Një PS pa Ramën voton për heqjen e vizave

Xhaketat e vjetra të PS s’kanë shkuar dot shumë larg në përpjekjen për të vonuar më tej procesin e liberalizimit të vizave. Pa praninë antievropiane të Edi Ramës bordurave të Tiranës, socialistët kanë njohur dje në parlament meritën e mazhorancës në përmbushjen e reformave dhe kanë votuar pa kundërshtime rezolutën që i bën thirrje BE të heqë menjëherë regjimin e vizave për shqiptarët.
Sali Berisha: Të nxish punën e qeverisë, qëndrim bizar dhe kundër interesave të vendit
Partia Socialiste, ashtu siç edhe ishte parashikuar angazhoi dje në Kuvend gjeneratën e vjetër në saj, për të përbaltur arritjet e qeverisë në procesin e integrimit të vendit në BE. Klanizimi i PS-së dha efektet e para menjëherë pas hyrjes së deputetëve part-time të opozitës, kur fjalën e kërkuan njëri pas tjetrit Arta Dade dhe Gramoz Ruçi, të dy përfaqësues të nomeklaturës komuniste dhe tani në kohët moderne të vënë në shërbim të klikës më fataliste të Xhelilit të PS-së, Edvin Kristaq Rama. Xhaketat e vjetra, Dade dhe Ruçi, kërcënuan për largimin nga seanca nëse nuk bëhej një ndryshim, në një nga pikat e rezolutës së grupit parlamentar demokrat. Gjenerata e vjetër e nomenklaturës komuniste bëri të gjitha përpjekjet tinëzare, për të mohuar me çdo kusht arritjet e qeverisë në sigurimin e liberalizimit të vizave dhe në tërësi procesit të integrimit të vendit. Problemi i Dades dhe Ruçit nuk ishte vërtet ajo pikë në draft-rezolutën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por nihilizmi i frymës së pushtetit dhe opozitarizmi i regjur i partisë së Edvinit, konvertuar prej kohësh në një ngrehinë e destabilizuar që mbahet falë patericave të kësaj gjenerate të djegurish.
Kryeministri reagon pas deklaratave të Arta Dades dhe Gramoz Ruçit
Kryeministri i vendit Sali Berisha reagoi dje në seancë plenare, në përgjiegje të akuzave të deputetëve të PS-së Arta Dade dhe Gramoz Ruçi.
E para pretendoi gjatë gjithë fjalës së saj në mënyrë të paqartë dhe e frymëzuar nga tezat e rrënuara marksiste, se qeveria nuk kishte bërë aq sa duhej në procesin e heqjes së vizave, madje përkundrazi e ka penguar atë! Në përgjigje të kësaj deklarate, erdhi reagimi i menjëhershëm iKryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se “Dade listoi një zinxhir kilometrik të pavërtetash, por deklarata e saj, nuk e ndrin atë, kurrsesi në këtë sallë kuvendi”. “Nuk dua të bëj asnjë koment nga ato që Dade, rreshtoi këto, por e kam një keqardhje dhe këtë keqardhje e kam si keqardhje private: Ju e dini se çdo ditë, hapni shtypin dhe gjenin me germa kapitale, këto dhe ato për Berishën, por a e dini ju që mua më bëhet qejfi. Pse? Janë dhjetëra analistë që mbushin faqet e gazetave. Paguhen majmë për të shpifur dhe sajuar. Shumë prej tyre, marrin një rrogë 3 deri në katër herë më të madhe të kryeministrit. Keqardhja ime është se ligjërata jote nuk të ndrin në këtë sallë, por si politikë unë të përgëzoj për fjalën që mbajte. Ju nuk jeni prekur nga anti berishizmi”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kërkesës së vazhdueshme të PS-së për të hequr nga rezoluta “arritjet e qeverisë”, Berisha iu përgjigj se është një qëndrim bizarë, sepse në raste se nuk do të kishte arritje parlamenti nuk do të bënte hipokrizinë e votimit të kësaj rezolute.
