E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu, nyja e post-Rugovës në Kosovë

Emri Fatmir Sejdiu është ndoshta nyja e çfarëdo analize që duhet t‘i bëhet transformimit të skenës politike kosovare, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Është politikani i cili ka udhëhequr pa animozitetet e zakonshme Ekipin e Unitetit në bisedimet për statusin, që përfunduan me shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Është drejtuesi i LDK-së që afroi këtë parti me rivalin e saj të së kaluarës, duke e shndërruar në një partner të sotëm të Kryeministrit Hashim Thaçi. Është udhëheqësi i partisë dikur më të madhe, e cila vazhdon të rrënohet, dhe kohën e fundit mbetet subjekt i gjahut nga partneri i fundit i Ibrahim Rugovës, AAK e Ramush Haradinajt. Pranon se ekziston e drejta e mendimit ndryshe dhe parapëlqen të heshtë. Kjo është e vërtetë. Ashtu siç është e vërtetë edhe një tjetër gjë: nuk i merr mediat në telefon. Ndoshta, ky është parim i tij. Ndoshta, injorimin e mediave e ka trashëguar nga Ibrahim Rugova. Ato mund ta kritikojnë sa të duan. Opozita, po ashtu. Por, Fatmir Sejdiu nuk mërzitet. Ai jeton i lumtur në të vërtetat e tij. Për aq sa do të jetë komod.

Java e kaluar është përshkuar me një debat të nxehtë rreth vizitës së Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në vendin tonë. A keni qenë ju në Kosovë gjatë këtyre ditëve zoti President?

Po, kam qenë gjithë kohën prezent në Kosovë.

Nuk reaguat me asnjë deklaratë për këtë vizitë...

Jo. Kanë qenë informacione që i janë drejtuar qeverisë së Kosovës, përmes EULEX- it ose zyrës së ICO-së. Natyrisht, kam qenë i informuar për këto zhvillime. Dhe, në bashkëpunim me Kryeministrin, është marrë vendim. Është vendim i qeverisë, të cilin unë e kam mbështetur. Po ashtu, kishte një komunikim aktiv edhe me mbështetësit e Kosovës. Kemi konsideruar se në një moment të tillë ka qenë një provokim. Jemi të bindur se të gjitha lëvizjet që ka bërë Tadiç, edhe të tjerë zyrtarë të Serbisë, karshi Kosovës, në këtë tip të ecejakeve të tyre, janë një nxitje qëllimore për të krijuar situata të tensioneve të caktuara. Por, kemi menduar, në të njëjtën kohë, se kur jepet leja finale nga qeveria e Kosovës, është një leje e një organi të një shteti sovran. Ai ka ardhur në rrugën si ka ardhur, me helikopter, ka zbritur në Deçan, dhe fatkeqësisht ka lëshuar një pjesë të deklaratës, për të bindur edhe një herë, edhe bashkësinë ndërkombëtare, se nuk është besnik i deklarimeve të tyre.

Por, pse zgjodhët të jeni i heshtur?

Po të kishte ndonjë kërkesë ndaj meje, do të deklarohesha.

A duhet që gjithmonë gazetarët t‘ju pyesin, që ju të bëni një deklaratë?

Ky ka qenë qëndrim i qeverisë. Unë e kam mbështetur.

Kishte presion nga Brukseli dhe Uashingtoni që ta lejonit Presidentin Tadiç të hynte në Kosovë?

Presion nuk ishte. Ka qenë, më tepër, një këshillë. Ka qenë një kërkesë që të mundësohet, të mos lihet një shkas i keqpërdorimeve të momenteve që ishin të rëndësishme për Kosovën. Paralelisht dorëzoheshin deklaratat e ekipeve në GJND. Serbia, realisht, ka dashur të krijojë incidente në këtë situatë. Me qëndrimin që ka marrë qeveria e Kosovës, që të jepet leja për vizitë në pelegrinazh, ashtu siç ishte deklaruar, ishte vendim i drejtë.

A duhet ta shkelim Kushtetutën, në mënyrë që të mos krijojmë incidente me palën serbe?

Nuk është shkelje e Kushtetutës, megjithatë. Kosova është një vend në të cilin do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, edhe të qytetarëve të huaj. Natyrisht, i takon Kosovës të japë vërejte për këtë sjellje. Dhe, sigurisht, herën tjetër, nuk them se cili moment do të jetë dhe kur do të ndodhë, sepse ata s‘do të pranojnë më kërkesa të tilla, ky është një argument plus për të thënë se nuk është mbajtur zotimi i asaj që ka qenë motivi themelor i ardhjes së një Presidenti të një vendi tjetër në Kosovë.

Që do të thotë se...?

Që do të thotë se njerëzit mund të lëvizin. Që do të thotë se edhe Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës mund të shkojnë në vende të tjera, në trajtesën më të mirë. Por, në këtë rast është dhënë një leje për të cilën mendoj se ka arsyen e vet.

