E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si të gjeni me kompjuter ku ndodhet makina juaj

Mjafton të vendosni një aparat në madhësinë e gjysmës së një celulari të zakonshëm në makinën tuaj dhe hapësira e rruzullit tokësor zvogëlohet në dorën tuaj. Në çdo çast ju mund të gjeni se ku ndodhet automjeti juaj, me çfarë shpejtësie po ecën, si dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me gjendjen dhe konsumin e makinës. Nuk ka rëndësi se në cilin cep të globit ndodhet. Janë 24 satelitë amerikanë që janë në dispozicionin tuaj ta gjejnë dhe t‘ua tregojnë në moment çdo të dhënë që dëshironi. Kjo teknologji shumë moderne tani mund t‘i ofrohet çdo shqiptari, sepse ajo ofrohet në Shqipëri. Megjithëse duket shumë moderne, është shumë e thjeshtë në përdorim nga çdo i interesuar. Nuk ka nevojë për ndonjë kualifikim ose trajnim të veçantë.

Risia që ofron për herë të parë në tregun shqiptar firma "GPS Kontroll Albania", i ofrohet si një njeriu që ka një makinë, por dhe bizneseve që kanë shumë automjete dhe kërkojnë të kenë informacion mbi vendndodhjen e tyre në çdo moment. Aktualisht kjo firmë ka ekspozuar shërbimet e saj në një stendë të panairit ndërkombëtar të "Teknologjisë dhe Cilësisë 2009", i hapur këto ditë në Pallatin e Kongreseve. Administratori i "GPS Kontroll Albania", Geri Zaimi, thotë se "jemi shumë të specializuar në lokalizimin dhe monitorimin e objekteve në gjithë territorin shqiptar dhe vendet e tjera. "GPS Kontroll Albania" është firma e parë në Shqipëri, e cila operon në fushën e sistemeve të GPS për kontrollin dhe sigurimin e automjeteve. Ajo operon nëpërmjet kompanisë "GPS Control", me vendndodhje në Bullgari, e cila nga ana e saj operon gjithashtu në Itali, Austri, Hungari, Spanjë, Greqi etj. Suksesi dhe cilësia e lartë e shërbimit të ofruar sigurohet nëpërmjet serverave të fuqishëm të instaluar posaçërisht për sistemin FIXY në Bullgari, si dhe nga një staf me kualifikim të lartë".

Ǒështë sistemi GPS?

GPS (Global Positioning System) përbëhet nga 24 satelitë, të dërguar në orbitë nga qeveria amerikane me qëllime krejtësisht ushtarake, por në vitet ‘80 potenciali i tij është gjithashtu i përdorshëm edhe për popullsinë civile. GPS punon 24 orë në ditë, kudo në botë. Mënyra se si funksionon, paraqitet si vijon.
Sateliti GPS i dërgon sinjale marrësit GPS në Tokë dhe krahason kohën e dërgimit të sinjalit nga sateliti, me kohën e marrjes së këtij sinjali. Në praninë e të paktën tre satelitëve, pozicioni i marrësit mund të përcaktohet me një saktësi të plotë, me qëllim përcaktimin e pozicionimit të pajisjes marrëse, përkatësisht të mjetit motorik apo objektit lëvizës. Nëse janë katër ose më shumë satelitë, atëherë është e mundur të përcaktohet lartësia, të llogaritet shpejtësia, drejtimi, distanca e udhëtimit dhe çdo gjë tjetër lidhur me këtë lëvizje. Saktësia e sinjalit GPS është kaq precize, saqë koha mund të përcaktohet brenda milionave të sekondës. Saktësia në përcaktimin e shpejtësisë dhe pozicionimi i objektit janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Si ofrohet

"GPS Kontroll Albania" është një kompani e cila i zhvillon vetë produktet dhe shërbimet e saj. I gjithë procesi i punës, duke filluar nga zhvillimi i produktit deri në hedhjen e tij në treg, realizohet tërësisht nga ekipi i GPS Kontroll Albania. Kjo veçori bën të mundur një fleksibilitet të jashtëzakonshëm dhe një reagim të shpejtë në mjedisin dinamik të tregut. "GPS Kontroll Albania" është e pranishme me shërbimet e autorizuara në të gjithë territorin e vendit, duke ofruar zgjidhje të problemeve të ndryshme brenda 24 orëve, në të gjithë Shqipërinë dhe brenda 78 orëve në të gjithë territorin e Evropës. Ofron një raport optimal midis çmimit dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve.

Përdorimi

Me ndihmën e specialistëve të firmës "GPS Kontroll Albania", klienti i interesuar vendos pajisjen në automjetin e tij, si dhe regjistron në një program kompjuterik të gjithë informacionin për mjetin, drejtuesin e mjetit, përdoruesit, grupet, pajisjet GPS, kartat e identifikimit të drejtuesve të mjetit, sasinë e parashikuar të karburantit të harxhuar për çdo mjet dhe kohën e punës. Pasi ka mbaruar këtë proces regjistrimi dhe pajisja vihet në funksionim, orientohet nga specialistët e "GPS Kontroll Albania" se si të kontrollojë nëpërmjet internetit çdo informacion të këtij lloji për automjetin që zotëron. Avantazhet e këtij sistemi të emërtuar FIXY janë se u siguron përdoruesve monitorim 24 orë të objekteve në lëvizje në kohë reale. Informacioni rreth pozicionimit të tyre merret çdo 20 sekonda përmes rrjetit GPRS për transmetimin e të dhënave. Objektet mund të shihen në një ekran kompjuteri ose laptop-i në një pamje grafike. Nëse objekti është në lëvizje, kjo tregohet në hartë me ngjyrë blu; nëse ai po qëndron pa lëvizur, kjo tregohet me të kuqe. Përveç ndjekjes së lëvizjes dhe vëzhgimit të pozicionimit të objektit në kohë reale, klienti mund të shikojë/rishikojë, itineraret e përshkuara në një ditë të mëparshme ose deri në një vit përpara, të përcaktuar nga vetë ai. Ky program ofron dhe sisteme lajmërimi. Për shembull, në rastin e një tejkalimi të shpejtësisë brenda një periudhe kohe të veçantë ose jashtë zonës në një periudhë kohe, butoni i panikut të dërgon mesazh në ekran. Programi përdor bazën e të dhënave me adresat për të gjithë Shqipërinë dhe Evropën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›