E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsion në pallatin e fi nancave

Verëra nga më të çmuarat, dreka me arragosta e paga miliona dollarëshe - jeta si peshkaqen i Wall Street dukej e bukur në fillim. Por, në mes të luksit, teprimit e ekstravagancës, Filip Mejer nisi të ndjente neveri ndaj mungesës së çdo norme morale në zemrën e sistemit financiar amerikan

Punoja për bankën prej pesë javësh, kur u zgjova në ballkonin e një resorti turistik në Alpet Zvicerane. Ishte mesnatë dhe isha i dehur. Një prej kolegëve të mi po kryente nevojat personale në bahçen poshtë nesh, ndërkohë që një tjetër hidhte gota vere nga ballkoni. Pas nesh, dikush tjetër kishte vjedhur lustruesen e këpucëve të hotelit dhe po e fuste në dhomë; në radhë prisnin disa bankierë të dehur për të lustruar këpucët. Kaluan disa javë të tilla përpara se banka të na konsideronte të trajnuar në mënyrën e duhur.

Unë nuk i përshtatem profilit të bankierit. Kisha një master në anglisht dhe netëve shkruaja një libër. Thuajse gjithë të tjerët kishin mastera në matematikë apo ekonomi. Kisha shpenzuar një vit duke studiuar probleme matematike, duke u stërvitur në llogari të shpejta, për hir të intervistimit. Memorizoja çdo mëngjes gjithçka shkruhej në "The Wall Street Journal". As që më interesonte se ç‘punë duhej të bëja. Në Universitetin Kornel kisha dëgjuar se pas pesë vitesh punë në Wall Street, mund të arrish të fitosh gjysmë milioni dollarë në vit; pas dhjetë vitesh mund të presësh 1 milionë e më shumë akoma. Nuk kisha paguar ende kuotat universitare dhe prindërit nuk më ndihmonin dot. Kisha nevojë për para.

Duket se Bankës UBS iu duka kandidatura e duhur, pasi pavarësisht njohurive të pakta bankare, më vendosën në tryezën e tregtimit të derivativëve. Ishte një vend i shkëlqyer, tregtarët e derivativëve konsiderohen si elitë, më të këqijtë e më të këqijve.

Derivativët janë kontrata financiare, vlera e të cilave bazohet (rrjedh) te diçka tjetër. Fillimisht u krijuan për të mbajtur një stabilitet dhe për të pozicionuar kapitale, të cilat u jepnin mundësinë biznesmenëve të eliminonin disa lloje risqesh financiare. Për rreth njëqind vjet derivativët kanë qenë një lloj lubrifikanti në makinën financiare botërore.

Në kohën kur unë nisa punë në Wall Street, në vitin 1999, lidhja mes derivativëve dhe botës reale ishte prishur. Në vend që të përdoreshin për të pakësuar risqet, 95 për qind e tyre përdoreshin për spekulime në bursa - një term për të përkufizuar me mirësjellje bixhozin. Përdoreshin edhe për manovra të tjera, që do të thotë në shumë raste marrja parasysh e rreziqeve të mëdha për fitime të vogla. Kështu, ndërkohë që derivativët, ashtu si gjithë sistemi financiar në përgjithësi, nisi të vihej në shërbim të industrisë, në fund të viteve nëntëdhjetë, situata mori drejtimin e kundërt. Tregu ishte kthyer në një forcë lëvizëse thuajse fetare në kulturën tonë; industria, shoqëria dhe politika ishin përkulur tërësisht para tij.

Shumë shpejt u bë e qartë edhe ajo që nuk i pëlqente tregut. Atij nuk para i pëlqejnë ta mbikëqyrin nga afër. Nuk i pëlqejnë rregullat e vendosura nga qeveritë. Nuk i pëlqejnë të mirat e prodhuara në shtetet e Botës së Parë, ose punonjësit që marrin paga të mira, me përjashtim të punonjësve të sektorit financiar. Kjo pika e fundit më shqetësonte në mënyrë të veçantë.