“Mund tu them z. Ruçi, se në këtë proces dhe në këtë problem, në udhërrëfyesin, në plotësimin e udhërrëfyesit për heqjen e vizave, kanë një kontribut jo më pak se 40 institucione dhe agjenci të këtij vendi. Në të gjithë komponentët që ministri Basha paraqiti, është mundi, djersa dhe përkushtimi i mijëra punonjësve të institucioneve shtetërore të këtij vendi qeveri, gjykata, prokurori, të gjitha institucionet me radhë, të gjitha agjencitë kanë kontribuua. Kërkesa për heqjen e vizave është një kërkesë e bazuar mbi bazën e meritës, mbi performacën dhe masat konkrete dhe nuk mund të jetë asnjëherë ndryshe. Nuk mund të imagjinoj që parlamenti të kërkojë heqjen e vizave pa shprehur një vlerësim, për një punë dhe normë që është bërë, për reformat e thella që janë ndërmarrë, për praktikat e reja që janë vendosur, për kostot që janë përballuar dhe kjo e vetmja gjë, që mund të pranoj si kompromis këtu me kënaqësi, të mos themi ‘arritje të qeverisë’, por ‘autoriteteve dhe institucioneve shtetërore’, jam dakord. Por të themi se do të votojmë një rezolutë në të thatë, atëherë pse të votojmë kot? Ato janë bërë. Sot kemi pasaportat më moderne në Evropë. Dhe këtë nuk e them unë, por personalitetet më të rëndësishëm në Evropë. Nuk mund të them se në pikat doganore, nuk është vendosur sistemi TIMS. Kjo është bërë dhe është bërë nga paratë e taksapagues shqiptarë. Nga vjen zotërinj heqja e vizave për shqiptarët? Nga krijimi i një realiteti të ri, porsa i takon standardeve. Kompromisi mund të bëhet, duke e zgjedhur spektrin me ‘institucionet apo autoritetet shtetërore’. Por që të heqim vlerësimin e punës, është e pakuptimtë”, u shpreh në fjalën e tij, kryeministri i vendit Sali Berisha
Kuvendi, 127 vota ‘pro’ miraton rezolutën e vizave
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje në seancë plenare, rezolutën e propozuar nga Grupi parlamentar demokrat për nxitjen e procesit të heqjes së shpejtë të vizave për shqiptarët. Me 125 vota ‘pro’ asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i dha mbështetje procesit dhe inkurajon rolin e rëndësishëm të reformave në vend.
Në prani edhe të deputetëve të opozitës, Kuvendi i dha mbështetje të plotë rezolutës dhe hapave të mëtejshëm në procesin e liberalizimit të vizave. Rezoluta, ka për qëllim mbështetjen dhe përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, ku vlerësohen hapat e marra nga qeveria dhe institucionet shtetërore në përmbushje të këtij qëllimi madhor. Qëllimi parësor i kësaj rezolute është inkurajimi i ekzekutivit dhe i çdo agjencie që lidhet në mënyrë direkte me procesin e liberalizimit të vizave. Rezoluta i bën ftesë Komisionit Evropian të respektojë kalendarin kohor për përgatitjen e raportit vlerësues për të mundësuar liberalizimin e vizave për shqiptarët në fillim të pranverës. Gjithashtu, rezoluta ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij.
Pesë pikat e rezolutës
1. Rezoluta konfirmon mbështetjen e të gjithë forcave politike të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe shpreh njëzëri vendosmërinë për të përmbushur udhëtimin pa viza në vendet “Schengen”.
2. Rezoluta vlerëson arritjet e Shqipërinë në përmbushjen e detyrimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërinë në vazhdimin e përpjekjeve për të konsoliduar më tej progresin tashmë të konsiderueshëm, të njohur dhe vlerësuar nga të gjitha institucionet e BE.
3. Rezoluta mbështet deklaratën e përbashkët të Parlamentit Europian dhe të Këshillit datë 30 nëntor 2009 dhe në vijim të saj miratimin e rregullores 1244/2009, në bazë të së cilës dy institucionet shprehin besimin që Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave, sapo Komisioni të vërtetojë që Shqipëria i ka plotësuar detyrimet e udhërrëfyesit.
4. Rezoluta përshëndet faktin që Komisioni Europian i ka përfunduar misionet e ekspertëve dhe i bën ftesë Komisionit të respektojë kalendarin kohor për përgatitjet e raportit vlerësues, për të mundësuar propozimin legjislativ, për liberalizimin e vizave në fillimin e pranverës 2010, çka do t’i hapte rrugë marrjes së vendimit, për liberalizimin e vizave në datën 1 korrik 2010.
5. Rezoluta mirëpret që Parlamenti Europian, vendet anëtare dhe Komisioni Europian të marrin në konsideratë përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit nga Shqipëria, si dhe konsensusin që ekziston mes të gjithë forcave politike të Republikës së Shqipërisë lidhur me arritjen e objektivit të udhëtimit pa viza të qytetarëve shqiptarë si pjesë e plotësimit të ëndrrës së tyre europiane.