E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq mashtruesi që shiti tre herë një pronë

Xhavit Oruçi ka mashtruar tre ndërtues duke i dhënë secilit të njëjtën tokë për të bërë pallat. Toka nuk ishte as e tija


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale në ngarkim të 67 vjeçarit Xhavit Oruçi, i cili me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve i shiti të njëjtën pronë tre ndërtuesve të ndryshëm. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, kancelaria e së cilës me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Albert Meçe si trup gjyqësore që do të gjykojë plakun 67- vjeçar.

Sipas kërkesës për gjykim që mban numrin 2099, i pandehuri i shpallur në kërkim nga policia gjatë muajit mars të këtij viti ka përfituar shtatë milionë lekë të reja nga shitja e 700 metrave tokë në fshatin Fushë-Mëzez të komunës së Kasharit. "Nga hetimet disa mujore, është provuar se i pandehuri 67- vjeçar Xhavit Oruçi, me origjinë nga rrethi i Kukësit, me anë të dokumenteve të falsifikuara ka mashtruar tre ndërtues të njohur në kryeqytet, duke ia shitur pronën prej 700 metra katrorë që ndodhet në Fushë-Mëzez. Kjo pronë rezulton se është e një banori të zonës, i cili dispononte certifikatën e pronësisë dhe hartën plotësuese të kufijve të kësaj toke, të cilën 67- vjeçari me dokumente të falsifikuara e kishte përvetësuar dhe më pas shitur tre personave të ndryshen duke iu marrë shtatë milionë lekë të reja të treve"-thuhet në kërkesën për gjykim.

Mësohet gjithashtu se plaku kishte falsifikuar certifikatën e pronësisë dhe një hartë plotësuese të lëshuar nga Hipoteka e komunës Kashar, ku pretendonte se toka prej 700 metra katror ishte e tija. "Pasi ka falsifikuar këto dokumente, plaku 67- vjeçar Oruçi ka kontaktuar me ndërtuesit, duke nënshkruar me secilin prej tyre kontratën e shitjes së kësaj toke. Nga shitja, plaku kishte përfituar rreth shtatë milionë lekë të reja dhe më pas është zhdukur, duke i lënë në duar kontratën e shit-blerjes së firmosur tek noterja, certifikatën e pronësisë të falsifikuar dhe hartën e vend ndodhjes së kësaj toke",-thuhet në dosje. Sipas akuzës, me këto letra ndër duar tre ndërtuesit kishin dërguar përfaqësuesit e tyre në Hipotekë për ta regjistruar pronën, kur punonjësi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme kishte konstatuar falsifikimin dhe ka njoftuar policinë. Efektivët e policisë, kanë shoqëruar përfaqësuesit e firmës blerëse duke i marrë në pyetje, bashkë me pronarët e tyre për tentimin e përvetësimit të një prone që nuk ishte e tyre me dokumente të falsifikuara.

Para hetuesve, ndërtuesit kanë denoncuar shitësin e tyre të cilin e kanë shpallur tashmë në kërkim. Ndërkohë, para togave të zeza i pandehuri në mungesë Xhavit Oruçi do të gjykohet për veprat penale të "Mashtrimit në dëm të disa personave me pasoja të rënda" dhe "Falsifikimit të dokumenteve".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›