Hijet e Natës dënohen për 9 grabitje

Sulejman Bakalli, një nga të akuzuarit
Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me një total prej afro 60 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë anëtarët e bandës së grabitjeve të njohur me emrin Hijet e natës.Të akuzuarit për nëntë vjedhje të rënda në Turanë dhe Durrës, u deklaruan të gjithë fajtorë për akuzën e vjedhjes, të vjedhjes me pasoja të rënda. Për 5 prej tyre gjykata tha se ka prova që tregojnë se ata kanë qenë një grup i strukturuar kriminal. Pesë Gjyqtarë të Krimeve të Rënda të kryesuar nga gjyqtari Bardhyl Dhamo, i vlerësuan të provuara akuzat e Prokurorisë ndaj të rinjve për vjedhjen e shumave të majme në banesa, në zyra biznesesh, si edhe në Ambasadën Daneze në Tiranë. Vendimi përfundimtar u shpall teksa në sallë kishte përforcime në radhët e policisë, për shkak të pranisë së një numri të madh të familjarëve të të pandehurve. Sipas vendimit, Elton Lika u dënua me 12 vjet burg e 400 mijë lekë gjobë. Ai u deklarua fajtor për të gjitha akuzat, përfshi edhe vjedhjen e një kasaforte në një banese brenda të cilave ndodheshin 500 mije euro si dhe vjedhja e Ambasadës daneze. Të pandehurit Sajmir Kuçi dhe Sulejman Bakalli u deklaruan fajtorë dhe u dënuan me nga 11 vjet burg. Për Bakallin gjykata vendosi edhe 400 mije lekë gjobë. Po sipas vendimit, Admir Burri u dënua me 10 vjet burg dhe Dritan Duka me 7 vjet heqje lirie. Për dy të pandehurit Taulant Mataj dhe Euklid Habili, Krimet e Rënda vendosën dënim me nga 3 vjet burg. Ndërsa i pandehuri Drinald Mataj ishte më pak i rënduari nga gjykimi i Krimeve të Rënda. Ndaj tij Gjykata vendosi dënimin me 1 vit e 8 muaj burg.
VJEDHJET
Prokuroria për Krimet e Rënda i akuzonte të pandehurit e kësaj dosjeje për nëntë episode vjedhjesh. Sipas Prokurorisë, grabitja e parë është ajo e kryer në 22 shkurt 2009, në një kompani lojërash Admiral në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Të përfshirë në këtë ngjarje dyshoheshin të ishin Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri. Sipas akuzës, ata kanë vjedhur një sasi prej 600 mijë lekësh. Në vijim, sipas Prokurorisë, në 30 mars 2009, të pandehurit Sulejman Bakalli, Elton Lika, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri kanë vjedhur 33 600 euro, 2920 USD dhe 39 000 lekë, pasi kanë thyer derën e shoqërisë ATHS, në rrugën Dedë Gjo Luli. Referuar hetimeve të Prokurorisë, grabitja tjetër është kryer në 28 prill 2009. Nga hetimi ka rezultuar se Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri kanë vjedhur një kasafortë në banesën e biznesmenit I.Ç., brenda së cilës ndodheshin shumat 340 000 euro, 13 400 000 lekë dhe 5000 paund.
