Kodi, si nxirret rezultati nga komisionet zgjedhore
Gjithçka me hartimin e tabelave përmbledhëse fillon me grupet e numërimit, KZAZ-në dhe, në fund, me KQZ-në
TIRANË- Një ndër çështjet thelbësore që adreson kodi i ri zgjedhor, është edhe nxjerrja e rezultateve në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe ato të zonave zgjedhore në KQZ. Gjithçka fillon nga procesi i numërimit të votave, ku menjëherë pas përfundimit të kësaj hallke, numëruesi i parë i votave, së bashku me anëtarët e tjerë të grupeve të numërimit, do të plotësojë tabelën e rezultateve për atë qendër votimi, sipas formularit tip të përcaktuar nga KQZ-ja. Tabela origjinale e rezultateve të votimit, duke përfshirë edhe kundërshtimet, nëse ka, të anëtarit të grupit të numërimit, i dorëzohet dorazi KZAZ-së nga grupi i numërimit. Një kopje e tabelës së rezultateve i jepet çdo anëtari të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.
Nxjerrja e rezultatit nga KZAZ-ja
Menjëherë pas përfundimit të numërimit, sipas procedurave të detajuara në kod, KZAZ-ja do të jetë ajo që do të plotësojë tabelën përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve për zonën që administron, në të cilën pasqyrohen rezultatet e çdo subjekti për çdo qendër votimi, sipas origjinaleve të përcaktuara për çdo qendër votimi nga tabelat e rezultateve që janë servirur nga grupet e numërimit. Tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve për zonën përkatëse zgjedhore nxirret nga KZAZ-ja jo më vonë se ora 17.00 e ditës së nesërme të votimit. Kjo tabelë duhet të miratohet më vendim të KZAZ-së. Në rast të kundërt, një kopje e tabelës, për çdo qendër votimi, i dërgohet KQZ-së, duke përfshirë edhe rrugët elektronike të komunikimit. Një kopje të këtyre tabelave, pra të tabelave përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve, të qendrave të votimit, u jepen edhe anëtarëve të KZAZ-së dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ndërsa origjinalet e tyre, vulat dhe çdo material tjetër zgjedhor, i dorëzohen KQZ-së.
Nxjerrja e rezultatit nga KQZ-ja
KQZ-ja do të nxjerrë rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë arsye, KQZ-ja plotëson tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore dhe e miraton atë jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave. Kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ-ja, kryesisht ose më kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit. Vendimi i KZAZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të zgjedhjeve mund të ankimohet në KQZ.
Zonat zgjedhore
Rezultatet zgjedhore do të nxirren për secilën zonë më vete. Zonat zgjedhore janë gjithsej 12. Mandatet për çdo zonë zgjedhore ndahen sipas një forume të mirëpërcaktuar tashmë. Mandatet përcaktohen duke pjesëtuar numrin e popullsisë me numrin e 140 deputetëve, nga ku del edhe një kuotë e caktuar. Më pas, numri i popullsisë i çdo qarku do të pjesëtohet pikërisht me këtë kuotë, duke nxjerrë numrin e mandateve për çdo qark. Ndarja do të propozohet nga KQZ-ja dhe do të miratohet me vendim të veçantë nga Kuvendi.
Çështjet kryesore që trajtohen në Kodin Zgjedhor
Në kodin e ri zgjedhor, ashtu siç kanë raportuar dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, përcaktohen qartë rregullat për përgatitjen, zhvillimin administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore. Më konkretisht, në kodin zgjedhor që pritet të marrë firmën e Presidentit të Republikës, sanksionohet caktimi i zonave zgjedhore, afatet, procedura dhe kompetenca për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, organizimi dhe funksionimi i administratës dhe komisioneve zgjedhore, afatet procedurat dhe kompetencat për përgatitjet e ditës së zgjedhjeve, financimi i subjekteve zgjedhore, shqyrtimi i ankimimeve dhe vendosja e sanksioneve administrative dhe penale, si dhe rregulla të tjera në lidhje me zgjedhjet. Gjatë periudhës tremujore të komisionit për reformën zgjedhore, komisioni i posaçëm parlamentar ka zhvilluar 14 mbledhje, në të cilat janë zhvilluar edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit. Në një ndër mbledhjet e komisionit ka raportuar edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, në lidhje me ecurinë e procesit të krijimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
SiguriaNumërimi, si do të instalohen kamerat
TIRANË- Risia gjatë procesit të numërimit të votave, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të jetë pikërisht instalimi i kamerave në çdo tavolinë ku do të numërohen votat. Duke iu referuar materialit të hollësishëm që përcakton pikërisht kodi zgjedhor, do të jetë pikërisht KQZ-ja ajo që do të vendosë përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Është parashikuar që kamerat të instalohen mbi tavolinën e numërimit, në mënyrë të tillë që të bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi dhe që regjistrimi filmik të transmetohet në kohë reale. Më pas, materiali filmik, ashtu si edhe materialet e tjera zgjedhore, do t’i dërgohen KQZ-së. Ky institucion gëzon të drejtën që, më pas, këto materiale filmike t’ua shpërndajë vetëm subjekteve zgjedhore, kundrejt një tarife të caktuar, aq sa kushton në fakt edhe kostoja e prodhimit.
PjesëmarrjaNumërimi, kush merr pjesëTIRANË- Një ndër proceset më të rëndësishme që do të shoqërojë këto zgjedhje, është edhe ai i numërimit të votave. Ky proces do të realizohet nga grupet e numërimit. Grupet e numërimit të votave përbëhen nga katër anëtarë, ku në çdo rast, një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike që i përket kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë, pas hedhjes së shortit. Gjatë procesit të numërimit, lejohet që të qëndrojnë vetëm anëtarët e sekretari i KZAZ-së, kandidatët, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, vëzhgues të tjerë të akredituar, media, si dhe personeli teknik për mbarëvajtjen e kamerave, i autorizuar nga KQZ-ja.