Islami. Ai theksoi gjithashtu se lista e PS nuk do të shkrihet me asnjë listë partie tjetër, qoftë dhe aleate, por do të respektohet koalicioni i përbërë. “Listat janë me renditje të përcaktuar në koalicionin e përbërë, që do të thotë që secila parti të ketë listën e saj, pra nuk ka bashkim ose ndërthurje të partive në një listë, kështu që secila parti politike do të ketë sistemin e saj të përcaktimit të kandidaturave, seleksionimit dhe renditjes së tyre për deputetë në zgjedhjet e ardhshme”, - tha Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›