Unë u rrita në një familje jo të pasur dhe pata shumë peripeci, deri sa m‘u dha mundësia të studioj në një prej universiteteve më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Puna e parë pas universitetit ishte tregtimi i aksioneve dysheme në UBS. Kështu që kur dëgjonim se një kompani amerikane po mbyllte degën në vend, ndieja kundërshti brenda vetes kur vëreja se çmimi i aksioneve të saj rritej për shkak të këtij lajmi. Mbylljet e fabrikave të tilla kishin lënë në harresë lagjen ku kisha kaluar fëmijërinë. Nuk isha i vetmi që ndihesha kështu, por edhe nuk kisha shumë shokë. Një koleg britanik, me të cilin u trajnuam, që më pas u bë tregtar valute, një herë më tha: "Dua të them, për atë Krisht, miku im, si ka mundësi që kur mbyllet një fabrikë në Uells tregu rritet. Gjithë ky sistem është paksa i dhj..., apo jo?" - dhe sigurisht që i tillë ishte. Pyetja ishte si të silleshe me të.

Mënyra më e lehtë ishte të përfshiheshe në sistem duke bindur veten se nuk kishte rrugë tjetër për të siguruar jetesën. Fakti është që u bëra kaq i aftë në bindjen e vetes se nuk ka shpëtim tjetër, sa kur miku im Mark Brjuin më pyeti: "Pra kështu do të jesh, një kafshë egoiste?" - unë i thashë: "Se mos kemi rrugëzgjidhje tjetër". "Jo", më tha, "ka gjithnjë një zgjidhje tjetër. Vetëm se është më e lehtë të bësh sikur nuk ka". E çuditshmja ishte se ajo që kisha kërkuar më shumë në jetë, të bëhesha i pasur, papritmas po më shkaktonte konflikte të forta brenda vetes. Nisa të shkruaja një libër të dytë mbi një djalosh që vinte nga provincat në Wall Street e që edhe u josh, por edhe u llahtaris nga kultura e eksesit.

E kuptoja shumë mirë gjithçka. Gjatë punës në bankë shtova 20 kilogramë dhe jo prej sanduiçëve. Hanim në restorantet më të mira, jo tek ata ku shkonin shitësit e makinave, aty ku mund të hanin vetëm agjentët e bursës. Pavarësisht asaj që hanim, gëlltisnim me sasi të mëdha. Porosisja rreth gjysmë duzinë oreks-ndjellësish, plus një biftek e arragostë, plus një a dy ëmbëlsira e aq verë sa mund të mbaja - për sa kohë kushtonte disa qindra dollarë shishja. E mbyllja me një tretës që normalisht ishte ndonjë konjak 30-vjeçar. Nuk ka fjalë për ta shpjeguar gjithë këtë, përveç arsyetimit se po nxitoja të ruaja të njëjtin hap me kolegët e mi. Dhe sfida nuk qëndronte më shumë tek ushqimi se sa te vera. Kolegët e mi më të vjetër mund të porosisnin shishe që kushtonin më shumë se pak qindra dollarë, "Opus One", "Chateau Latour". Mbeta i tromaksur herën e parë që pashë një faturë tavoline prej dhjetë mijë dollarësh. Por ai ishte veç fillimi.

Ajo që na nxiste më shumë nga të tëra ishte dëshira për të konsumuar sa më shumë para. Nuk kam parë kund tjetër njerëz që me kuptimin e plotë u vënë flakën parave, por unë vetë pagova një herë 2 mijë dollarë për një "Margaux" të vitit 1983.

Trazimi i ndjenjave brenda meje nisi të shfaqej në një seri mënyrash, të cilat më së shumti shfaqeshin me dëshirën për t‘iu shmangur punës - gjë që më bënte të ndihesha më pak fajtor. Bëra ç‘të mundesha për të marrë përsipër detyrën e rekrutimit të punonjësve të rinj në universitetin ku kisha studiuar vetë, i fundit vend ku isha ndier i lumtur. I intervistoja studentët premtues dhe i këshilloja të kërkonin diçka tjetër, por si edhe unë në atë kohë, atyre nuk u shihnin sytë tjetër gjë veç parave.

