Kubisti Tashko në Zenit
Në galerinë "Zenit", janë ekspozuar për herë të parë vepra të panjohura të artistit shqiptaro-amerikano-kolumbian Artur (Anastas) Tashko. Një pjesë e mirë e veprave që paraqiten për herë të parë në këtë ekspozitë të veçantë, janë riprodhime dhe u qëndrojnë besnikërisht përmasave origjinale. Artur (Anastas) Tashko ishte piktor konstruktivist, ndoshta përfaqësuesi i fundit i kubizmit.
Piktura e tij ndjek një sekuencë interesante të tri periudhave: kubizmin analitik, kalimin në gjysmëkonstruktivizëm e më pas në konstruktivizmin abstrakt. Tashko vdiq larg atdheut, në Kolumbi, më 25 nëntor 1994, në moshën 93 vjeç. Karriera e tij artistike është me të vërtetë e pasur. Punoi fillimisht si flautist profesionist në Orkestrën Simfonike të Bostonit, më vonë kryeredaktor i gazetës shqip Republika sërish në Boston në vitet 1931-32, dhe më pas gjatë gjithë jetës, me ndërprerje të pjesshme, vazhdoi karrierën si piktor profesionist në shumë vende të botës, ndër më kryesoret në Amerikë, Francë, Spanjë, Itali dhe 30 vjetët e fundit të jetës së tij, në Kolumbi.