Serbi, Ivanoviç propozon për Kosovën modelin e Qipros
Sekretari i shtetit në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç
ka propozuar që për Kosovën të përdoret modeli i Qipros.
Ivanoviç, ka deklaruar se një prej zgjidhjeve do të mund të ishte “modeli i Qipros”, një shteti të ndarë, që është pranuar në BE. Ideja për një Kosovë të ndarë, është hedhur në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të mund të hapte rrugën për bisedime të reja mes Prishtinës e Beogradit. “Zgjidhja duhet të jetë e tillë që do të jetë e kënaqshme për të dyja palët ose të jetë njëlloj e pakënaqshme për të dyja palët, ndërkohë që ne sot nuk e kemi një zgjidhje të tillë”, tha Ivanoviç lidhur me vendimin e GJND-së. “Insistoj që modeli i Qipros është modeli më i mirë për ne, megjithëse kam hasur në qëndrime shumë negative ndaj kësaj ideje”, tha sekretari serb për Kosovën. “Nëse nuk mund të merremi vesh atëherë më mirë të mos e zgjidhim problemin dhe të presim një kohë më të mirë për zgjidhje,” tha Ivanoviç. Sipas tij të dyja palët duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të jenë të hapura për zgjidhje sepse ato, tha Ivanoviç, janë në interes të rajonit.
Reagimet
Autoritetet në Kosovë dhe mekanizmat ndërkombëtarë kanë përsëritur qëndrimin për mosndryshim të kufijve, meqë kjo do të krijonte probleme të reja në rajonin e Ballkanit. Prishtina zyrtare ka deklaruar se është e hapur për dialog me Beogradin zyrtar për çështjet e interesit të përbashkët, duke përjashtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit, që sipas saj është përmbyllur me pavarësimin e vendit në shkurt të vitit 2008 dhe me njohjen e saj nga 69 vende të botës.
Mbështetja
Britania e Madhe mbështet pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, duke kundërshtuar çdo opsion të ndarjes, tha të enjten në Prishtinë, ministri për britanik për Europë, Dejvid Lidington.
Këto komente, ministri Lidington i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu, të cilin ai tha se e ka siguruar se edhe qeveria e re britanike do të mbaj kursin e njëjtë të politikës mbështetëse ndaj Kosovës. Lidington tha se pret që procesi i interpretimit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë t’i çojë proceset përpara dhe assesi prapa. “Presim që mendimi i ardhshëm i GJND-së do të na jep mundësitë që të ecim përpara dhe të mos kthehemi më prapa në debatet që tashmë janë vendosur në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, tha Lidington. Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pret që argumentet e GJND-së të vërtetojnë atë që populli dhe përfaqësuesit e Kosovës e kanë shprehur përmes deklarimit të pavarësisë së Kosovës.
25 Qershor 2010