E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ndalet rënia e dërgesave të emigrantëve

Shifrat

Dërgesat e emigrantëve kanë vazhduar të bien sërish edhe për tremujorin e parë të vitit. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve për periudhën janar -mars ranë me 7.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas bankës, gjatë tremujorit të parë, shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë dërguan në formën e transfertave në Shqipëri rreth 170 milionë euro, ose 13 milionë euro më pak se sa një vit më parë. Të dhënat tregojnë se tashmë dërgesat e emigrantëve po shfaqin një tendencë të qartë rënieje, që ka nisur nga viti 2007. Krahasuar me tre muajt e parë të 2007-s, në tremujorin e parë të këtij viti dërgesat ishin 26.7 për qind më të ulëta. Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve ishin në total rreth 782 milionë euro, ose gati 10 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë. Sipas një studimi të kryer dy vjet më parë nga Banka e Shqipërisë, rezultoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend. Në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga jashtë rreth 180 mijë familje dhe Banka e Shqipërisë thotë se nëse këto dërgesa nuk do të ekzistonin, 40 për qind e këtyre familjeve do të jetonin nën kufirin e varfërisë me më pak se dy dollarë në ditë. Të dhënat e viteve të fundit, po konfirmojnë paralajmërimin e bërë nga FMN-ja dhe Banka Botërore vite më parë, se dërgesat janë një burim i përkohshëm financimi dhe se shumë shpejt Shqipërisë do i duhet të gjejë të tjera burime, por që këtë radhë i mbivendosen edhe shkaqet nga kriza ndërkombëtare ekonomike.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›