E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, 21-vjeçari ekzekutohet në derën e shtëpisë

Autori i vrasjes dyshohet se është fqinji i tij. Policia: Motivi, konkurrenca për linjën e pasagjerëve Lezhë- Kalivaç



LEZHË- Një 21-vjeçar nga fshati Kalivaç i Lezhës është vrarë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme me armë zjarri. Bëhet e ditur se 21- vjecari Angjelin Ndocaj u qëllua teksa dilte nga dera e shtëpisë afër banesës nga një fqinj i tij. I dyshuar si autori i vrasjes sipas policisë së Lezhës, është fqinji i tij Martin Çuni, banor i fshatit Kashnjet të Lezhës, ndërsa është arrestuar pas një kohe të shkurtër nga kryerja e vrasjes së bashku me të birin N. Çuni si bashkëpunëtor në krim.. Sipas policisë, atij i është kapur dhe arma e krimit në dalje të fshatit.

Vrasja
Sipas burimeve policore, vrasja e cila ndodhi afër orës 19.00 në fshatin Kalivac,ishte parapërgatitur nga autori së bashku me djalin e tij, që i kishin zënë pusi afër banesës 21- vjeçarit. Madje ka qenë vetë djali i autorit të krimit, N. Çuni, i cili i ka thërritur Angjelin Ndocajt nga brenda shtëpisë që të dilte jashtë, ndërsa e priste aty. Angjelini ka menduar se është thërritur për të diskutuar sherrin që ai kishte pasur me Martin Cunin ndaj ka dalë nga banesa pa e ditur se do ishte në rrezen e armës pikërisht prej kësaj pusie.

Konfrontimi në mes viktimës dhe të dyshuarit për vrasje kishte ndodhur ditë më parë dhe viktima Ndocaj nuk e priste se gjendja do të përkeqësohej deri në këtë pikë,për faktin se dy familjet janë afër njëra tjetrës me banesa, por e keqja ka ndodhur sapo ai ka dalë nga oborri i shtëpisë së tij teksa është pritur me të shtëna nga afër me pistoletë.

I gjithë konflikti ka të bëjë me faktin se Angjelin Ndocaj kishte blerë para pak muajve një furgon për të bërë transportin komod të banorëve të fshatit Kalivac-Lezhë. Këtë linjë e bënte edhe 45- vjecari Martin Cuni.

Me sa duket, ikja e klientelës nga njëri tek tjetri ka bërë që të futet inati i konkurrencës tek i dyshuari për vrasje për të gjeneruar një konflikt që në fund rezultoi i përgjakshëm. Sipas dëshmive që ka mbledhur policia, Martin Cuni i ka kërkuar disa herë Angjelin Ndocajt të mos e bënte këtë linjë të cilën ai e kishte nisur i pari,por që nuk ishte pranuar nga 21- vjeçari, i cili ka thënë se unë e kam blerë këtë furgon për këtë punë për të mbajtur familjen me bukë.

Po sipas këtyre burimeve, Martin Cuni e ka kërcënuar se nëse ai do të vazhdonte ta kryente këtë transport do të përballej deri me vdekjen, por 21- vjeçari nuk e ka marrë seriozisht këtë dhe nuk ka denoncuar as në polici. Kjo është bërë fakt pikërisht dje rreth orës 19.00 teksa Martin Cuni me djalin e tij, pasi e kanë thirrur të dalë nga shtëpia,vetë Martini ka qëlluar mbi të me pistoletë duke e lënë të vdekur.

Kapja e shpejtë
Sipas burime zyrtare të policisë së Lezhës, uniformat blu me të marrë njoftimin mbi vrasjen ka mbërritur brenda pak minutash në vendin e ngjarjes,dhe pas punës së shpejtë operative të identifikonin autorin dhe të gjenin dhe vendin ku ai ndodhej duke bërë bllokimin e gjithë rrugëve hyrëse dhe dalëse të fshatit Kalivac. Pas një krehjeje të fshatit dhe pyjeve aty afër pas 30 minutash policia ka mundur të prangosë autorin e dyshuar të krimit së bashku me djalin e tij N. Çunin si dhe të gjejë dhe armën e krimit,ndërsa pritet të akuzohen për bashkëpunim në vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Materialet në ngarkim të dy autorëve të krimit pritet t'i kalojnë prokurorisë për të njëjtën vepër penale, ku edhe do të gjykojë mbi marrjen e masës së arrestit për atë e bir, pjesëmarrës në krimin e vrasjes së 21 vjeçarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›