Birmani, Kombet e Bashkuara ndërpresin dërgimin e ndihmave
Kombet e Bashkuara kanë vendosur të pezullojnë dërgimin e ndihmave humanitare në Birmani, pasi junta ushtarake ka konfiskuar ndihmat që kishin mbërritur në vend. "Nuk kemi zgjidhje tjetër", ka thënë nga Bangkoku Pol Risli, zëdhënës i Programit të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara. Lajmi vjen në të njëjtën ditë kur shoqata "Mjekë pa Kufi" lajmëroi nisjen e avionit të parë me ndihma humanitare për popullatën e goditur nga cikloni Nargis. Në mënyrë të veçantë, sipas shpjegimit të Rislit, është sekuestruar nga ushtarët një ngarkesë prej 38 tonësh biskota me vlera të mëdha ushqyese dhe energjike. Nuk është e qartë, ka shpjeguar zëdhënësi, përse është bërë konfiskimi. Gjithsesi, për momentin, fluksi i ndihmave mbetet i pandërprerë. Vazhdon pra të mbetet kontradiktore sjellja e juntës ushtarake që qeveris Birmaninë dhe që pesë ditë pas kalimit katastrofik të ciklonit Nargis ka shkaktuar ndoshta 100 mijë të vdekur dhe mbi një milion e gjysmë të dëmtuar. Junta kishte deklaruar se nuk ishte i mirëpritur personeli i huaj i shpëtimit, por kishte konfirmuar se do të mbahet sot, pavarësisht kushteve në të cilat gjendet vendi, referendumi i paracaktuar kushtetues. Junta madje ka ftuar popullatën nëpërmjet një mesazhi në televizion, të votojë pro ndryshimeve në Kushtetutë. Po në televizion, junta ushtarake kishte deklaruar se kishte kthyer mbrapsht një avion me ndihma dhe personel ndihmës të ardhur nga Katari, ndërsa më vonë ishte refuzuar edhe një ekip mjekësor i Bangladeshit. "Mianmari (emri që junta i ka dhënë vendit) nuk është gati për momentin të pranojë skuadra shpëtimi apo informuese nga vende të tjera. Për momentin, Mianmari po i jep prioritet pritjes së ndihmave humanitare dhe shpërndarjes së tyre në zonat e goditura nga cikloni, me burimet e veta", thanë zyrtarët. Ndërkohë, mes komunitetit ndërkombëtar, shtohen kritikat dhe presionet mbi regjimin ushtarak birmanes, që shqetësohet më shumë se mos humbet kontrollin mbi popullatën, se sa që t‘i garantojë asaj ndihma pas stuhisë shkatërrimtare. Dje, Kryeministri tajlandez, Samal Sunderavej, anuloi një vizitë të paracaktuar në Birmani, pasi u lajmërua se junta kishte ndaluar hyrjen në vend të personelit të huaj. "Pasi kanë deklaruar se personeli i huaj nuk është i mirëpritur në vend, nuk ka kuptim që unë të shkoj", tha Sunderavej. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë ndërkohë se shqetësim të madh përbën mungesa e ujit të pijshëm dhe shpërthimi i epidemive si malaria.