Dosja “Kështjella”, Krimet e Rënda përfundojnë hetimet për 5 të pandehur
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për dosjen “Kështjella”, ku akuzohen pesë persona për “trafik të lëndëve narkotike”. Sipas organit të akuzës, të pandehurit tentuan që të kalonin në Greqi një sasi prej 40 kg lëndë narkotike të llojit kokainë. Në bazë të procedurës, dosja do të hidhet në shortin elektronik për t’iu caktuar një trupi gjykues, që më pas do të caktojë datën si dhe orën për seancën e parë gjyqësore. Pesë personat e akuzuar nga prokuroria për trafik të lëndëve narkotike janë Zaim Tafa, pronari i lokalit “Kështjella” në Patos, i cili do të gjykohet në gjendje të lirë, Albert Pëllumbaj dhe tre shtetasit gjermanë, Daniel Englert, Franz dhe Regina Kiacsek. Hetimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nisën më 2 maj të këtij viti, kur në pikën kufitare të Kakavijës janë kapur 40 kilogramë kokainë, që po tentohej të futej në vendin grek. Sipas policisë, vlera e drogës kapte shifrën e 2 milionë eurove. Sipas hetimeve të kryera nga organi i akuzës, shtetasit Franz Kiacsek, 66 vjeç dhe Regina Kiacsek, 63 vjeçe, janë kapur në momentin që kanë qenë duke kaluar kufirin me automjetin e llojit “Peugeot”, me targë DON PA-179, i cili drejtohej nga ana e shtetasit gjerman, Franz Kiacsek. Gjatë ndalimit të tyre, çifti gjerman i ka deklaruar policisë se në automjetin e tyre ishte një pikturë. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe gjatë marrjes së tyre në pyetje nga ana e policisë dhe prokurorisë, ku dy të ndaluarit kanë mohuar akuzat e ngritura në ngarkim të tyre, duke shpjeguar se pakoja që ndodhej në automjetin e tyre duhet të dorëzohej sërish tek miku që ua kishte dhënë sapo të mbërrinin në Gjermani, pas përfundimit të udhëtimit. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rezultuar se dy shtetasit shqiptarë kanë qenë edhe furnizuesit e lëndës narkotike. Shtetasi tjetër gjerman i ndaluar Daniel Englert dyshohet të jetë edhe organizatori i trafikimit të kësaj sasie. Në bazë të hetimit të kryer, droga do të kalonte nga Greqi drejt Italisë dhe më pas do të dërgohej në Gjermani, ku ishte pikëmbërritja. Në ngarkim të të pandehurve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka një sërë provash materiale, që nga përgjimet e telefonit, vëzhgimet e terrenit e deri tek arrestimi në flagrancë i të pandehurve. Në ditët në vijim do të përcaktohet trupi gjykues dhe data e nisjes së procesit gjyqësor, ndaj pesë të pandehurve.