Liberalizim, hiqen pasaportat me Kosovën
Qytetarët kosovarë që hyjnë në Shqipëri dhe ata shqiptarë që shkojnë në Kosovë, do të mund ta kalojnë kufirin me letërnjoftim, pa pasur nevojë të mbajnë pasaportë me vete, bëhet e ditur nga media kosovare. Një deklaratë për shtyp e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, bëri të ditur se për një periudhë gjashtëmujore, duke nisur nga dje, kalimi i kufirit mes dy vendeve do të kryhet edhe me letërnjoftim të vlefshëm. Më herët, për të kaluar kufirin nevojitej domosdoshmërish pasaportë, por banorët e zonave kufitare të Hasit dhe Tropojës janë toleruar deri tani edhe kur kalojnë me certifikatë lindjeje. Vendimi pritet të lehtësojë kalimin e kufirit për familjet kosovare që vijnë për pushime në Shqipëri, duke ulur kostot burokratike të pajisjes së të gjithë anëtarëve të familjes me pasaporta.