E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Rikthimi i Nanos uroj të ketë efekt pozitiv, duhet bashkim

TIRANE - Zgjedhja e presidentit nga radhët e mazhorancës që u pasua me rishfaqjen e Fatos Nanos me lëvizjen për t’u rikthyer në Partinë Socialiste dhe për të bashkuar të majtën shihet me pozitivitet nga kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Sipas tij e majta ka më shumë nevojë se kurrë për një bashkues të saj. I pyetur dje nëse mund ta luajë Fatos Nano këtë rol, Gjinushi tha se “tani, patjetër që ka nevojë për një bashkim të forcave që janë jashtë Partisë Socialiste, pra forcave të majta. Sepse PS nën presione të brendshme apo të jashtme nuk ka luajtur siç duhet rolin e vet opozitar. Patjetër që PSD është në favor të kësaj. Pastaj, për zhvillimet brenda PS mendoj që këto që thoni janë zhvillime brenda PS, janë tentativa për ekulibre të brendshme, për rregullime raportesh të brendshme kjo është një problem i PS-së”, - deklaroi Gjinushi në prononcimin e tij për “Albanian Screen”. I pyetur se sa realisht janë mundësitë e Nanos për të bashkuar të majtën ai u përgjigj se “unë nuk shtoj se çfarë thashë, uroj të ketë ndikime pozitive. Pra, Partia Socialiste si parti në përcaktimin e aleatëve të vërtetë dhe jo në aleanca pazaresh si Gjiri i Lalëzit”, - tha Gjinushi duke theksuar mandej jo pa doza ironie nevojën që ai e ka cilësuar si “shkundjen” e Partisë Socialiste.
PRESIDENTI
Për kreun e Partisë Socialdemokrate, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës tregoi se sipas tij Partia Socialiste nuk duhet t’i besojë më Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për Skënder Gjinushin, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta bëri pazarin politik të radhës me maxhorancën, duke i treguar sërish opozitës se besimi i vetëm te LSI është pabesia e saj. “LSI përdori opozitën për të bërë presion mbi Berishën, jo për të arritur konsensus por për të arritur në një pazar. I vetmi besim që mund të kesh te LSI është që është e pabesë. Nëse ka ende të matë që i mbanin shpresat tek ai, tek ajo forcë që i ka shitur sistematikisht nga 2005, sigurisht që kjo është vetëm një alibi për LSI-në”, - përfundoi Gjinushi, prononcimin e tij për “Albanian Screen”. Kreu i PSD-së në mënyrë frekuente gjatë muajve të fundit ka qenë mjaft kritik me qëndrimet e mbajtura nga kreu i PS-së, Edi Rama. Duket se edhe vlerësimi i tij për lëvizjen e iniciuar nga Fatos Nano lidhet pikërisht me këtë pozicionim. Vlen të theksohet se më herët, Gjinushi ka qenë një nga kritikët më të ashpër të ish-kryeministrit socialist. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›