Tadiç u lejua të hyjë në Kosovë, pas presioneve. A do të lodheni ju liderët kosovarë duke thënë gjithmonë "Po"...?

Liderët dhe institucionet e Kosovës do të kenë gjithmonë ndjenjën e përgjegjësisë. Do të kenë ndjenjën e bashkëpunimit të gjithmonshëm me shtetet që kanë mbështetur dhe mbështesin ecjen e Kosovës edhe në procese të tjera. Kosova nuk do të dëshirojë asnjëherë që të vihet në një rrafsh të përjashtimit të komunikimit me miqtë e saj. Në këtë kuadër, një situatë e tillë, që unë them sërish se ishte një tip provokimi, është kapërcyer me një qasje të arsyeshme.

Momenti kur jeni zgjedhur President i Kosovës ishte tejet interesant. Si u bë që ju u propozuat për ta udhëhequr vendin? Kush, në fakt, dha emrin tuaj për President?

Ishte një situatë e rënduar për Kosovën, me humbjen e Presidentit Rugova. Në atë situatë, as që kisha vizione për një "vetë-kandidim", sikur mund të kenë pasur individë të caktuar - që është krejt normale. Por, di se është biseduar, pas njoftimeve që kam marrë edhe në LDK, ku zoti Eqrem Kryeziu ishte një nga udhëheqësit e LDK-së, si nënkryetar i parë. Natyrisht, kam pasur edhe komunikime të tjera, të cilat, në njëfarë mënyre, kanë hulumtuar qëndrimin tim për të marrë një pozicion kaq të rëndësishëm. Një qasje e tillë, deri në momentin e propozimit, ishte një kombinim bashkëpunues i pozitës dhe opozitës. Respektoj këtë qasje, duke pasur parasysh se kjo ka ndikuar në mbështetje të përgjithshme. Them se asokohe asnjëherë s‘kam dhënë sinjale me karakter fushate, s‘kam dhënë sinjale që do të nxisnin lëvizje të caktuara. Mirëpo, ishte tepër e nevojshme për Kosovën, në atë moment, që të konsolidoheshim shpejt, sepse ishte një situatë me urgjenca të veçanta. Humbja e Presidentit Rugova ishte një goditje për qytetarët dhe institucionet. Dhe, paralelisht, kishim detyra shumë të rëndësishme dhe me prioritet, që ishte procesi i negociatave për statusin e Kosovës.

Rruga juaj deri këtu, prej se jeni bërë President i Kosovës, mund të shihet nga dy kënde. Arritët ta përmbyllni statusin dhe ta shpallni pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, partia juaj, gjatë gjithë kësaj kohe, ka shkuar në përplasje të vazhdueshme dhe nuk ka qenë kompakte sikurse partitë e tjera. Për faktin që ju udhëhiqni shtetin dhe jeni të zënë me obligime të tjera, LDK-ja ka mbetur pas dore. Pajtoheni?

Është një periudhë që ka arsyet e veta. Ka ndodhur një proces që nuk ka arsyetuar numrin që kishte më parë, në zgjedhjet e mëhershme, me prezencën e re në Parlament. Janë të natyrshme interesat dhe ambiciet, por edhe qasjet e tjera që mund të kenë njerëzit. Fundja, secili mund të zgjedhë rrugën e vet, pa imponim të caktuar. Nga kjo periudhë dhe tani unë kam pasur për obligim, në radhë të parë për veten time, që të kem kujdes të veçantë të mosinterferencës në zhvillimet që kanë të bëjnë me inkompatibilitetin, veçanërisht në periudhën kur Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi. Pavarësisht këtyre nuancave që ishin prezente, e mbase mund të jenë ende pjesë e përpjekjeve të regjenerimit, forcimit, konsolidimit, ndoshta edhe mund të ketë ambicie të të tjerëve që të shohin pozicion tjetër të këtij subjekti politik, LDK-ja do të gjejë fuqinë dhe energjinë e vet për të dhënë një dëshmi plus për vlerat që ka si subjekt politik. Pa e mohuar asnjëherë, nga roli që unë kam, vlerën e secilit subjekt politik në Kosovë. Nëse ka një vlerë të veçantë të asaj ecjeje të gjatë, tash po bëhen gati 20 vjet, është vlera e tolerancës, e respektit për individin, vlera e bashkëpunimit në procese të mëdha. Kjo, si frymë, duhet të kultivohet edhe më tej. Secila parti politike, edhe LDK, edhe PDK, edhe AAK, edhe secila parti tjetër, do të bëjë përpjekjet më të mëdha të mundshme për të siguruar numër më të madh të përfaqësuesve të tyre në institucionet e shtetit. Por, po ashtu, është në dorën e qytetarëve që të jenë vrojtues të thellë të të gjitha zhvillimeve, të vlerave për secilin, dhe të japin verdiktin e tyre në proceset zgjedhore.

Z. President, ju jeni i bindur që nuk po e shkelni Kushtetutën e Kosovës, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, apo kështu duhet të deklaroheni?

Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë...

Po, është shumë e qartë. Thotë se Presidenti nuk mund t‘i ushtrojë dy poste...

Nuk mund t‘i ushtrojë dhe nuk ushtrohen. Nuk thotë që s‘mund të ketë në nominacion edhe një post tjetër. Prandaj, nëse Kushtetuta është e tillë, unë do të jem i përgjegjshëm ta respektoj këtë dispozitë kushtetuese. Sigurisht që LDK do të ketë procese zgjedhore. Është në dorën e saj, të anëtarësisë së saj, që t‘ia japë besimin kujtdo, në procese normale. Ajo që është në dispozitën kushtetuese, është shumë e qartë. Koment tjetër nuk mund të ketë.

Do të kishit deklaruar kështu edhe si jurist?

Gjithmonë. E them edhe si jurist. Ushtrim i detyrës tjetër, do të thotë qasje aktive, me obligim të caktuar.

Si ju duket që po qeveriset vendi?

Nuk gjej asnjë vend në botë që ka pushuar me kërkesën për më shumë demokraci. Nuk gjej asnjë vend në botë që i ka vënë pikë kërkesës për të kërkuar qasje më të mirë në qeverisje. Nuk gjej asnjë vend në botë që ka arritur të bëjë një kënaqje totale të pritjeve të qytetarëve. Prandaj, gjithmonë këto janë si pjesë të temave bosht, që nxisin kërkesën për më shumë. Kosova, natyrisht, dallon nga vendet e demokracisë së avancuar, sepse jemi të përballur me vështirësi të shumta, jo vetëm si pasojë e luftës, por edhe situatave tepër shtrënguese. Nuk është arritur të gjendet optimalja ende, për të pasur ekipet që do të mbajnë boshtin themelor profesional në ndërtimin e mekanizmave shtetërore. Në përgjithësi, është një funksionim solid. Sigurisht ka hapësirë të bëhet punë më tepër. Fundja, kemi përballjet e çdoditshme me qytetarët. Dhe, secili subjekt politik, pavarësisht pozitën a opozitën, do ta ketë të vështirë që të gjitha t‘i përmbushë, sepse kemi një fakt të përballjes ditore, të asaj që mund të jetë pjesë e nevojës së vazhdueshme të qytetarëve, dhe të asaj që është pamundësi. Ta zëmë, kemi një përballje të drejtpërdrejtë me politikën fiskale të brendshme, që duhet të jetë në përputhje të plotë që ka FMN. Qeveria e Kosovës nuk mund të lëvizë jashtë këtyre kornizave, në përmbushjen e atyre kërkesave që mund t‘i gjejmë edhe në greva. Çështje tjetër është realizimi i projekteve. Do ta dëshiroja që secila pozitë ta sigurojë në mandatin e vet përmbushjen e premtimeve. Nuk mendoj se mund të arrihet qëllimi i plotë, por do të jetë pjesë e vazhdimësisë së proceseve.

Ǒraporte keni me Kryeministrin Thaçi?

Korrekte. Janë raporte të bashkëpunimit. Takohemi rregullisht. Çdo të hënë të rregullt, kur jemi në Prishtinë, takohemi. Dhe, shpesh edhe me Kryetarin e Parlamentit.

A është ky partneritet mes jush për një mandat?

Është partneritet për përgjegjësitë që kemi.

Partitë opozitare kanë filluar ta shohin me frikë koalicionin aktual, sepse mendojnë që dy partitë më të mëdha mund të kenë monopol në KQZ, në vendet kryesore prej të cilave varet edhe organizimi i zgjedhjeve...

Nuk di cilat mund të jenë vrojtimet për partitë. Unë flas në rolin që kam, në bashkëpunimet që kam me Kryeministrin, me Kryeparlamentarin, me partitë politike, pavarësisht se mund të ketë qasje dhe deklarime të formave të ndryshme të njerëzve. Ajo që unë e përcjell, që është borxhi mi institucional e njerëzor, është që të bëjmë analizat, të bëjmë shqyrtimin e pikave të rëndësishme, jo vetëm të momentumit, por edhe të ngjarjeve që kemi para vetes. Natyrisht, është edhe borxh i qeverisë të rishikojë atë që ka arritur, në kuadër të realizimit të projektit të saj. Dhe, e them gjithmonë, është borxh i opozitës që të gjuajë në njollat e zeza, nëse ajo mund t‘i cilësojë e gjejë, të thërrasë interpelancë, sepse është luftë politike, është krejt normale. Por, paralelisht, është borxh i pozitës të shikojë vetveten.

Kur do ta caktoni datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale?

Unë do të bëj konsultat, në bazë të Kushtetutës, shumë shpejt. Mendoj se në momentet e para të fillimit të majit do t‘i thërras në konsultë të gjitha partitë politike. Do ta shoh metodologjinë. Besoj do t‘i thërras edhe në konsulta veçmas, edhe të gjitha së bashku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›