E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, protesta për vrasjen e 16-vjeçarit, 6 në pranga



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Policia e Lezhës arrestoi gjashtë protestues për vrasjen e 16- vjeçarit Armando Skandaj, ndërsa tre të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë për shkak se protesta e zhvilluar ishte e paligjshme. Turma e banorëve, shumica e të cilëve të rinj, bllokoi për rreth një orë qarkullimin e mjeteve në segmentin Lezhë-Shkodër, si dhe përmbysën duke dëmtuar një makinë të Gardës. Pas hetimeve të kryera, blutë e Lezhës prangosën në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjashtë persona, të cilët shkaktuan rrëmujë në qytet dhe bllokuan aksin nacional. Të arrestuarit janë Dod Shtjefni, 50 vjeç, Ernest Ceka 39 vjeç, Klodian Berisha 18 vjeç, Alfons Filipi, 21 vjeç, si dhe shtetasit me inicialet I.C., 18 vjeç, si dhe M. M., 16 vjeç, që të gjithë banues në Lezhë. Policia bëri të ditur se do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasit J.Gj., 16 vjeç, F.N., 15 vjeç, Mark Përkola, 58 vjeç, nga Lezha. “Arrestimi i këtyre shtetasve u krye për veprat penale të ‘pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit’ dhe ‘organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme’. Në bashkëpunim me një grup prej rreth 35-40 vetash, ata protestuan mbrëmjen e së hënës për ngjarjen e datës 17 korrik 2010, ku humbi jetën 16-vjeçari Armando Skandaj”, bëri të ditur policia. Gjatë protestës, të rinjtë e Lezhës mbajtën pankarta në duar, ku shkruheshin parulla kundër policisë, duke e akuzuar atë, madje për vrasjen e adoleshentit. Më pas grumbulli i protestuesve vazhdoi në rrugën nacionale, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shëngjinit”, ku dhe bllokuan aksin rrugor Lezhë – Shkodër, duke penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, turma përmbysi dhe dëmtoi edhe një mjet ëolsvagen-Bora, me targa TR 9780 F, që i përkiste një punonjësi të Gardës. “Pas këtyre veprimeve, grumbulli i protestuesve është kthyer para Komisariatit të Policisë së Lezhës, duke hedhur parulla dhe kryer veprime vandale, dukë qëlluar me gurë e sende të tjera ambientet e jashtme të komisariatit. Për këtë ngjarje, nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale”, bëri të ditur policia. Mësohet se blutë kishin administruar filmime në sajë të të cilave bënë identifikimin e personave përgjegjës dhe më pas arrestimin e tyre. Burimet nuk përjashtuan mundësinë e arrestimeve të personave të tjerë përgjegjës, që kanë marrë pjesë në këtë protestë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›