Pak nga pak po hyja në izolimin social, ku gjendeshin edhe kolegët e mi. Kaloja gjithnjë e më pak kohë me njerëzit normalë e gjithnjë e më shumë me bankierët. Në një rast bashkë me një koleg morëm përsipër të dëfrenim disa prej studentëve rekrutë. Porosita thuajse gjithçka gjendej në meny. Të gjithë shqyen sytë nga pjatat e karkalecave, arragostave, midhjeve e mishit që mbushën tavolinën, e që në pjesën më të madhe mbetën pa u prekur. Unë kisha pirë aq shumë verë të kuqe 400-dollarëshe sa nuk mbaja dot më në çastin kur vura re se të gjithë studentët ishin bërë tapë. Nuk mbaj mend si arrita në shtëpi. Ua tregova të nesërmen kolegëve me shpresën e fshehtë se do të më qortonin, por kur arrita tek e vjella, më konsideronin hero, pasi kjo ishte pjesa e tyre më e bukur.

Përveç efekteve fizike që më solli shëndoshja e tepërt, isha kthyer në një njeri tepër nervoz. Në sallën e tregtisë së aksioneve, mënyra më e mirë për të fituar është përmes agresivitetit. U ktheva në një idiot kokë e këmbë. U çirresha shoferëve të tjerë në trafik për pakënaqësinë më të vogël. Nga të shkruarit po largohesha gjithnjë e më shumë, por megjithatë për një periudhë po shkoja shumë mirë me romanin mbi të riun provincial. Vetëm se banka më hodhi në rrugën e menaxhimit, që do të thoshte se duhej të merresha me gjëra të reja. Pas një viti në atë punë më dërguan në NASDAQ, ku për çudi nuk punohej 12 orë, por vetëm tetë orë. Kisha gjithë kohën e mundshme në dispozicion për të shkruar dhe kjo më gëzonte pa masë.

Gjatë fundit të vitit të dytë të punës në bankë mora një javë pushime. Mendova t‘i ndërroj motorin "Volkswagen"-it tim (sigurisht pa u treguar kolegëve). Shkova te servisi i një shoku tim dhe nisa të merresha vetë me motorin. Ndihesha shumë i lumtur që po vija në përdorim përsëri duart, të rrija mes njerëzve dhe të kuptoja se sa shumë e urreja punën që bëja. Shikoja shokët e mi në servis dhe më vinte ndër mend se po fitoja në vit më shumë nga çdo mund të fitonin ata gjatë gjithë jetës. Dhe përse? Në thelb për ndihmën që jepja për të shkatërruar jetët e njerëzve si ata me të cilët isha rritur.

Gjë që më sjell te një pikë e përmendur më lart. Një prej arsyeve për të cilat lejojmë që tregu të ushtrojë kaq shumë kontroll në jetët tona, gjë që nisi në vitet nëntëdhjetë deri te katastrofa e vitit 2008, është propaganda që u bëjmë të mirave të pafundme të tregut. Ideja e Tregut-Zot, që sheh gjithçka, di gjithçka përtej çdo dyshimi, është ajo që lejon një shef të madh ekzekutiv të pushojë disa mijëra njerëz nga puna, ndërkohë që për vete firmos çeqe 40 milionë dollarësh. Është ai që u jep shansin disa menaxherëve fondesh të fitojnë gjysmë miliardë dollarë në vit (po, po, gjysmë miliardë dollarë në vit), ndërkohë që shkollat e urat shemben.