Goditja e radhës ka ardhur në 22 tetor 2009 në banesën e D.P. në Tiranë. Sipas Prokurorisë, në këtë grabitje kanë marrë pjesë të akuzuarit Lika, Bakalli, Kuçi dhe Duka. Nga hetimet pohohet se ata kanë tentuar të nxjerrin kasafortën nga banesa-bodrum, por nuk kanë mundur. Më pas ata janë aktivizuar në 3 nëntor 2009. Sipas Prokurorisë, gjahu i radhës ka qenë një kasafortë me një sasi prej 1 milionë lekësh në Postën Nr.8, pranë rrugës Sulejman Delvina, vepër e dyshuar si e kryer nga të pandehurit Taulant Malaj dhe Euklid Habili. Sipas akuzës, të njëjtët të akuzuar kanë tentuar të vjedhin edhe zyrat e Pasha Travel, por pasi kanë shpërthyer derën, ata nuk kanë gjetur vlerë monetare aty. Ndërkohë, në 6 dhjetor 2009, të akuzuar të dosjes Hijet e natës dyshohet se kanë tentuar të grabisin kompaninë Skutari Konstruksion. Sipas Prokurorisë, ata nuk ia kanë arritur qëllimit, ndonëse kanë hyrë në ambientet e brendshme të saj. Po në 6 dhjetor, sipas Prokurorisë, të akuzuarit Taulant Mataj dhe Euklid Habili kanë vjedhur një sasi parash, tre lap-topë dhe dy aparate në qendrën tregtare Olimpia. Gjahu i radhës në vijim ka qenë një kompani turistike pranë Stacionit të Trenit në 12 dhjetor 2009. Sipas akuzës, të dyshuarit Elton Lika, Taulant Mataj dhe Driland Mataj kanë nxjerrë kasafortën nga dritarja e zyrës. Kjo kasafortë brenda të cilës gjendeshin 4 mijë euro, u gjet më pas nga policia në automjetin e autorëve.
Ambasada Daneze
Shenjëstra me VIP e të akuzuarve të dosjes Hijet e natës ishte ajo e godinës së Ambasadës Daneze në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Në 23 tetor 2009, 5 nga të akuzuarit mundën të futen në ambientet e brendshme të saj nëpërmjet një shkalle të vendosur në tarracën e pallatit ngjitur me të. Sipas akuzës, aty u grabitën 1000 euro, dy kompjuterë lap-topë dhe sende të tjera. Po sipas akuzës, vulat e grabitura aty u përdorën më pas për dokumentacion të falsifikuar për kalimin e kufirit.
Kasaforta 600 mijë euro
Goditja më e bujshme e grupit kriminal është ajo e 28 prillit 2009. Sipas akuzës, Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri kanë prerë me oksigjen derën e shtëpisë së biznesmenit I.Ç., në rrugën Hamit Shijaku. Më pas ata kanë hyrë brenda banesës dhe kanë arritur të marrin plot 600 milionë lekë që ndodheshin në kasafortë. Dera e banesës së të dëmtuarit ka qenë e blinduar, ndaj të akuzuarit kanë thyer portën e një apartamenti më lart e më pas kanë zbritur nga ballkoni në shtëpinë ku morën 600 milionë lekë.
9 vjedhje me thyerje janë kryer në Tiranë dhe në Durrës nga personat e akuzuar si anëtarë të grupit Hijet e Natës.
Ata vepronin natën dhenë mënyrë të organizuar ndaj individëve dhe bizneseve
Dënimet
Elton Lika, 12 vjet burg, 400 mijë lekë gjobë
Sajmir Kuçi, 11 vjet burg
Sulejman Bakalli, 11 vjet burg, 400 mijë lekë gjobë
Admir Burri, 10 vjet, burg
Dritan Duka, 7 vjet, burg
Taulant Mataj, 3 vjet burg
Euklid Habili, 3 vjet burg
Drinald Mataj, 1 vit e 8 muaj burg
Akuzat
12.12.2009,
Durrës, vjedhja e agjencisë e udhëtimeve Adriatika.
6.12.2009,
tentojnë të vjedhin kasafortën në firmën Skutari
6.12.2009,
vjedhja e 10 milionë lekëve në firmën Ferlut, Tiranë.
11.11.2009,
tentojnë të vjedhin agjencinë e udhëtimeve Pasha Travel
3.11.2009,
vjedhja e kasafortës së kompanisë ndërtuese Merkaj
23.10.2009,
kanë kryer vjedhjen e ambasadës Daneze në Tiranë.
2.10.2009,
kanë tentuar vjedhjen e kasafortës në banesën e biznesmenit D.P.
28.04.2009,
vjedhja e kasafortës së biznesmenit I.C, me 600 milionë lekë
30.03.2009,
vjedhja e kasafortës së agjencisë turistike, ATHS, 30 milionë lekë
Armand Bajrami