E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Fajon: Përshkallëzimi i situatës do të ndikojë

Raportuesja sllovene shprehet optimiste për draft-rezolutën, por apelon për normalitet

Shtatori duket se do të jetë muaj ‘përcaktues’ për qytetarët shqiptarë. Paralajmërimet e opozitës socialiste për përshkallëzim të jetës politike në vend janë dëgjuar përtej kufijve të Shqipërisë dhe sipas gjasave mund të fitojnë një peshë me rëndësi edhe për sa i përket vendimit për heqjen e vizave me Bashkimin Europian. Një sinjal për këtë horizont të ri që po krijon kriza shqiptare është dhënë dje nga raportuesja sllovene, Tanja Fajon, në një intervistë dhënë televizionit “Top Channel”. “Të gjithë po presim raportimin nga ekspertët. Kam garanci së pari nga Sarajeva e tani dhe nga Tirana, se ato kritere që kanë mbetur, janë përmbushur. Shpresoj që ekspertët do të njohin po ashtu këtë progres e që në shtator do kemi një raport pozitiv. Në rast se raporti nuk do të jetë pozitiv, kam frikë se i gjithë procesi mund të shtyhet. Një shqetësim tjetër është për shembull situata politike në Shqipëri. Nëse do të përballim protesta serioze sërish në rrugë, apo do të mungojë dialogu mes politikaneve të të gjitha palëve, ose që Kuvendi të mos jetë funksional, atëherë vendet anëtare do të shprehin shqetësime të tjera, sigurisht, sepse vizat janë proces teknik, por duam të shohim gjithashtu një vend me stabilitet të mirë politik”, deklaroi Fajon. E thënë ndryshe, sado teknik të jetë procesi i liberalizimit të vizave, askush në Strasburg apo në Bruksel nuk do mbyllë sytë përpara evoluimit të situatës në Shqipëri. Bie në sy se shqetësimi i ngritur nga raportuesja sllovene ka një raport të drejtë me kufijtë e skenarit të paralajmëruar nga opozita socialiste, çka e bën më të perceptueshme marrëdhënien mes krizës dhe heqjes së vizave. Në një vështrim më të drejtpërdrejtë, ajo ka informuar mbi përparimin e bërë në plotësimin e kritereve teknike nga qeveria shqiptare, një hap ky që pret të zyrtarizohet nga raporti i ekspertëve. Deri këtu detyrimi institucional i qeverisë shqiptare është drejt finalizimit dhe u përmbahet premtimeve të bëra. Frikën e një “Jo”-je të mundshme po e riciklon pesha specifike në rritje e krizës politike, për të cilën tanimë PE ka detyrime shtesë. Mjafton të kujtohet se rezoluta e fundit e miratuar në seancën plenare të 8 korrikut rezervonte një hapësirë të posaçme për situatën politike dhe kërkesat e opozitës socialiste lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rrjedhimisht apeli i ardhur dje nga Fajon e shton edhe më shumë përgjegjësinë e dy partive kryesore në vend, teksa i bën me dije opinionit shqiptar se një përkeqësim i klimës politike dhe institucionale mund të sjellë një shtyrje të mëtejshme të lëvizjes së lirë. “Shpresoj që ky proces teknik i deritanishëm do të mbetet thjesht proces teknik e që ne nuk do të flasim në fund për një vendim politik, gjë për të cilën ne ndiejmë sot shqetësime kundrejt vendeve anëtare, se nuk po shikojnë vetëm procesin teknik dhe kriteret teknike. Ka shqetësime te vendet anëtare për situatën politike në Shqipëri, për shembull. Dhe kjo, nëse situata do të përkeqësohet, mund të vonojë procesin për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë. Shpresoj që ne do t'i përmbahemi qëndrimit për kriteret teknike e që ky proces nuk do të bëhet politik në fund”, është shprehur raportuesja sllovene, Tanja Fajon.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›