Në fakt, tregu nuk është as më shumë e sa më pak, por njerëzit që e përbëjnë. Tregjet kontrollohen nga një numër shumë i vogël investitorësh - tregtarë në banka, fonde investimesh, e fondesh të tjera - të cilët kanë makina të bukura e pinë verë të shtrenjtë. Ndërkohë që ne kemi nevojë për tregjet financiare. Janë domosdoshmëri e qytetërimit modern. Ajo që nuk është e domosdoshme, është se njerëzit që i kanë në dorë këto tregje paguhen me shifra skandaloze krahasuar me të tjerët.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ajo që i motivon këta njerëz, të shpërblehen me çeqe disa milionëshe apo qindra miliona dollarëshe, nuk ka të bëjë fare me punën që bëjnë me të vërtetë. Dikur njerëzit i kryenin punë të tilla kundrejt pagesave shumë të vogla dhe nuk është se sot ka mungesë kandidaturash - për çdo një rekrut që punësonim në Universitetin Kornel kthenim mbrapsht dhjetë të tjerë.

Arsyeja për të cilën jemi sot në këtë ditë të zezë nuk fshihet aq shumë te dështimi ynë në kuptimin e ekonomisë, por te dështimi në të kuptuarin e natyrës njerëzore. Jepu një grushti njerëzish mundësinë të pasurojnë veten përtej ëndrrave më të shthurura të kujtdo, një këndvështrim filozofik për të shpjeguar disi racionalist gjithë dëmin që po shkaktojnë, dhe ata nuk do të ndalen deri në çastin kur ta nxjerrin ekonominë botërore tërësisht jashtë shinave.

Nuk është se njerëzit në qendër të Nju Jorkut apo në Wall Street janë domosdoshmërisht të këqij: ndodh vetëm që ata, si thuajse gjithkush tjetër, do bënin ç‘të kishin në dorë për të marrë çeqet e tyre prej 1 milion apo dhjetë milionë dollarësh. Këta i interpretojnë të dhënat në mënyrë kreative, nënvleftësojnë rreziqet, u japin shtysë gjërave. Disa arrijnë të gënjejnë, të mashtrojnë dhe të vjedhin. Por pjesa më e madhe e tyre, si shumë prej nesh, thjesht nuk pranojnë ta shohin botën nga një perspektivë tjetër që nuk është e tyrja. Dhe po të jemi të zgjuar, duhet t‘i mbikëqyrim me shumë vëmendje - tani por edhe në një të ardhme të largët.

U largova nga banka në vitin 2001, ndërsa kisha shkruar një pjesë të mirë të librit të dytë. Në vitin 2004 gjërat nuk po më shkonin ashtu siç kisha shpresuar. Isha pa një dyshë në xhep dhe libri i dytë më ishte kthyer mbrapsht nga çdo shtëpi botuese në SHBA. Shkova në lagjen ku isha rritur dhe po ngushëllohesha me faktin se nisa të rivendos lidhjet me njerëzit. Në vitin 2005 fillova të shkruaj librin e tretë, "Amerika e ndryshkur", mbi forcën që kanë rrethanat për të na ndryshuar aq rrënjësisht moralin, si dhe mënyrën si i shohim gjërat. Doja t‘i bëja lexuesit të mendonin pikërisht mbi çdo të thotë të jesh njerëzor. Çfarë fshihet brenda nesh? Nga vjen morali ynë? Çfarë na dallon nga kafshët e tjera mbi Tokë? Çfarë njësish matëse përdorim për të përkufizuar miqtë apo familjarët dhe deri në ç‘pikë mund të arrijmë për t‘i mbrojtur?

Sigurisht janë pyetje mbi shoqërinë në përgjithësi dhe nuk mund t‘i përkasin veç letërsisë. Ndoshta duhet të vijnë kriza të tilla për të na shkundur e për të na detyruar të shtrojmë pyetje të tilla: çfarë jemi, çfarë është më e rëndësishme për ne, si duhet ta përkufizojmë humanizmin tonë? Përgjigjet që do të zgjedhim do të përcaktojnë botën ku jetojmë dhe atë ku do jetojnë të tjerët pas dekadash.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›