E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, ekzekutohet me armë nga fqinji 21-vjeçari

I riu është qëlluar me pistoletë, ndërsa ishte duke dalë nga banesa e tij në fshatin Kalivaç

Një i ri 21-vjeçar është ekzekutuar me pistoletë nga fqinji i tij në rrethin e Lezhës, ndërsa po dilte nga banesa. Sipas burimeve nga policia, viktima është Angjelin Ndokaj. Ngjarja ndodhi rreth mbrëmjes së djeshme në fshatin Kalivaç. Autori i vrasjes arriti të largohej duke i shpëtuar arrestimit nga uniformat blu. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila po punon për arrestimin e vrasësit dhe zbardhjen e rrethanave të krimit. Uniformat blu shoqëruan në komisariat disa persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes së ndodhur.

Ngjarja

Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, 21-vjeçari Angjelin Ndokaj ka qenë duke dalë nga banesa e tij. Sapo ka bërë disa metra, ai është qëlluar disa herë me pistoletë, duke rënë në tokë i mbuluar nga gjaku. Sulmuesi i tij menjëherë është larguar, ndërkohë që ndaj të riut është dhënë ndihma e parë. Plagët e marra në trup dhe gjaku i humbur i kanë marrë jetën 21-vjeçarit. Në vendngjarje ka shkuar policia e Lezhës. U ngrit një grup pune për të hetuar motivet e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, është identifikuar autori i vrasjes, një person rreth të 40-tave, i cili është edhe fqinj me viktimën. Viktima u dërgua për kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe autopsisë në morgun e Lezhës, ndërsa hetuesit grumbulluan provat në vendin e ngjarjes. Policia mori dëshmitë e para në lidhje me këtë ngjarje dhe po punon për arrestimin e autorit. Uniformat blu kanë kryer një kontroll në banesën e autorit të krimit, por pa e gjetur këtë të fundit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, po punohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes. Një prej tyre mund të jetë për larje hesapesh, por nuk përjashtohet një konflikt midis viktimës dhe autorit të krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›