Lezhë, parlamenti rinor nismë për pastrimin e plazhit

Në kohën kur sezoni turistik ka nisur dhe që të huaj të mos ballafaqohen me grumbuj mbetjesh, parlamenti rinor ka ndërrmarrë në Lezhë një nismë për pastrimin e qytetit dhe sensibilizimin e komunitetit.
Me moton “Lezha ime mjedis i pastër”, këta të rinj kërkojnë të japin një shembull për mbajtjen pastër të ambjentit, ndërkohë që janë një nxitje edhe për drejtorinë e shërbimeve në bashkinë e këtij qyteti, që ende nuk ka dhënë atë reagim të premtuar përsa i përket ambjentit. Migena Jaku përfaqësuese e parlamentit rinor ka deklaruar se do të vazhdojnë të pastrojnë, por ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve.
Konstatimi i të rinjve të parlamentit rinor ka nxjerrë në pah mungesën e formave sensibilizuese nga ana e bashkisë, e cila ka përfituar fonde të konsiderueshme pikërisht për arritjen e këtij objektivi. Ura e vjetër mbi lumin Drin ka qenë vëmendja e këtyre të rinjve, ndonëse drejtoria e shërbimeve në bashkinë e Lezhës për të paktën 4 herë ka deklaruar se do ta pastronte këtë zonë, por sërish mbetjet vijojnë të jenë shqetësim pa zgjidhje.