E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadri Ahmeti, shuhet një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë



Është ndarë dje nga jeta, në moshën 71 vjeçare, poeti dhe piktori Sadri Ahmeti duke lënë në pikëllim të thellë familjarët, bashkëshorten dhe dy djemtë, miqtë, të afërmit dhe dashamirësit e tij të shumtë. I njohur për krijimtarinë e tij në poezi dhe për guximin që pati ne idetë e tij në vitet e diktaturës komuniste, ky poet është gjithashtu edhe një piktor i njohur, madje një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Piktori Sabri Ahmeti ka marrë pjesë në 15 ekspozita kolektive dhe personale si brenda ashtu edhe jashtë vendit . Në Tiranë ai ka hapur ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ndërsa jashtë vendit në Belgjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveni, Turqi, Suedi, Zvicër etj. Ndërkohë pas viteve ’90-të ka botuar një varg librash poetikë si "Një e qeshur harbon nëpër errësirë", "Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok", "Masakra e Tivarit", "Ajsbergu i preludit të katastrofës","Vallja e katrahurave","Kalëroj rreth botës mbi re","Tek lahem në dritën e Hënës","Loz era me gjethet e vjeshtës sime", "A do mund të takohemi nesër?", si dhe librin me prozë "33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës".
Krijimtaria e Sadri Ahmetit
Sadri Ahmeti lindi në Vuthaj të Plavës - Mali i Zi me 1939, një fshat nga i cili kanë dalë shumë krijues e artistë me emër në kulturën shqiptare. Pas shkollimit të mesëm emigron në Shqipëri në vitin 1957 ku edhe nis kalvari i tij jetësor. Ishte e vështirë për një artist si Sadri Ahmeti të mbetej i lirë, mik u ngushtë i Bilal Xhaferrit, Sadriu njihej nëpër rrethet kulturore të Tiranës për guximin e tij në fjalë. Nuk vonon e arrestohet kur ishte student në Akademinë e Arteve, dënohet me burg e pastaj me internim që nga minierat e Spacit në kantieret e Elbasanit. Pas viteve '90 përfundon studimet e lëna përgjysmë ne Akademinë e Arteve, që ia pat ndërprerë burgu, një ëndërr e mbetur përgjysmë, pasi ky poet është edhe një piktor i njohur e një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Vepra e tij poetike është përfshirë në “letërsinë disidente” për shkollat e mesme gjatë viteve ’90-të. Sadri Ahmeti ka realizuar një numër të konsiderueshëm ciklesh radiofonike e televizive në bashkëpunim me Radiotelevizionin publik shqiptar dhe me mjaft televizione private. Ndërsa në pikturë Sadri Ahmeti është autor i mijëra punimeve, kryesisht në teknikën e akuarelit, por edhe të temperas, vajit dhe grafikës, lëvruar këto në gjinitë e peisazhit, portretit e kompozimit dhe zhanreve ilustrim e filateli, ku dhjetëra veprat e tij hijeshojnë kopertinat e librave për të gjitha moshat. E gjithë krijimtarinë e tij në poezi, prozë dhe pikturë kishte si kryefjalë magjiken dhe hyjnoren. Sadri Ahmeti gjatë gjithë krijimtarisë në pikturë ka hapur gjithsej 23 ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë me punimet e tij në 6 ekspozita kolektive, që të gjitha pas rënies së diktaturës. Në vitin 1994 merr çmimin e parë në ekspozitën “Onufri”, me vepër në pikturë. Ka hapur 10 ekspozita jashtë vendit, në Turqi, Slloveni, Belgjikë, Suedi, SHBA, Zvicër, Gjermani (2 herë) dhe në Kosovë (2 herë), dhe është cilësuar nga kritika e huaj si një ndër akuarelistët më të mëdhenj europianë. Veprat e tij në pikturë janë të përhershme në disa galeri brenda vendit dhe mbeten ndër më të dashurat në fondin e qindra koleksionistëve e artdashësve në të gjitha skajet e planetit, shumica të dhuruara, pasi rrallëkush ishte dhurues si ai. Sadri Ahmeti në kujtesën e bashkëvuajtësve do të mbetet si njeriu që në burgun e Spaçit martoi të gjithë beqarët me “të bukurat e dheut të racës shqiptare”, që nuk ishin tjetër veçse vashat e përfytyruara dhe të derdhura në portretet që ai ua falte shokëve të idealeve për t’ua lehtësuar dhimbjet në dit-netët e mënxyrta. Me poezinë e tij Sadri Ahmeti mrekulloi të gjithë lexuesit e studiuesit, por për shkak të pasurisë së skajshme të leksikut, pavarësisht dëshirës, fare pak u mor përsipër të përkthehej nga përkthyesit tanë. Në kujtesën e miqve, bashkëvuajtësve, familjarëve e kolegëve, Sadri Ahmeti është dhe do të mbetet njeriu i fjalës së ëmbël, bashkëbisedimeve gazmore megjithëse jeta e tij kaloi nëpër vuajtje, derte e halle. Ai do të mbetet frymori që dashuroi, këndoi e ngjyrëtoi më shumë se të gjithë bukurinë femërore, femrën shqiptare, zanat dhe shtojzovallet mitike që, mesa duket, rrjedhën nga Eposi kreshnik i trojeve ku ai lindi, për të banuar e mbushur përplot musht e nur zemrën bujare të artistit. Në çdo çast të ditës dhe në bashkëbisedim më këdo, fjala e tij e praruar në gjuhën amtare preku zenitin e shprehjes së përkryer. Me ndarjen nga jeta, pushoi së rrahuri përgjithnjë zemra e artistit të madh Sadri Ahmeti, që në jetën e tij më shumë dhuroi sesa mori dashuri.

Vëllimet e tij poetike janë titulluar si më poshtë:
1.”Një e qeshur harbon nëpër errësirë”.
2.”Dielli nëpër Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”.
3.”Masakra e Tivarit”.
4.”Aisbergu i preludit të katastrofës”.
5.”Vallja e katraureve”.
6.”Kalëroj rreth botës mbarë”.
7.”Tek lahem në dritën e hënës”.
8.”Loz era me gjethet e vjeshtës sime”.
9.”A do të mund të takohemi nesër”.

Të paepur
Që përbuzin vdekjen në shtretër
Të Bukëkripës e të Besës
Nuk njohin krajla as mbretër
Me qefin në krye
Me kryet në trastë
Me gojën mjaltë
Dhe vështrimin daltë

***
Askush s'i njeh mir bjeshkët e mia
As ai që i yshti ndër gjakëra
As ai që na rralloi me masakra
As dëbimi
Dhe as pushkatimi
As varfëria
Ato mund t'i njoh' vetëm Liria

25 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›