Lezhë, dy ditë me këngë e valle tradicionale
Për dy ditë Lezha ka pritur Festivalin Folkloristik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore. Ky festival ka ofruar për publikun e gjerë shqiptar valle e këngë tradicionale. Në këtë festival kanë marrë pjesë jo vetëm grupet e 12 qarqeve, por edhe grupe të përfaqësuesve të Malit të Zi, Maqedonisë e Kosovës. Duke premtuar një repertor të zgjedhur dhe mbrëmje plot emocion gjatë këtyre ditëve të festivalit Esat Ruka, drejtori i QKVF është shprehur se, “Ashtu sikurse për çdo vit ne kemi organizime konkrete në Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, ku gjithçka është rezultat i një bashkëpunimi tepër serioz me të gjitha bashkitë e rretheve në vendin tonë, edhe këtë vit ne synojmë që të realizojmë objektiva të rëndësishme, në përmbushjen e qëllimit që ne kemi, pra jo vetëm në ruajtjen e origjinaliteti por edhe në përcjelljen brez pas brezi të trashëgimisë sonë folklorike. Çdo festival që ne organizojmë ka të përcaktuara disa kritere të veçanta, të cilat synojnë ruajtjen e origjinalitetit dhe mbajtjen gjallë të traditës. Konkretisht, me këtë synim këtë vit ne kemi menduar të organizojmë 5 festivale nga të cilat, Festivali Folkloristik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore, në Elbasan (i cili është zhvilluar përgjatë datave 12-13 Mars); FFKT i Valles Burimore, në Lushnjë, në datat 25, 26 dhe 27 Maj ( që ka startuar tashmë); FFKT i Rapsodëve dhe Instrumentistëve në qytetin e Lezhës, në datat 23 e 24 Qershor; FFKT i Sazeve, në Korçës në datat 16 dhe 17 Gusht, ( gjatë ditëve të festës së birrës) si dhe FFKT i Iso-Polifonisë, në Vlorë në datat 24 dhe 25 Nëntor”. Pra, si u theksua edhe më sipër ai që ka çelur këto veprimtari, në mars të këtij viti është Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, në Elbasan. Konkretisht ky edicion i radhës,( i cili shënon vitin e dhjetë të këtij organizimi) është zhvilluar përgjatë datave 12-13 Mars dhe konsiderohet si një tribunë e këngës popullore qytetare, tek e cila ndërthuren harmonishëm elementet tradicional të trashëguar dhe elementet e rinj të orkestracionit, interpretimit, etj, të cilët i japin asaj freskinë dhe dinamizmin e kohëve që po jetojmë. Drejtori i Festivalit, Esat Ruka, thekson se qëllimi i një festivali, është ruajtja e traditave dhe trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, përmes këngës, valles, melodisë, pasurisë së kostumeve tradicionale, fjalës së mençur popullore- përfundon Ruka.
Filmi “Liri a Vdekje”, me tinguj nga Orkestra Simfonike e RTSH
Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH vijon të mbushë me tinguj klasikë skenën e Akademisë së Arteve. Edhe në vijim të këtij sezoni artistik nga drejtuesit e kësaj stine koncertore bëhet e ditur se për publikun do të vijnë artistë të njohur nga vendi dhe bota, të cilët do të performojnë të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e RTSH. Për veprat që do të interpretohen në koncertin e datës 28 qershor ato i takojnë autorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë. Vepra nga Kujtim Laro, Uverturë e filmit “Liri a Vdekje”, pjesë nga Avni Mula, koncert për trombon dhe orkestër simfonike, solist Ismet Keta, por do të jenë dhe vepra nga Ludëig van Beethoven Symphony No.1. I gjithë ky koncert këtë herë vjen nën drejtimin e dirigjentit të njohur. Alqi Lepuri (Artist i Merituar) ka një veprimtari të gjerë artistike. Dirigjent i shquar shqiptar, që në moshë të vogël studion për violinë në rrethet amatore të Shtëpisë së Pionierit në qytetin e lindjes dhe merr pjesë në jetën artistike. Në vitet 1969-1973 kryen Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, ku fillon të drejtojë koncerte me korin e orkestrës, me orkestrën frymore dhe korin e shkollave të mesme, nën kujdesin e Vangjo Novës. Në vitet 1973-1977 kryen studimet e larta për dirizhim në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e Prof.Rifat Teqes. Edhe në këtë periudhë aktivizohet në jetën muzikore, duke drejtuar formacione të ndryshme dhe të rëndësishme orkestrale. Diplomën e mbron me një koncert me Orkestrën Simfonike të RTSH. Në vitet 1977-1992 punon si dirigjent në Ansamblin Artistik të Ushtrisë. Në këtë institucion realizon një numër shumë të madh koncertesh (numërohen me mijëra ) në të gjitha anët e Shqipërisë. Në vitin 1992 fillon punë si pedagog i dirizhimit në Akademinë e Arteve. Repertori i tij përfshin një numër të madh veprash të të gjitha gjinive dhe kohërave, si nga autorë shqiptarë ashtu dhe nga literatura botërore, e materializuar kjo në koncerte të shumtë e të larmishme, me një numër të madh formacionesh vokale dhe orkestrale. Në periudhën mes viteve 1975-2005, Alqi Lepuri ka drejtuar për herë të parë vepra të kompozitorëve shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci etj. Solisti Ismet Keta pas diplomimit fillon punë me 1985 si trombonist i parë në Orkestrën Simfonike të RTSH dhe është tromboisti i parë që ka luajtur si solist me Orkestrën e Radios nën drejtimin e dirigjentit të njohur Ferdinand Deda me Arie Concert Ë. Smita, etj. Që nga viti 1995 është pedagog i trombonit pranë Akademisë së Arteve, ku vlerësohet puna e tij pedagogjike.
25 Qershor 2010